Ndërlidhjet

Përplasja e kryeministrave nuk është incident


Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Përplasja për çështjen e Kosovës, ndërmjet dy kryeministrave, të Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, në konferencën për medie në Beograd, në kuadër të vizitës në Serbi të kryeministrit shqiptar, nuk mund të quhet incident, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Deklarata e kryeministrit shqiptar Rama se “Kosova e pavarur është realitet i pandryshueshëm dhe i pamohueshëm”, e cila u mor si “provokim i rëndë” nga kryeministri serb, Vuçiq, sipas analistëve politik, nuk është e ndryshme nga ajo e politikanëve botëror, që gjithashtu e kanë thënë në Beograd, më parë.

Analisti Ismail Hasani, vlerëson se kryeministri shqiptar, Rama, nuk e ka shqiptuar asnjë fjalë provokuese për lidershipin serb.

Sipas tij, kryeministri shqiptarë e ka thënë një të vërtetë, të cilën, deri më tash, 108 shtete të globit e kanë konsumuar dhe të cilën, siç thotë ai, e di edhe kryeministri serb, Vuçiq.

“Nuk e kualifikoj incident. Ka ndodhë ajo, me të cilën edhe lidershipi serb është përballur edhe në takimin e Berlinit. Ndërsa, reagimi (i Vuçiqit), heja e kufjeve ose përplasja që mund të përshkruhet si incident, hyn në sfondin e reagimeve temperamente të liderëve ballkanik, të cilët, fatkeqësisht, edhe më tutje nuk po arrijnë të shërohen prej ndjenjës së vogëlsisë”, thotë Hasani.

Opinionisti Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ka qenë e ngjashme me deklaratat e liderëve të ndryshëm botëror që kanë vizituar Beogradin.

Por, sipas tij, nga autoritetet e Beogradit nuk ka qenë e mirëpritur kur një deklaratë të ngjashme e ka thënë edhe kryeministri shqiptar, Rama.

“Ai nuk ka thënë ndonjë gjë tjetër e që nuk e ka thënë për shembull zëvendës presidenti Biden ose kancelaria Merkel, mirëpo Beogradi e ka të vështirë, sidomos, kur këto deklarata vijnë nga liderët shqiptarë dhe edhe një herë treguan që janë shumë prapa njohjes së realitetit dhe shikimit përpara, ashtu siç edhe tha kryeministri Rama, si dhe ta shohin këtë realitet si një mundësi për të ecur përpara dhe për t’i harruar ato që kanë ndodhur në të kaluarën”, thekson Ibrahimi.

Edhe Dushan Janjiq, analist i çështjeve politike nga Serbia, vlerëson se përplasja e kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, është një incident i vogël, i cili sipas tij, madje nuk duhet konsideruar as si incident.

Siç thotë ai, Shqipëria e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është normale që lobon për njohjen e plotë ndërkombëtare të saj.

Në anë tjetër, sipas tij, kryeministri serb, Vuçiq, vetëm e ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të qeverisë së Serbisë se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Është e padiskutueshme që Serbia dhe Shqipëria nuk pajtohen lidhur me çështjen e Kosovës dhe rregullat thonë se për çështjet, për të cilat nuk pajtohemi, thjeshtë, rreth tyre edhe nuk pajtohemi. Nga kjo pikëpamje, ky incident edhe nuk është ndonjë incident i madh dhe padyshim ai është menduar për nevojat e brendshme të kryeministrit Vuçiq”, thekson Janjiq.

Megjithëkëtë, sipas njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, përplasja e kryeministrave të Serbisë dhe Shqipërisë, nuk e prish agjendën e takimit të fundit të liderëve ballkanik në Berlinit, ku është arritur pajtimi që shtetet e veçanta në Ballkan duhet të jenë në të ardhmen kontribuues për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, për aq sa është e mundur.

Kjo, sipas tyre, është parakusht për t’iu hapur dyert në Bashkimin Evropian dhe integrimet tjera euro-atlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG