Ndërlidhjet

A është e shtrenjtë jeta e një studenti?


Ilustrim
Ilustrim

Ky vit akademik do të nisë për rreth 50 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, në fillim të tetorit. Studentët, që do të vazhdojnë studimet, por edhe ata që do të fillojnë vitin e parë, flasin për rubrikën tonë të përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë për koston e studimeve.

Mimoza Ibrahimi, studente në Fakultetin Ekonomik , është nga Malisheva. Ajo nuk punon dhe tregon për mënyrën e financimit dhe vështirësitë me të cilat përballet.

Unë nuk punoj. Prindërit më ndihmojnë financiarisht. Çdo ulje e çmimit për studentët është lehtësim i madh për ne. Nuk është e lehtë të kërkosh të holla nga prindërit, e sidomos kur bëhet fjalë për një shumë më të madhe mujore”, thotë Mimoza.

Edhe Lulzim Krasniqi, student i vitit të dytë në Fakultetin Arteve, i konsideron të shtrenjta studimet dhe jetën prej studenti meqë nuk punon.

“Papunësia është shumë e madhe dhe rinia është shumë pak e punësuar. Prandaj, normalisht që studimet janë të shtrenjta, sepse varemi nga dikush tjetër. Ne nuk gjejmë punë”, pohon Lulzimi.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00
Shkarkoje

Për jetën studentore se me çfarë sfidash përballen, na flet edhe Alban Morina:

Për literaturë nuk është edhe shumë problem. Tash po janë edhe fotokopjet edhe po i fotokopjojmë librat, po i shfrytëzojmë krejt fotokopjet. Por, ka profesorë që i kërkojnë librat e vet edhe ato duhet t’i paguajmë nga 15 euro për shembull. E, në një familje ku janë 2 apo 3 studentë, për familjen është ngarkesë e madhe”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës këtë vit për zvogëlimin e pagesës për 50 për qind të semestrit për mbi 53 mijë studentet të nivelit bachelor dhe master, në të gjitha universitet publike në Kosovë, është lajm i mirë dhe lehtësim për vazhdimin e studimeve.

Deri më tani studentët e nivelit bachelor kanë paguar semestrin 50 euro, apo 100 euro në vit, ndërkaq ata të nivelit master 300 euro semestrin, apo 600 euro në vit.

Adelina Mustafa, e cila i ka përfunduar studimet, thotë se jeta e një studenti nuk është e shtrenjtë, ndonëse studimet e saj i ka financuar familja.

“Mendoj se universitetet publike, por edhe ato private, janë në rregull me çmime. Unë i kam përfunduar studimet këtë vit. Më kanë financuar familja, nuk kam punuar!”, shprehet Adelina.

Viciana Sylejmani, e cila do të fillojë vitin e parë në Fakultetin Ekonomik thotë se në Kosovë ka paragjykime për femrat e reja që punojnë.

“Ndoshta semestri nuk është edhe shtrenjtë, por njerëzit që udhëtojnë nga vendet e tjera të Kosovës, bëjnë shpenzime. Unë nuk punoj. Mendoj se edhe kur punojnë të rinjtë, njerëzit paksa gjykojnë , pasi që thonë se shih se si punon kaq i ri, ose po punon këtu, po punon aty!”, thekson ajo duke përmendur edhe një problem tjetër të shoqërisë sonë.

Diellza Mustafa jep një mendim pak më ndryshe nga të anketuarit:

“Varet, sa i përket kushteve ekonomike të një familje, dhe sa kanë mundësi t’i shkollojnë fëmijët. Por, nëse krahasohet me vendet e Evropës e më larg, është shumë më lirë në Kosovë. Mendoj se jashtë Kosovës studentët edhe studiojnë edhe punojnë. Jashtë vendit më shumë kryejnë zanate, jo vetëm fakultete. Derisa te ne të gjithë po duan të studiojnë”.

Por, ka edhe të atillë që edhe pse i kanë pasur kushtet, nuk kanë dashur të studiojnë. Ky është Halil Rrahmani, i cili thotë se është orientuar që të punojë:

“Unë nuk studioj. Mendoj se në Universitetin Publik nuk është shtrenjtë, por unë nuk kam dashur të studioj. Unë punoj. Tash e disa vjet punoj, dhe jam orientuar kështu. Punoj në lagjen Velania, në Luna parkun e fëmijëve”.

E, për studentët, të cilët banojnë në konviktet e Qendrës Studentore dhe ushqehen në mensë, nga ky vit do të ketë ulje të pagesës për 50 për qind.

XS
SM
MD
LG