Ndërlidhjet

2015 - Vit i jetësimit të sigurimeve shëndetësore?


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ligji për sigurime shëndetësore as gjatë vitit 2014 nuk është jetësuar.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se në vitin 2015, qytetarët do të mund të përfitojnë nga fondi i sigurimeve shëndetësore.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përgatitjet janë duke u bërë që premiumet të fillojnë të paguhen në prill të vitit 2015, derisa ofrimi i shërbimeve nga sigurimet shëndetësore nga korriku i vitit 2015.

"Ministria e Shëndetësisë po i bën përgatitjet teknike që sigurimet shëndetësore të fillojnë këtë vit në Kosovë. Si fazë e parë është përgatitja në aspektin teknik që nënkupton krijimi ne regjistrave elektronik për personat përfitues nga skema e sigurimeve shëndetësore. Kjo fazë nënkupton një bashkërendim të aktiviteteve me Ministrinë e Punëve të Brendshme,për shkak të regjistrit civil, dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me përcaktimin e kategorive sociale", bën të ditur Hoti.

Ai jep edhe hollësi të tjera lidhur me fillimin e aplikimit të sigurimeve shëndetësore.

"Në anën tjetër, Agjencia për Financimin e Shëndetësisë, po ngrit kapacitetet e saj, është në finalizim çmimorja e shërbimeve spitalore dhe jashtë spitalore, si dhe nxjerrja e akteve nënligjore. Pra po bëhen gjitha përgatitjet që në vitin 2015 të fillojnë sigurimet shëndetësore të aplikohen për herë të parë në Kosovë", thotë Hoti.

Ish ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruarkohë më parë se në vitin 2015 qytetarët e Kosovës do të pajisen me kartelën e sigurimeve shëndetësore.

Sidoqoftë, kostoja e Ligjit për vitin 2015, siç ka deklaruar ish ministri Agani, llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro si kosto direkte për sektorin publik, dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Por, ai ka sqaruar se qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, duke shtuar se ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e kanë paraparë ta marrë përsipër Qeveria e Kosovës.

Ekspertët të ndryshëm shprehin skepticizëm rreth fillimit të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore për shumë arsye.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka thënë se do të ishte shumë i kënaqur po qe se ligji për sigurime shëndetësore do të jetësohet në vitin 2016 apo edhe 2017, derisa ka shtuar këtë vit ka shumë pak gjasa të fillojë së implemetuari ky ligj.

"Ky ligj ka gjasa që të zbatohet në vitin 2016 ose 2017. Ky ligj është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm për qytetarët sepse ju ofron një siguri. Të rralla janë ato shtete që nuk e kanë ligjin për sigurime shëndetësore. Tash po mundohen të bëjnë partneritet publiko-privat në mënyrë që të grumbullohen fonde".

"Kjo pasi që shteti nuk po ka mundësi të mbledh fonde dhe pikërisht këtu është problemi që të hyhet në një partneritet publiko- privat, atëherë mund të ketë paqartësi, atëherë nuk do të ketë ndarje të qartë dhe kam shumë dyshime që ky ligj do të zbatohet në vitin 2015. Në qoftë se do të fillojë të zbatohet në vitin 2016, do të isha shumë i kënaqur, por unë kam dyshime", shprehet Shala.

Lidhur me kategorinë që lirohen nga pagesa e premiumit dhe bashkë-financimi, Arsim Çavdarbasha ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, ka përmendur familjet e varfra nën asistencë sociale, të burgosurit, të cilët janë dënuar, individët që janë duke jetuar në institucione shtetërore, fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet.

Në këtë kategori hyjnë edhe personat e riatdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera si dheinvalidët e luftës me shkallë të lartë të pa-aftësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG