Ndërlidhjet

Fiaskoja e kabinetit të (mos)unitetit afgan


Kandidatët e kabinetit qeveritar afgan, 20 janar 2015
Kandidatët e kabinetit qeveritar afgan, 20 janar 2015

Kabineti i propozuar i “qeverisë së unitetit” në Afganistan, i mbledhur me vështirësi, pas disa mujash të përplasjeve dhe fillimisht i lavdëruar për diversitetin e tij dhe fytyrat e freskëta, tash me shpejtësi po e zbulon mosunitetin e Kabulit.

Megjithëqë është dashur disa muaj për ta bërë së bashku, kabineti i propozuar i Afganistanit është në rrezik të shkatërrimit të shpejtë, derisa të nominuarit po hetohen për shtetësi të dyfishtë, aktivtitete të dyshuara kriminale dhe kandidatë, që janë më të rinj se sa parashikon ligji.

Vetëm një javë pasi presidenti, Ashraf Ghani, dhe rivali i tij në zgjedhje, Abdullah Abdullah, i kanë propozuar kabinetet e tyre të reja, emrat e gati gjysmës së 27 personave të nominuar, mund të refuzohen.

Një finale e tillë do të ishte goditje për presidentin, Ashraf Ghani, përpjekjet e të cilit për ta formuar qeverinë e “unitetit” me zotin Abdullah, i kushtuan më shumë se tre muaj.

Negociatat me Abdullahun, i cili është në rolin e shefit ekzekutiv të qeverisë, raportohet se ishin të tensionuara.

Por, kur u shpallën emrat më 13 janar, lista dukej se i plotësonte premtimet e zotit Ghani për krijimin e kabinetit me përplot fytyra të reja, të zgjedhura për merita dhe të çliruara nga sistemi i fuqishëm i patronazhit në Kabul.

Megjithatë, konsiderohet se miratimi i këtyre të nominuarve në Parlamentin e Afganistanit, nuk do të jetë aspak i lehtë.

Komisioni i marrëdhënieve ndërkombëtare i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Afganistanit, ka zbuluar se 11 prej 27 të nominuarve kanë shtetësi të dyfishtë.

Ky është moment kontestues për shumë parlamentarë, ndërsa raportohet se disa prej tyre janë kërcënuar se nuk do të votojnë për këto propozime.

Sipas Kushtetutës së Afganistanit, vetëm shtetasit afganë kanë të drejtë për nominime ministrore. Por, ekziston edhe hapësira që në rast se ndonjë i nominuar është me shtetësi të dyfishtë, atëherë ligjvënësit mund të vendosin për të bërë apo jo përjashtim.

Një tjetër çështje që e komplikon këtë situatë është vendimi jobligues i vitit 2014, që të mos lejohet asnjë person me shtetësi të dyfishtë në kabinetin e ri.

Prej të nominuarve të presidentit Ghani ka më tepër kandidatë që janë nën shqyrtim të rreptë, por edhe ata të zotit Abdullah, duket se mund të jenë të prekur nga kundërthëniet.

Mohammad Yakub Haidari, 52 vjeçar, i nominuari i presidentit Ghani për ministër të agrikultuës, është akuzuar në mediat afgane se jo vetëm që ka shtetësi të dyfishtë, por se është edhe në listën e Interpolit për personat më të kërkuar.

Zoti Haidari ka thënë se është i pafajshëm.

Ka pasur edhe informacione se edhe dy femra të nominuara nga zoti Ghani po shqyrtohen për shkak se nuk i plotësojnë kushtet e moshës.

Sipas Kushtetutës së Afganistanit, ministrat duhet të jenë së paku 35 vjeçar, ndërsa njëra nga kandidatet për ministre të arsimit të lartë është nën shqyrtim.

Në raporte shprehen dyshime se Khatira Afghan, e ka ndryshuar moshën e saj prej 33 në 38 vjeç, vetëm një javë para nominimit. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG