Ndërlidhjet

Autostrada Prishtinë-Shkup, mundësi punësimi


Pamje nga ndërtimi i autrostradës...
Pamje nga ndërtimi i autrostradës...

Punimet në autostradën Prishtinë-Shkup, që kanë filluar në muajin korrik të vitit të kaluar, po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë në kontratë, pavarësisht sezonit të dimrit, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ela Ruçi, zëdhënëse në konsorciumin turko-amerikan “Bechtel- Enka”, kompani fituese për ndërtimin e kësaj rruge.

Ajo tregon se aktualisht është duke u punuar në nyjën lidhëse të autostradës “Arbën Xhaferi” me autostradën Prishtinë-Tiranë të quajtur “Ibrahim Rugova”.

“Pjesa më e madhe e ndërtimit është te nyja lidhëse e rrugës ‘Ibrahim Rugova’ me rrugën ‘Arbën Xhaferi’. Pra, është në periferi të Prishtinës, për të bërë edhe unazën e Prishtinës. Aty është përqendruar edhe më tepër ndërtimi. Ndërsa, makineritë e tjera të zhvillimit gjeologjik, dizajni, janë në gjithë gjatësinë e rrugës”, bën të ditur Ruçi.

Në bazë të punëve në terren, ekspertë për këtë çështje konsiderojnë se kompania fituese punët do t’i përfundojë në periudhën e paraparë në kontratë, për 42 muaj.

Halim Gjergjizi, doktor i shkencave agro- ekonomike, i cili njëherësh ka qenë hartues i projektit të autostradës Merdar - Morinë, projektin e quan të arsyeshëm, pasi modernizon infrastrukturën rrugore në Kosovë dhe rrjedhimisht do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik. Ai shpreson se edhe cilësia e punimeve të autostradës do të jetë në nivelin e duhur.

“Pasi ky projekt ka filluar, do të ishte shumë mirë edhe për punëmarrësin dhe punëdhënësin që projekti të kryhet sa më shpejt dhe të realizohen edhe efektet e pritura nga ndërtimi i autostradës”, thotë Gjergjizi për Radion Evropa e Lirë.

Nga ndërtimi i kësaj autostrade kanë përfituar edhe shumë kompani vendore,pasi, sipas Ela Ruçit, mbi 80 për qind të kompanive dhe punëtorëve janë nga Kosova.

Aktualisht, në këtë projekt janë duke punuar rreth 700 punëtorë, kurse ditëve në vazhdim pritet të rritet edhe më shumë numri i punëtorëve.

“Me ardhjen e pranverës, siç është normale në projektet e ndërtimit, pritet të rriten punimet në terren, të shtohen aktivitetet dhe sigurisht që rritet edhe numri i punëtorëve”, shpjegon Ruçi.

Autostrada Prishtinë - Hani i Elezit do të kushtojë rreth 600 milionë euro.

Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2.2 kilometra.

Konsorciumi turko- amerikan “Bechtel Enka” ka ndërtuar edhe autostradën “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG