Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar si një ndër faktorët kryesorë të cilët paraqesin një potencial zhvillimor për një vend, por viteve të fundit në Kosovë, trendi i investimeve të huaja është në rënie.
Edhe gjatë këtij viti, konkretisht në gjashtëmujorin e parë, investimet ndërkombëtarenë Kosovë kanë shënuar rënie.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës të quajtur Raporti i Stabilitetit Financiar, për periudhën janar - qershor bilanci i investimeve është zvogëluarnë 37.5 milionë euro, nga 140 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po, sipas këtij raporti, në përgjithësi përkeqësimi i investimeve vlerësohet të jetë pasojë e rënies së konsiderueshme të investimeve publike, të shkaktuara nga vonesat në konsolidimin e institucioneve në vend, përderisa investimet private pritet të shënojnë rritje.
Ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se Kosova ende nuk ka arritur që të bind investitorët që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.
Madje sipas tyre, edhe ngërçi politik që ka zgjatur gjashtë muaj ka ndikuar që investitorët të hezitojnë gjatë kësaj periudhe të investojnë në Kosovë.
Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në fillim të vitit Kosova ka dështuar në privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe vonesat në realizimin e projektit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.
“Në pjesën e dytë të këtij viti ne kishim një krizë institucionale dhe politike e cila ishte një sinjal shumë dekurajues për investitorët e jashtëm të cilët edhe ashtu kanë qenë mjaft hezitues në raport më Kosovën viteve të fundit".
"Nëse ia shtojmë të gjitha këto edhe krizën globale e cila ende nuk është rimëkëmbur para pesë vitesh, atëherëmund të themi se ka qenë e pritshme fatkeqësisht niveli i investimeve të bie”, thekson Gashi.
Përveç krizës politik edhe paqëndrueshmëria e institucioneve si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ka ndikuar në rënien e investimeve të jashtme, thotë profesori tjetër në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.
Ai thotë se faktori njeri nuk ka arritur që të promovoje potencialin ekzistues që ka Kosova karshi investitorëve ndërkombëtarë.
“Çdo investitor që dëshiron të plasojë kapitalin në Kosovë ai niset më një qëllim themelor- fitimin. Ai nuk vjen këtu të investojë se është Kosova. Kryesisht vijnë për fitime, prandaj ne duhet t’i krijojmë mundësi të tillë që nuk i kanë në vendet e rajonit. Kjo duhet të jetë përparësi diferenciale apo përparësi konkurruese e Kosovës karshi vendeve të rajonit", shprehet Ramosaj.
Edhe Naim Gashi konsideron se autoritet kompetente duhet që të krijojnë një ambient të favorshëm për investitorët ndërkombëtar.
“Duke filluar nga rendi dhe ligji, eliminimi i burokracisë, luftimi i korrupsionit dhe heqja e kushtëzimeve nëpër mes licencave të ndryshme coftë në për mes nivelit local, coftë nga ai qendror”, thekson Gashi.
Ai shton se ekonomia e Kosovës në aspektin e investimeve të huaja mund të jetë më e konsoliduar vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2015.
Ndryshe, viteve të fundit Kosova nuk qëndron mirë sa i përket investimeve të huaja direkte. Që nga viti 2008, këto investime kanë shënuar rënie të vazhdueshme.
Ndërkaq, vitin e kaluar, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë 258.9 milionë euro