Ndërlidhjet

BE: 16 orë bisedime – pa marrëveshje


Takimi mes Kosovës dhe Serbisë, i cili kishte filluar të hënën në orën 9 të mëngjesit, ka përfunduar të martën në orët e hershme pas mesnatës, pa rezultate konkrete, për sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve, megjithëse, sipas zyrtarëve të BE-së kishte përparim në dy tema të rëndësishme.

Në komunikatën e lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi në këtë takim, thuhet se palët parimisht kanë finalizuar tekstin për trajtim rreth Telekomit dhe rreth temës të krijimit të Asocacionit të Komunave.

“Siç jemi marrë vesh javën e kaluar, e thirra përsëri takimin e nivelit të lartë të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, me kryeministrat, Aleksander Vuçiq dhe Isa Mustafa, në Bruksel, ditën e hënë më 29 qershor”, thuhet në deklaratën e zonjës Mogherini.

Mirëpo, marrëveshja politike për këtë nuk ishte arritur, thuhet në këtë komunikatë dhe shtohet se tash "do të reflektohet në hapat e mëtejmë".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se takimi ka qenë mjaft i vështirë dhe se sipas tij janë pajtuar rreth parimeve për krijimin e asociacionit të komunave.

Por, ai tha se Kosova nuk ka mundur të pranojë që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.

Ai po ashtu tha se është arritur në parim pajtim rreth Telekomit.

Por, këto marrëveshje nuk janë nënshkruar sepse pala evropiane kërkon që të ketë paketë të marrëveshjeve.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se nuk është arritur marrëveshje për asnjë nga temat, dhe ai fajësoi palën kosovare për mungesë të rezultateve konkrete. Ai përsëriti qëndrimin që e kishte shprehur më herëtnjë anëtar tjetër i delegacionit të Serbisë se "pala e Kosovës ka ardhur në takim pa qëllim që të nënshkruhen marrëveshjet".

I pyetur nëse mungesa e marrëveshjeve konkrete do të ketë pasoja për rrugën e integrimeve të Serbisë në Bashkimin Evropian, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq u shpreh se ai personalisht është i gatshëm që të marrë përgjegjësi për këtë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa sot udhëton për në Berlin, ku duhet të ketë takim me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Merkel, javën që vjen ka paralajmëruar që do të vizitojë Beogradin, ku do të takohet me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq.

Merkel është personaliteti kryesor në Bashkimin Evropian, që insiston që Serbia, para se të nisë negociatat për anëtarësim në BE, të bëjë përparim konkret në procesin e normalizimit të raporteve më Kosovën.

Në BE, për momentin nuk mund të thonë se kur do të ketë raund tjetër të dialogut, mirëpo shprehin keqardhje për mungesën e marrëveshjeve për këtë raund, sepse palët, sipas diplomatëve evropianë, janë afruar shumë në qëndrimet e tyre rreth temave kryesore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG