“Si mund ta dimë ku mund të jemi ekonomikisht në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme, kur Kosovës i mungon një plan nacional zhvillimor. Sikur të kemi një strategji për zhvillim ekonomik me siguri të gjithë indikatorët kishin me qene të elaboruar në një ekspertizë shkencore dhe ardhmëria kishte me qenë më ndryshe”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Radio Evropa e Lirë
Zoti Gërxhaliu, viti që lëmë pas ishte njëri ndër vitet më të vështira në aspektin ekonomik,një rritje ekonomike jo më shumë se 3 për qind, aktivitete të shumta ekonomike ishin pezulluar për shkak të mos formimit të institucioneve të reja. Si do të mund të rehabilitohen gjatë këtij viti të gjitha këto ngecje që ishin shënuar në vitin 2014?
Safet Gërxhaliu: Si Odë ekonomike, ne e kemi shpallë vitin 2014 si vit të dështuar ekonomik, kjo është nga vet fakti e e kemi pas një çasje më tëpër studioze pragmatike se sa marketing dhe dekor, plus i analizojmë indikatorët që shfaqin këtë brengë të dështimit ekonomik të vitit 2014,.
Po e shihni se krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë vetëm një dëshirë e jo realitet, investimet e huaja direkte kanë qenë vetëm një dëshirë e jo realitet dhe rritja ekonomike e paraparë jo vetëm që nuk ka ndodhë, por pothuajsë është përgjysmuar. Kur krejt kësaj i shtohet fakti se Kosova është duke eksportuar para të gatshme, dhe krahas eksportit të parasë së gatshme dhe importit të produkteve nga jasht, paramendoni çfarë goditje pëson konsumatori dhe qytetari i Kosovës.
Ajo çka është më shqetësuese është fakti se pasojat e një ngërçi politik edhe krejt kësaj që është kriju në vitin 2014 do të bartet në vitin 2015, në veçanti në gjashtë muajt e parë.
E para që duhet të bëhet është që Qeveria e Kosovës ta parashtroj si prioritet zhvillimin ekonomik, në qoftë se arrin të përmbush këtë prioritet atëherë më siguri do të kemi edhe stabilitet social dhe nuk do të kemi pamje trishtuese të migrimit të të rinjve nga Kosova nëpër vendet e ndryshme evropiane.
Radio Evropa e Lirë
Përmendët migrimin e paligjshëm. Kemi një numër të madh të qytetarëve që e po e lëshojnë vendin dhe arsyeja në të shumtën e rasteve është papunësia e larta. A mund të krijohen vende të reja të punës në Kosovë dhe si mund të bëhet kjo?
Safet Gërxhaliu: Bartës i proceseve duhet të jetë sektori privat, vetëm sektori privat mund të krijojë vende të reja të punës, mirëpo edhe sektori privat ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje institucionale, ku për fat të keq një gjë e tillë është duke munguar në Kosovë.
Në qoftë se mbështetet sektori privat, në veçanti sektori prodhues, atëherë ardhmëria në punësim do të jetë shumë e ndritshme. Mirëpo, mjerimi më i madh i një shoqerie është kur administata publike është ajo që krijon vende të reja të punës dhe sa më tepër krijon vende të reja të punës qeveria ose institucionet, shumë më e madhe është varfëria dhe perspektiva e të rinjve.
Prandaj në qoftë se e analizoni Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë, problem i madh për qeveritë e tyre është administrata publike, dhe reduktimi i saj. Nuk jemi duke mësuar nga gabimet e tjerëve, andaj duhet të kthehemi nga sektori privat, të kthehemi drejt prodhimit dhe prodhimtarisë vendore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrihen efekte pozitive.
Por në sektorin prodhues privat, duhet të kemi vende të reja të punës, duhet të kemi përmirësim të bilancit të pagesave, duhet të kemi përmirësim të imazhit të Kosovës të produkteve "Made in Kosova", dhe me siguri do të arrihet një atraktivitet. Mirëpo, jam skeptik të them se do të ketë perspektivë në sektorin privat dhe qe do të krijojë vende të reja të punes, nga vet fakti se Kosova është shndërruar në shoqëri e varur nga importi.
Në qoftë se i shihni parashikimet buxhetore të vitit 2015, e shihni që vetëm Dogana e Kosovës duhet t'i grumbullojë 974 milionë euro, dhe për t'i grumbulluar ato para nga taksat, nga dogana, nga tatimi mbi vlerën e shtuar, atëherë Kosova duhet të eksportoj para të gatshme në vlerë prej 3 miliard e gjysmë euro, të importoj mallëra, dhe atëherë të ketë këtë grumbull të planifikuar.
Po e shihni që politika është mjaft e gabuar, sepse shumë më tepër po mbështetet sektori tregtar se sa sektori prodhues, dhe vetëm përmes këtij sektori mund të arrihen efektet që i dëshiron Kosova.
Radio Evropa e Lirë
Si përfaqësues të bizneseve në Kosovë keni pasur takime me investitorë ndërkombëtarë. Cili është disponim i tyre për të investuar në Kosovë?
Safet Gërxhaliu: Duhet të kuptohet që Kosova me të vërtetë e ka trashëguar një imazh shumë të dobët sa i përket ambientit biznesor, por në përgjithësi ju e dini që vendet armiqësore të Kosovës përdorin strategji të ndryshme për ta dëmtuar Kosovën, strategji të natyrës ekonomike, strategji politike dhe kuptohet si rrjedhë e krejt këtyre është dëmtimi i imazhit të Kosovës, që kuptohet të paraqitet sa më keq është e mundur në skenën ndërkombëtare.
Pra, Kosova është shumë më e mirë nga brenda se sa që duhet nga jashtë, por është edhe një gjë tjetër që institicuonet tona duhet të promovojnë vlerat më tepër se që është e mundur.
Radio Evropa e Lirë
Cilët do të duhej të ishin ata sektorë të cilët do të duhej të promovohen nga Qeveria e Kosovës tek investitorët ndërkombëtarë?
Safet Gërxhaliu:E keni vërejtë një temë interesante e cila me siguri duhet të fillojë më këtë konstatim, "Si do të jemi ekonomikisht në 5 ose 10 vitet e ardhshme nëse Kosovës i mungon një plan nacional zhvillimor. Po të kishim strategji ekonomike për zhvillim ekonomik, me siguri të gjithë indikatorët do të kishin me qenë të elaboruara me ekspertizë shkencore dhe ardhmëria kishte me qenë më e ndritshme.
Njeriu kur dëshiron të dijë nga do të shkoj, duhet ta di se ku është, për fat të keq ne jemi këtu ku jemi dhe rrugëtimi ynë drejt ardhmërisë është si një rrugë qorre, por sektorët që më së shumti janë përmendur kohëve të fundit dhe më së paku janë shfrytëzuar janë energjetika, mineralet është edukimi dhe mbi të gjitha agrobizneset dhe përpunimi i produkteve bujqësore, por tri sektore që janë më të rëndësishmë janë ndërtimtaria, përpunimi i metaleve dhe përpunimi i drurit.
Po të jemi të orientuar e të bazuar në ekspertizë shkencore duke implementuar planin nacional zhvillimor, atëherë trendet ekonomike në Kosovë mund të ndryshojnë me shpejtësi të madhe pozitive.