Ndërlidhjet

Mjekët familjarë me perspektiva të reja


Mbi dy milion shërbime mjekësore kryhen brenda një viti në Qendrat e Mjekësisë Familjare, vetëm në Komunën e Prishtinës, derisa mbi pesë mijë shërbime marrin pacientët brenda 24 orëve, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

Ndërkaq, në Kosovë janë gjithsejt 634 mjekë familjar me shkollim specialistik.

Genc Ymerhalili, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mjekët familjarë përmes programit ndërkombëtar, të çertifikuar nga kolegji mbretëror i mjekëve të Britanisë së Madhe, do të jenë të barabartë me mjekët familjarë evropianë.

‘’Është një hap i rëndësishëm që mjekët mund të angazhohen në institucione shëndetësore në Evropë. Është program i njohur dhe i çertifikuar ndërkombëtarisht, që i përcakton kolegji mbretëror i mjekëve të Britanisë së Madhe. Kjo është një mundësi e mirë që mjekët të jenë ekuivalent me kolegët në rajon dhe Evropë".

Ndërkaq, këshilltari i ministrit të shëndetësisë, Valbon Krasniqi, ka bërë të ditur se mjekëve të Qendrës së Mjekësisë Familjare, përmes këtij programi do t'u hapen perspektiva të reja.

"Programi është mbështetur nga kolegji mbretëror i mjekëve dhe është duke u punuar në kompletimin për akreditimin e provimit final, pasi që ky program nuk është i vetmi në Kosovë, por në rajon".

"Tash mjekët familjarë që marrin diplomën e mjekut specialist të mjekësisë familjare, janë të barabartë me mjekët familjarë të mjekësisë familjare në Evropë, sa i përket përmbushjes së standardeve ndërkombëtare si dhe në ofrimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor".

Ndryshe Besim Kodra, drejtues i asociacionit për të drejtat e paicentëve, thotë se cilësia e shërbimeve në Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk është e kënaqshme.

"Cilësia nuk është në nivel të kënaqshëm si në Qendrat e Mjekësisë Familjare, po ashtu edhe në gjitha institucionet shëndetësore publike. Ne si asociacion, kemi pranuar edhe ankesa nga pacientët", ka shtuar Kodra.

Sidoqoftë mjekësia familjare si koncept i shërbimit të mjekësisë primare në Kosovë, është lansuar fillimisht si program i zhvillimit të vazhdueshëm profesional në vitin 2000 dhe është udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Të gjithë mjekët që kanë pasur më tepër se 10 vite përvojë pune si mjekë të përgjithshëm, i janë nënshtruar disa moduleve ku brenda një viti kanë marrë licencën e specialistit të mjekut familjar. Derisa tani, mjekët familjarë do të jenë specialistë të akredituar ndërkombëtarisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG