Përderisa partnerët e koalicionit për formimin e qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po bisedojnë për ndarjen e resorëve dhe për përcaktimin e programit qeverisës, Lista Serbe, është duke pritur ftesën e tyre për pjesëmarrjen e saj në qeverinë re.
Kryetari i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë, që ky subjekt i ka kushtet e saj pjesëmarrje në bashkëqeverisje, të cilat sipas tij kanë bazë reale.
“Ne tash po e presim ftesën nga ta që Lista Serbe t’i bashkëngjitet bisedimeve për pjesëmarrjen e saj në qeveri. Nëse ne do ta marrim atë ftesë, Lista Serbe gjithsesi se do t’i përgjigjet. Do të bisedojmë për kushtet, për të cilat në gjashtë muajt e fundit kemi folur dhe ato janë të njohura”, ka theksuar Jabllanoviq.
Kushtet e Listës Serbe, sipas Jabllanoviqit, që nga fillimi kanë qenë: formimi i Asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe, të mundësohet kthimi i pronës së Kishës Ortodokse Serbe, kthimi i serbëve të zhvendosur në pronat e tyre, si dhe të anulohet privatizimi i ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët.
Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se pozicioni i serbëve është dobësuar dhe ai nuk beson se serbët do ta marrin pozitën e ngjashme, të cilën kjo bashkësi e ka pasur në mandatin e kaluar.
Kjo, për shkakun se sipas tij, Lista Serbe, gjatë gjashtë muajve të kaluar ka qëndruar anash dhe nuk është përfshirë me kohë dhe në mënyrë aktive në formimin e qeverisë dhe të shumicës parlamentare.
Megjithatë, ai vlerëson se Lista Serbe duhet të parashtroj kushte për formimin e qeverisë, por kushtet e tilla, sipas tij, duhet të jenë reale, sepse në të kundërtën do ta dobësojnë edhe më tej pozicionin e saj.
“Mendoj se deklaratat e fundit nga ana e Listës Serbe për kushtet, janë të papranueshme dhe sidomos janë jo objektive për arsyen e thjeshtë sepse disa anëtarë të Listës Serbe, të cilët janë sot deputet në Kuvendin e Kosovës, kanë marrë pjesë në privatizim. Ndërkaq, tash kërkojnë anulimin e asaj që partneri i koalicionit ose partneri nga lista, me nënshkrimin e vet e ka verifikuar një gjë të tillë”, tha Nojkiq.
Ai ka theksuar se kushtet tjera të përmendura nga Lista Serbe kanë bazë reale.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Dren Doli, nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesa e madhe e kërkesave të Listës Serbe janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.
Por, sipas tij, vendosja e kushteve është arsyetim për përfshirjen e saj në qeverinë e re të vendit, si dhe për realizimin e qëllimeve të tjera.
“Kurse, qëllimi themelor i kësaj liste është që të tentoj që ta menaxhoj dhe unifikoj lidershipin serb dhe ta lidhë këtë lidership edhe më tutje me objektivat e politikës së jashtme të Serbisë”, theksoi Doli.
Ndryshe, lideri i Listës Serbe, Jabllanoviq ka theksuar se konsultat e vazhdueshme të Listës Serbe me Beogradin zyrtar, nuk do të krijojë pengesa, për shkak se Beogradi zyrtar është palë e nevojshme në procesin e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve.
Një gjë të tillë, sipas tij, e kanë identifikuar faktorët ndërkombëtarë, por edhe autoritetet e Kosovës.
Në të kundërtën, ka theksuar ai, bisedimet do të zhvilloheshin vetëm ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe serbëve lokalë.