Ndërlidhjet

Nëntë mujori i parë i këtij viti, me 30 fëmijë të braktisur


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë , gjatë muajve janar- shtator të vitit 2014, kanë qenë gjithsej 30 fëmijë të braktisur nga prindërit.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale.

"Në bazë të raportit nga qendra për punë sociale në nëntë mujorin ekëtij viti janë braktisur 30 fëmijë. Këto janë të dhënat që janë ardhur në ministrinë e punës dhe mirëqenies social"e.

"Ndryshe në vitin 2013, janë evidentuar 52 raste të fëmijëve të braktisur, derisa janë bartur në vitin paraprak 77 raste të fëmijëve të braktisur", është shprehur Behxhet Gaxhiqi, zyrtar për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Zoti Gaxhiqi gjithashtu ka treguar shifrat e fëmijëve në kujdestari dhe atyre që janë kthyer në familjet biologjike, apo janë marrë në strehim familjar.

"Në vitin 2014, në kujdestari kanë qenë 1285 fëmijë, ku 1161 janë bartur, poashtu kanë qenë edhe 124 raste të reja. Në familje biologjike kanë shkuar 14 fëmijë. Strehim familjar brenda farefisit kanë pasur 629 fëmijë, ndër ta 575 të bartur dhe 54 raste të reja"

"Strehim familjar jashtë familjes 106 fëmijë , ndër ta 59 të bartur dhe 47 raste të reja.Strehim në SOS fshatin e fëmijëve 40 fëmijë , 23 të bartur , 17 raste të reja. Strehim në SOS nëna 52 fëmijë, 50 të bartur 2 raste të reja", ka shtuar ai.

Ndërkaq Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të OJQ-vë për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka sqaruar rreth procedurave të adoptimit se sa janë ato të gjata, pas hulumtimit të bërë rreth kësaj çështje.

"Pas 21 ditëve të qëndrimit në spital fëmijët e braktisurdërgohen në strehim familjar,në familje strehuese për fëmijët e braktisur,apo edhe në strehim rezidencial që tek ne është në SOS fshatrat e fëmijëve".

"Kjo zgjatë deri në zgjidhjen e statusit të tyre. Sipas hulumtimit tonë procedurat e adoptimit kanë rezultuar të gjata , pasi që shumë fëmijë rrinë me status të pazgjidhur për shkak të rrethanave të ndryshme, qofshin ato familjare, si vërtetimi i atësisë e ADN-së, e që analiza e ADN-së nuk mund të bëhet në Kosovë".

Zonja Kelmendi thotë se fëmijët me nevoja të veçanta,janë ata që më pak adoptohen nga shtetasit e Kosovës, por këta fëmijë i adoptojnë më shumë ndërkombëtarët.

"Rasteve me specifike ju zgjaten procedurat e adoptimit. Janë fëmijët e braktisur me nevoja të veçanta, dhe ata fëmijë rrinë më gjatë në listën e pritjes, derisa më shumë ata fëmijë shkojnë tek ndërkombëtarët në adoptim", ka shtuar ajo.

Ndryshe gjatë këtij viti janë adoptuargjithsej tre fëmijë nga ndërkombëtarët.

Sidoqoftë, psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.

Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria e foshnjeve është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG