Në Kosovë, rreth 7 për qind të popullsisë së përgjithshme, e përbëjnë personat e moshës mbi 65 vjeç.
Hulumtimet e bëra nga institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregojnë se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë të varfërisë.
Hasan Berisha, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se jeta e një pensionisti në Kosovë është mjaft e vështirë.
"Jeta e pensionistëve në Kosovë është rezultat i situatës ekonomiko sociale dhe politike në Kosovë. Fatin e kemi pasur të tillë që menjëherë pas luftës, institucionet e Kosovës i kanë menaxhuar shërbimet e shteteve tjera të UNMIK-ut, pa e njohur mirë sistemin e sigurimit pensional invalidor të Kosovës, andaj kanë zbatuar disa modele që kanë qenë shumë të papërshtatshme për pensionistët kosovarë", tha ai.
Ndryshe pensionistët kontribut-dhënës, sot marrin nga 140 euro në muaj, derisa pensionistët e moshës, nga 80 euro në muaj.
"Që në fillim, shëpërndarja e penisoneve është bërë në mënyrë lineare dhe është dhënë si ndihmë sociale, e jo si e drejtë e fituar me punë. Pensionet aktuale prej 140 eurosh janë diku rreth 27 për qind nga mesatarja e pagës në Kosovë. 140 euro janë shumë pak apo më pak se 30 për qind që duhet të jetë si bazë e kunatifikimeve të pensioneve në të ardhmen", ka shtuar Berisha.
Ilmi Cakolli, ka folur për jetën e tij si pensionist. Ai ka bërë të ditur se shuma prej 140 eurosh sa ai merr si pension janë të pamjaftueshme.
"Vështirësitë e pensionistëve i dijnë edhe fëmijët. As për barna s’na dalin. Po me e pasë edhe një person të sëmurë në shtëpi, është e pamundur me ia dalë, e ku është ushqimi, e gjërat tjera elementare. Udhëheqësve tanë nuk po ju intereson. Po ju duket mjaft shuma prej 140 eurosh për neve. E që unë kam punuar 40 vjet, kjo nuk i intereson askujt".
Edhe Feriz Ahmeti , 75-vjeçar, thotë se pensioni që ai merr, është i pamjaftueshëm edhe për gjërat më elementare për një jetë normale.
"Ne kemi mbetur shumë keq. Nuk na mjafton pensioni as për një javë. Pensioni nuk më mjafton as për barnat që i blej, dy herë në muaj blej barna nga 18 euro, edhe obligimet komunale i paguaj, edhe asgjë nuk më mbetet për ushqim".
Sidoqoftë hulumtimi i bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me të moshuarit në Kosovë, dëshmon për një nivel të lartë të varfërisë së vetë-perceptuar në mesin e njerëzve të moshuar rreth 50 për qind, si dhe për paraqitje të lartë të sëmundjeve kronike, ku rreth 80 për qind e njerëzve të moshuar raportuan të paktën një sëmundje kronike.
Ndryshe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave të moshës mbi 65 vjet, përkatësisht moshës së tretë në botë, është dyfishuar që nga viti 1980, ndërsa pritet që deri në vitin 2050 numri i personave mbi 65 vjet të tejkalojë numrin e fëmijëve deri në 14 vjet.