Zyrtarë në Doganat e Kosovës kanë deklaruar disa herë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre është shumë e vogël, derisa vlera e tyre është e madhe.
Por, përfaqësues nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale kanë deklaruar se edhe përkundër asaj se inspektimet në teren janë shtuar në masë të madhe, mungesa e inspektorëve është evidente.
Si rrjedhojë në tregun farmaceutik vazhdon të ketë barna të kontrabanduara.
Në Kosovë janë gjithsej 530 barnatore të licensuara, derisa për këtë territor janë gjithësej 10 inspektorë. Kështu ka thënë inspektori farmaceutik Bashkim Sadiku.
“Numri i inspektorëve është tepër i vogël krahasuar me volumin e punës që duhet kryer, si dhe me numrin e barnatoreve , depove faramceutike , prodhuesve, doganës si dhe bashkëpunimin me policinë , njësinë e krimeve ekonomike".
"Janë 10 inspektorë gjithsej, derisa 8 prej tyre janë aktiv, për gjithë Kosovën. Janë 530 barnatore të licensuara në gjithë Kosovën, derisa janë 170 depo farmaceutike dhe janë dy prodhues farmaceutik vendor”.
Ai githashtu ka shtuar se për një punë efikase do të duhej të ngritej për 100 për qind numri i inspektorëve.
“Për një punë më efikase do duhej minimum të jenë 20 inspektorë, derisa inspektorati punon deri në orën 16:00, por për shkak të volumit të punës gjithmonë punohet edhe pas orarit.
Në mungesë të buxhetit nuk është e mundur të rritet numri i inspektorëve edhe pas kërkesës së vazhdueshme", është shprehur zoti Sadiku.
Por ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Arianit Jakupi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institutucioni që ai udhëheq është përkushtuar në vazhdimësi që të sigurojë barna cilësore, derisa ka shtuar se ilaqet e kontrabanduara , pas inspektimeve sanksionohen dhe tërhiqen nga tregu.
“Ne si institutcion do të sigurojmë që barnat të jenë cilësore, dhe kjo do të jetë një shtytje e mëtejmë që ta vazhdojmë aksionin tonë.Kemi edhe statistikat e importit për të cilat është parë se ka rreth 100 lëndë, në muajt të cilat bëjnë kërkesa të importit. Pra kemi një rritje masive të importeve të rregullta në Kosovë dhe këtë e ka ndihmuar edhe legjislacioni i ri farmaceutik".
"Përveç kësaj kemi bërë edhe udhëzimin administrativ për barnat të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë por janë të nevojshme për popullatën, në mënyrë që ata të kenë çasje në barnat që janë të nevojshme për shëndetin e tyre. Barnat që hyjnë ilegalisht sanksionohen dhe prandaj lëshohen vendime të tilla, pasi që AKPM obligon distributorët që menjëherë të bëj tërheqjen e produkteve nga tregu i Kosovës”, thotë Jakupi.
Sidoqoftë mungesa e zbatimit të ligjit në veri të vendit dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës me Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, pohojnë vetë zyrtarë institucional.