Kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.
Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, ka deklaruar Blerim Syla, kryetar i federatës sindikale të shëndetësisë.
"Ne kemi bërë një hulumtim, dhe nga Kosova për tre vjet kanë ikur 400 mjekë, pa i llogaritur infermierët. Ne kemi organizuar një pyetësor ku prej 1 mijë studentëve që i kemi anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit".
"Nuk është çështja vetëm te pagat, por nuk kemi sistem të mirë shëndetësorë, nuk kemi planifikim të mirë të punësimit, politizimi i shëndetësisë e shumë faktorë tjerë. Ky fenomen është i pa ndalshёm, edhe pse njerëzit e kryejnë shkollën dhe duhet ikin. Është shumë vështirë që në moshën 45 vjecare një mjek të ikë jashtë vendit, dhe të fillojnë të mësojnë gjuhën për tu punësuar", ka shtuar Syla.
Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar 613 mjekë dhe 1882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri për punën që kryen paguhet rreth 300 euro në muaj.
Zyrtarja për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mirlinda Qyqalla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ikja e mjekëve nga institutcioni publik shëndetësor është fenomen që ndodhë.
"Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në vitin 2012 kanë ikur 3 mjekë specialistë me vetëdëshirë, derisa po këtë vit edhe 11 infermierë kanë ikur nga ky institutcion".
"Ndërkaq në vitin 2013 kanë ikur 6 mjekë specialistë dhe 15 infermierë, për të vazhduar më pastaj në vitin 2014 e deri më tani sipas statistikave tona, kanë ikur 6 mjekë specialistë dhe 8 infermierë".
Sipas zonjës Qyqalla, statistikat flasin se numri i atyre që kërkojnë punë në klinikat e këtij institutcioni është i madh, derisa punësimi i tyre nuk ndodhë.
"Qkuk- ja ka nevojë për staf shtesë të infermierëve, por që një gjë e tillë nuk mund të ndodh tash, deri sa të shikohet mundësia buxhetore".
Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.
Profesionistë shëndetësor tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve dhe të krijohen mundësi të kthehet, siç thonë ata, truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet edhe aftësohen për punë.