Edhe pse në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka krimba, brejtës e insekte të tjera, dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi (DDD) nuk është bërë anjëherë këtë vit në këto klinika.
Kjo për shkak të procedurave tenderuese.
Ibrahim Tershnjaku inspektor sanitar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë marrë informata nga punëtorët e institutit onkologjik se kanë vërshuar një numër i madh krimbash në këtë institutcion.
"Pas marrjes së informatës nga ana e punëtorëve të onkologjisë se në këtë institut kanë qenë një numër shumë i madh i krimbave, ka qenë shqetësues fakti për organet e inspektoratit, por edhe vetë punëtorët dhe pacientët që trajtohen në atë klinikë".
"Për neve është shqetësuese në qoftë se organet e inspektoratit sanitar nuk marrin masa në kuadër të kompetencave të tyre, por përgjegjësia më e madhe ligjore është e vetë drejtuesve të Qendrës Klinike Universitare. Aty duhet të kryhet shumë shpejtë dezinfektimi, dezinsektimi dhe dezinfektimi i kësaj klinike. Prandaj jo vetëm për institutin e onkologjisë por ne si inspektorat kemi dhënë urdhëresën që të kryhet (DDD) për të gjithë QKUK-në dhe gjitha spitalet tjera rajonale", ka shtuar Tërshnjaku.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se institutcionet shëndetësore duhet të bëjnë kërkesë nga vetë menaxherët e këtyre klinikave në rast nevojë për tu kryer DDD-ja, derisa ka shtuar se një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.
"Njëra ndër masat parandaluese për infeksionet introhospitalore pos tjerash është edhe DDD-ja, por dezinfektimi si njëra ndër masat më efikase është i mundur çdo herë".
"Institutcionet spitalore nuk janë vetëdijësuar ende që të bëjnë dezinfektimin programor, dhe kërkohet nga Instituti Kombëtar. IKSHP nuk e bën dezinfektimin masovik në rastet e parandalimit dhe marrjen e masave në institutcionet shëndetësore, por është obligim i vetë këtyre institutcioneve".
"Instituti Kombëtar bën dezinfektimim, dezinsektimim dhe dezinfektimin në rast të shpërthimit të epidemive dhe marrjes së masave në vatër. Ky është dallimi që institutcionet shëndetësore po kërkojnë pa dashje duke i ikur organizimeve të tyre duke kërkuar shërbime të gatshme nga Instituti Kombëtar", është shprehur Ramadani.
E zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , Shpend Fazliu ka thënë se këtë vit nuk është kryer asnjëherë DDD-ja nëpër klinika, derisa ka shtuar se janë të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë klinikat në kryerjen e punës së tyre.
"Dezinfektimi, Deratizimi dhe Dezinsektimi, do të fillojë të realizohet shumë shpejtë".
"Jemi të vetëdijshëm që kanë pasur klinikat në kryerjen e punës së tyre dhe shpresojmë dhe besojmë që do të kryhen që të gjitha përnjëherë e që është hera e parë që po kryhet përnjëherë në të gjitha klinikat e QKUK së, e që po bëhet për herë të parë pas një periudhe shumë të gjatë", ka shtuar Fazliu.
E zoti Tërshnjaku ka shtuar se në klinikat brenda QKUK –së është më se e nevojshme DDD-ja për parandalimin e infeksioneve intrahospitalore.
"Në QKUK kemi brejtës, insekte sepse objektet janë të vjetra dhe si masë për eliminimin ose mos përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe mos përhapjen e infeksioneve intrahospitalore është obligative dhe shumë urgjente që të kryhet DDD-ja sa më shpejtë. Për këtë vit nuk është kryer asnjëherë".
"Ne kemi kërkuar vazhdimisht të bëhet një gjë e tillë, por menagjmenti arsyehtohet me procedurat e tenderit", ka thënë Tërshnjaku.
Sidoqoftë për këtë vit, për t'u kryer Dezinfektimi, Deratizimi dhe Dezinsektimi janë ndarë 60 mijë euro, derisa për tre vitet e ardhshme është praparë të shpenzohen rreth 300 mijë euro për këtë shërbim.