Kosova ka një hapësirë prej 11 mijë kilometrash katrorë dhe njihet si vend me sipërfaqe relativisht të vogël.
Me gjithë hapësirën e vogël, ndotja e ambientit është shumë e madhe, thonë ekspertë të ambientit.
Të premten është ndërmarrë një aksion nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe organizata të ndryshme joqeveritare që merren me mbrojtjen e ambientit, për ta pastruar Kosovën.
Por, në cfarë gjendje mjedisore është Kosova, flet Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC).
Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ndotja në të gjitha fushat është prezente, dhe ka shtuar se duhet të punohet shumë seriozisht në strategjinë e ardhshme me redukim, ripërpunim dhe riciklim të mbeturinave.
"Ndotja në Kosovë është prezente pothuajse në të gjitha fushat, përpunimi i ujërave të zeza nuk është e instaluar. Komponent tjetër është ndotja e ajrit. Në Kosovë janë disa fabrika që akoma kanë problem me filtra dhe monitroimin e ndotjes e cila emitohet nga prodhimi i tyre".
"Këtu hyn KEK-u që është një ndër ndotësit më të mëdhenj jo vetëm në Prishtinë, por më gjerë, pastaj ndotja e ajrit dhe ndotjen e ujit dhe të tokës nga Trepça. Normalisht me ndotje ballafaqohet edhe rajoni i Drenasit për shkak të Feronikelit".
Ndryshe, në Kosovë mund të riciklohet vetëm letra. Të gjitha mbeturinat tjera përfundojnë në deponi, dhe në deponi ilegale. Kështu thonë zyrtarë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Themeluesi i organizatës ‘’Green Art Center Prishtina’’, Lorik Muçaj, ka bërë të ditur se janë mbi 361 deponi ilegale me mbeturina.
"Ne si Green Art Center në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kemi koordinuar 12 aktivitete për pastrimin e Kosovës. Në Kosovë janë mbi 361 deponi ilegale që goditen dhe ne do t'i pastrojmë, me shpresë që nuk do të goditen më. Gjendja mjedisore në Kosovë është shumë e keqe, dhe ne ftojmë qytetarët që të kenë kujdes në ruajtjen e ambientit dhe vendin se ku hedhin mbeturina".
Por, çka mendojnë vetë qytetarët për mjedisin në Kosovë?
Merita Kastrati, 27 vjeçare, shpreh pakënaqësi për ruajtjen e ambientit.
"Ambienti është i ndotur, nuk jemi të kënaqur. Nuk duhet të presim që vetëm në një ditë, gjatë gjithë vitit të rregullohet çështja e ambientit. Mendoj se njerëzit duhet të vetëdijesohen pak më shumë, por edhe institucionet që janë përgjegjëse për ruajtjen e ambientit".
Edhe Mentor Syla, student i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë se njerëzit duhet të vetëdijësohen për ruajtjen e ambientit.
"Për një ambient më të pastër duhet të jemi të gjithë unik. Hedhja e mbeturinave aty ku nuk duhet, s’është gjë e mirë, duhet të ruhet ambienti se është vend i yni. Shpresoj se njerëzit do të vetëdijesohen me kohë".
Menaxhimi i mbeturinave është një ndër sfidat kryesore mjedisore në Kosovë, thotë Dafina Morina, studente e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
“Mbeturina çdo ditë e më tepër shihen nëpër rrugë. Qytetarët kanë një pjesë të madhe të fajit - duhet të ketë edhe më tepër vende ku grumbullohen mbeturinat, me këtë mendoj se do të ishte zvogëluar sasia e mbeturinave nëpër rrugë".
Ndryshe, mbi 574 mijë tonë ka qenë sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2013, në nivel vendi. Rreth 317 kilogramë mbeturina është mesatarja e gjeneruar për kokë banori, apo vetëm në rajonin e Prishtinës, për vitin 2013 sasia e mbeturinave komunale ka arritur 1.4 kilogram në ditë për një banor