Ndërlidhjet

Komuniteti rom, imun ndaj mosemancipimit dhe varfërisë


Një fëmijë rom në Kosovë, foto nga arkivi
Një fëmijë rom në Kosovë, foto nga arkivi

Mungesa e shkollimit, e përkujdesit institucional dhe varfëria, kanë bërë që komuniteti rom të mbetet një ndër komunitetet më të diskriminuara në Kosovë.

Shumica e qytetarëve të komunitetit rom në Kosovë, nuk janë në gjendje të sigurojnë mjete për ekzistencë, për shkak të papunësisë, që me shifër zyrtare njihet të jetë mbi 98 për qind.

Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Avokim, ngreh shqetësimin për këtë komunitet, duke thënë se rreth një e treta e këtyre qytetarëve, të shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike, verën e kaluar ka migruar në mënyrë ilegale.

Zoti Ibishi thotë se ekziston një qasje e pabarabartë ndaj tyre, në të gjitha aspektet e jetës...

“Aspektet që kanë të bëjnë me diskriminimin janë prezente në gjitha sferat e jetës: edukimi, diskriminimi në arsim, një qasje e pabarabartë, implementimi i politikave në mënyrë selektive, duke filluar nga instancat komunale e më tutje”, thotë ai.

Sa i përket emancipimit të komunitetit rom në shoqëri, sociologët në Kosovë e shohin këtë proces si shumë të ndërlikuar, duke thënë se duhet të kalojnë gjenerata, deri në emancipimin e plotë të tij.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosemancipimi i komunitetit rom në Kosovë ka në traditë, dhe tashmë ky komunitet në njëfarë mënyre “është bërë imun ndaj kushteve të vështira”.

“Te ne, në rastin konkret, komuniteti për të cilin ne po flasim [komuniteti rom] ka një traditë mosemancipimi, jo vetëm tash pas luftës, por shumë kohë para luftës. Dhe ky komunitet, në njëfarë mënyre është bërë imun, është adaptuar me mosshkollimin, me mospunën, me varfërinë, kushtet e vështira, e të tjera. Prandaj, kur flasim për emancipimin, duhet t’i kemi parasysh të gjithë këta faktorë, dhe nuk duhet të ushqejmë iluzionet që emancipimi kryhet brenda një gjenerate”, thekson Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Si faktor të rëndësishëm, zoti Reçica e thekson përpjekjen e shoqërisë në përgjithësi për emancipimin e një komuniteti, ndërsa faktorin më të rëndësishëm e sheh interesimin e komunitetit të vetë-emancipohet.

“Faktori më i rëndësishëm pothuajse në emancipimin e një komuniteti është vetë ai komunitet. Vetë komuniteti duhet të interesohet për emancipim, atëherë kur ekzistojnë kushtet e plotësuara nga shoqëria në përgjithësi”, thotë ai.

Tetë prilli është Dita Ndërkombëtare e Romëve, dhe kjo ditë u shënua edhe nga institucionet më të larta të vendit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me rastin e kësaj dite ka theksuar rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin rom, në shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u zotua që do të angazhohet “që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë, sidomos për punësim, për shkollim në të gjitha nivelet, në fushën e shëndetësisë dhe në jetën sociale në përgjithësi”.

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG