Një hulumtim i bërë nga Instituti “Riinvest”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, alarmon për gjendjen ekonomike në Kosovë.
Të dhënat e publikuara në këtë raport, tregojnë se sektori privat si gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror është në gjendje kritike, pikërisht për shkak të klimës së pafavorshme afariste.
Janë identifikuar 23 barriera në të bërit biznes në Kosovë. Këtyre barrierave iu prin kostoja e lartë e financimit të bizneseve, niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e përkrahjes shtetërore si dhe konkurrenca jo fer, e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe informaliteti.
Sipas anketës, rreth 44 për qind e bizneseve në Kosovë të gjatë katër viteve të fundit kanë shënuar rënie, vetëm 27 për qind e bizneseve kanë shënuar rritje dhe pjesa tjetër e bizneseve kanë stagnuar.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinevst, Lumir Abdixhiku, duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve ekonomike në Kosovë, ka theksuar se me trendin e tanishëm ekonomik vendit do t’i duhen edhe pesë dekada për të arritur një rritje ekonomike evropiane.
“Nuk ka dyshim që ekonomia e vendit tonë sipas gjithë treguesve të saj makroekonomik nuk po arrin të marrë vetën, dhe nuk ka asnjë dyshim që ky stagnim i ynë ekonomik po buron nga një nën performancë e sektorit privat. Kosova ka një intensitet shumë të ulët të krijimit të bizneseve të reja dhe në shumicën e rasteve këto biznese të reja dështojnë dhe mbyllen shumë shpejt”, thekson Abdixhiku.
Klimës së rëndë biznesore në Kosovë, ka shtuar Abdixhiku, nuk i ka kontribuar aspak situata e fundit politike dhe relacioni në mos formimin i institucioneve të reja, për gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve.
Të shqetësuar për situatën politike në Kosovë janë shprehur edhe përfaqësuesit e zyrës së Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore.
Ata kanë kërkuar nga liderët politik që të kalojnë këtë situatë, pasi që jostabiliteti politik, po ndikon negativisht në zhvillimet ekonomike në Kosovë, në veçanti në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.
Përfaqësues të partive politike në Kosovë, pjesëmarrës në këtë konferencë, janë pajtuar me atë se ambienti afarist në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruar.
Ata kanë theksuar se gjetjet në këtë hulumtim duhet dhe mund të përdoren nga Institucionet e Kosovës. Bizneset kanë thënë ata duhet të kenë vëmendjen e institucioneve dhe bizneset nuk duhet parë vetëm si kontribuues të buxhetit të vendit, por të përkrahen.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e bizneseve private kanë hedhur një varg kritika në adresë të institucioneve të Kosovës.
Gazmend Abrashi nga Exlusive Group, ka theksuar se Kosova ka shënuar ngecje në të bërit biznes. Ai ka kujtuar projektin e Termocentralit “Kosova e re”, i cili tani e 10 vite ka mbetur i pa finalizuar.
“Për të hapur një fabrikë bëhet një studim dhe shikohet a ka ky produkt blerës, ky është parakusht themelor a bëhet një investim a jo, pa marrë parasysh a është investim i huaj a vendor. E gjithë Kosova e din që ne kemi nevojë për energji elektrike pasi që nevojat janë dyfishuar në krahasim me atë që e kemi ofertën. Kanë kaluar 10 vjet dhe ne ende merremi me atë se sa duhet prodhuar, 600 megavat, 1 mijë apo 2 mijë megavat”, vlerëson Abrashi.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës, thekson se vetëm bizneset të cilat janë të lidhura ngushtë me qeverinë, mund të jenë të suksesshme.
“Lehtë bëhet biznes në Kosovë kur je i lidhur me qeverinë, sa i përket arkave fiskale aty ka shkuar deri të kriminalizimi, sa i përket bankave, bankat në Kosovë me normë të kredive deri në 15 për qind janë duke bërë plaçkitje ndaj bizneseve”, thotë Berjani.
Hulumtimi i Institutit Riinvest sugjeron që Banka Qendrore e Kosovës duhet t’i lehtësojë kriteret për licencim të bankave komerciale, pasi që në këtë mënyrë do të rritet konkurrenca dhe do ulen normat e interesit.
Tek evazioni fiskal dhe informaliteti rekomandohet që qeveria ta bën më efikas inspektoratin si dhe të ketë një trup financiar policor,i cili ekskluzivisht merret me evazionin fiskal.
Dhe në fund të hulumtimit, rekomandohet që të rritet ndëshkimi për ato biznese që nuk iu përgjigjen obligimeve të veta.