Ndërlidhjet

Gërmime në Batajnicë, dyshime edhe për varreza tjera


Foto nga arkivi, Rudnicë
Foto nga arkivi, Rudnicë

Prokuroria e Serbisë për krime lufte ka nxjerr urdhëresën për hulumtime të reja në një lokalitet në Batajnicë të Serbisë, në afërsi të varrezës masive, në të cilën më herët ishin gjetur 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të varrosur në grup.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bruno Vekariq, zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë.

Ai ka theksuar se pas disa hetimeve, komunikimit me dëshmitarë, si dhe me misionin EULEX, është arritur te supozimet se mund të gjenden edhe disa mbetje mortore në Batajnicë, në afërsi të varrezës masive, ku ishte gërmuar më parë.

“Kjo është saktësisht afër lokalitetit ku janë bërë gërmimet dhe ku më herët janë gjetur 900 trupa. Kjo është konkretisht në vendin ku ka qenë tenda për obduksion, në momentin kur bëheshin gërmimet e kaluara. Kështu që, ajo pjesë nuk ka qenë e përfshirë atëherë në hulumtime dhe tash këtë do ta verifikojmë”, ka thënë Vekariq.

Zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë, ka shtuar se urdhri i prokurorisë është veprimi i parë dhe më pas, kjo çështje do të kaloj edhe te Grupi i përbashkët për të pagjeturit, i cili përbëhet nga delegacionet e Serbisë dhe Kosovës.

Punimet në Batajnicë, siç ka thënë Vekariq, do të nisin varësisht nga rrethanat dhe atëherë kur të sigurohen makineritë për një gjë të tillë.

Ndryshe, vendimi i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte, por edhe deklaratat e zëvendës prokurorit të kësaj prokurorie, tre ditë pasi që drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se varreza në Rudnicë të Rashkës, ku së fundmi janë bërë gërmimet, nuk është varreza e fundit masive në Serbi.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë për Radion Evropa e Lirë se ky komision ka pasur idenë për të kërkuar rivlerësime në lokacionin e Batajnicës, për shkak se, sipas tij, nuk ishte hulumtuar dhe verifikuar i gjithë terreni i dyshuar.

Ai e ka vlerësuar si pozitive nismën e prokurorisë serbe për krime lufte, e cila ka dhënë urdhëresën për një hetim shtesë në Batajnicë.

“Ne e kemi pasur në plan për të kërkuar një rivlerësim. Megjithatë, pa marrë parasysh, është për tu përshëndetur një kërkesë për një rivlerësim ose një verifikim, sepse njerëzit mungojnë dhe ata diku janë. Mbase autoritetet serbe e dinë ku janë dhe ku gjenden varrezat masive. Sigurisht se prokurori Vukçeviq ka marrë një vendim në bazë të ndonjë informacioni me të cilin disponon, sepse është më afër mundësisë dhe burimit të informatave”, tha Gjetaj.

Gjetaj po ashtu pa shtuar se ekzistojnë informacione të cilat japin dyshime edhe për varreza tjera masive në Serbi.

Ai theksoi se me 31 maj të vitit të kaluar, pala e Kosovës ka bërë kërkesën për hulumtimin e lokacioneve në Rudnicë të Rashkës.

Sipas tij, deri më tash është gërmuar një lokacion, i cili ka rezultuar si varrezë masive. Por, sipas tij, janë edhe dy lokacione të tjera në Rashkë, për të cilat është kërkuar që të hulumtohen. Po ashtu, ai ka pohuar se ekzistojnë edhe informata për një varrezë të mundshme masive në territorin e Novi Pazarit.

“Edhe për Novi Pazar kemi informacione të ndryshme rreth mundësisë së një varreze apo varrezave masive me trupat e varrosur gjatë periudhës së luftës, si viktima. Jemi në faza të mbledhjes së informacioneve. Se sa janë të vërteta dhe sa nuk janë, sa janë të besueshme atë nuk mund ta përcaktojmë. Mirëpo, ende nuk kemi ndonjë lokacion të përkufizuar saktë, Kështu që, kur i verifikojmë dhe i përpunojmë të dhënat dhe informatat, atëherë e bëjmë kërkesën zyrtare”, u shpreh Gjetaj.

Në anën tjetër, Vekariq, nuk ka dashur të komentojë, por edhe nuk ka hedhur poshtë mundësinë e ekzistimit të varrezave të tjera masive në Serbi, përfshirë edhe dyshimet për varreza masive në lokacione tjera në Rashkë dhe në Novi Pazar.

Ai gjithashtu, ka theksuar se po kontrollohen dhe përpunohen informacionet dhe dyshimet për disa varreza masive.

“Kemi lokalitete edhe në Kosovë. Po, nëse flasim për këtë. Por, në atë moment që ne hyjmë procesin konkret të punës, siç është edhe urdhëresa për hetim, sikurse në rastin e tanishëm (për Batajnicën), atëherë mund ta komentoj një gjë të tillë. Deri atëherë, ne jemi duke verifikuar informacionet në një mënyrë tjetër dhe në momentin që do të marrim diçka konkrete që do ta shndërronim në gërmime, atëherë këtë edhe do ta publikojmë”, theksoi Vekariq.

Ndryshe, sipas të dhënave të Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës, mbeten ende 1 mijë e 675 persona të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, 15 vjet më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG