Ndërlidhjet

Raporti i Progresit - lëvdata dhe kritika


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar u ka dorëzuar raportin e progresit presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit në largim, Hashim Thaçi.

Në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian, mes tjerash, autoritetet në Kosovë janë kritikuar për “dështimin në konstituimin e Parlamentin të ri me kohë”, duke e cilësuar këtë si një “kthim prapa”.

Samuel Zbogar, ka vlerësuar me këtë rast se Raporti i Progresit është pozitiv dhe vlerëson përmbylljen e suksesshme të procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Zbogar ka komentuar edhe situatën politike aktuale në Kosovë duke kritikuar partitë politike për zvarritjen e krijuar.

"Katër muaj pas zgjedhjeve të suksesshme, vendi është në rrugë pa krye. Shihet stagnim i qartë në mundësinë apo gatishmërinë e elitës politike për të zgjidhur problemet".

"Kosova tashmë po ndjen pasojat e vonesës në formimin e institucioneve dhe ekziston një numër i madh çështjesh në të cilat ka për të punuar Kuvendi dhe Qeveria. Pra, duke paraqitur këtë raport dhe progresin e vitit të kaluar, apeloj te liderët tuaj që të vënë në rend të parë interesat e Kosovës dhe qytetarët e saj dhe të gjejnë një rrugë përpara”, ka shtuar tutje zyrtari i BE-së.

Në anën tjetër, sipas një komunikate për media, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka mirëpritur këtë Raport, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që sfidat e identifikuara të adresohen me seriozitetin më të lartë nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se institucionet e reja me urgjencë duhet të jetësojnë përkushtimin për reforma dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara në Raportin e fundit të progresit.

Po ashtu, Jahjaga ka mirëpritur edhe gatishmërinë e Komisionit Evropian për të ndihmuar Kosovën në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në dhe për të intensifikuar dialogun me Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, që udhëhiqet nga Presidentja e Kosovës.

Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi e ka mirëpritur Raportin e Komisionit Evropian ku është konfirmuar përmbyllja e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi dhe ku është vlerësuar progresi i deritashëm në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Kemi filluar procesin zyrtar që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian”, është shprehur Thaçi.

“Tani kemi hyrë në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave dhe dëshiroj të shpreh fuqimisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar të gjitha rekomandimet e mbetura, brenda disa muajve të ardhshëm”, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës.

Ndërkohë, ekspertë të çështjeve integruese evropiane kanë vlerësuar se raporti i sivjetmë, ka vetëm një pjesë pozitive, ku flitet për organizim të zgjedhjeve të suksesshme dhe dialogun me Serbinë.

Ndërkaq si ngecje dhe sfida, mbetet tejkalimi i krizës politike për formimin e institucioneve të reja e sidomos ka kritika në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas analistëve, përkundër deklaratave publike dhe strategjive të shumta, Kosova nuk ka dëshmuar rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe sistemi gjyqësor, konsiderohet se nuk është i pavarur dhe funksional, çka edhe është adresuar në raportin e progresit.

Përndryshe, Komisioni Evropian publikon raporte vjetore për vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar në to arritjet dhe detyrimet që kanë këto vende në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

“Qeveria e re duhet të fillojë një gamë të gjerë reformash gjithëpërfshirëse, posaçërisht reformën zgjedhore dhe atë të administratës publike. Qytetarët e Kosovës presin të kenë qasje në medie të lira dhe që nuk do të përballen me diskriminim pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare a etnike".

"Për të pasur sukses, Kosovës i duhet një qeveri, jo vetëm e orientuar drejt reformave, por e cila po ashtu do të mbështesë bisedimet me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura jo vetëm në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport.

Në të është përmendur edhe çështja e liberalizimit të vizave në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës, dhe ndonëse vlerësohen përparimet në dialogun e zhvilluar në këtë drejtim, nga autoritetet është kërkuar të dëshmojnë “rezultatet praktike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zhvillojnë më tej pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG