Ndërlidhjet

Bashkësitë "e jashtëligjshme" fetare


Mungesa e një ligji i cili do t’i definonte dhe rregullonte pozitën ligjore të bashkësive fetare në Kosovë, ka prodhuar dhe po prodhon jo vetëm telashe praktike për bashkësitë fetare në vend, por edhe pasoja të tjera, të cilat mund të jenë të dëmshme për vet sigurinë e vendit, vlerësojnë përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe njohësit e ligjeve në Kosovë.

Resul Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se një ligj i cili e saktëson pozitën juridike të bashkësive fetare, është tejet i domosdoshëm.

Mungesa e ligjit të tillë, sipas tij, i ka krijuar telashe Bashkësisë Islame të Kosovës, madje, siç thotë ai, edhe për çështje që në vendet tjera do të konsiderohej banalitet.

Në mungesë të këtij ligji, bashkësia fetare nuk ka mundësi të regjistrohet. Ku të regjistrohet? Ju nuk e kemi një adresë, të cilin ligji do t’ua tregonte juve se ku duhet ju të regjistroheni. Prandaj, për rrjedhojë nuk kemi edhe një numër të regjistrimit dhe ai numër i regjistrimit ku regjistrohet bashkësia fetare, nevojitet për ta hapur një xhirollogari në cilëndo qoftë bankë të Kosovës. pa një numër të regjistrimit ju nuk mund ta hapni një xhirollogari, e cila do t'ju duhej për të vepruar dhe punuar si një institucion normal në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash Kisha katolike e Kosovës, në vazhdimësi ka pasur mirëkuptim ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës dhe ka pritur deri më tash për ligjin që saktëson pozitën e bashkësive fetare.

Por, sipas tij, tashmë mungesa e një ligji të tilla mund të sjellë edhe pasoja.

“Fjalën e kam sidomos për infiltrimin e sekteve këtu në Kosovë, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshme. Ndërsa, me miratimin e ligjit për fetë, duhet të bëhet ri-regjistrimi, sidomos i atyre grupeve që pretendojnë të themelojnë bashkësi të reja në Kosovë", thotë Don Shan Zefi.

"Sa i përket Kishës katolike dhe gjithashtu edhe Bashkësisë Islame dhe Kishës ortodokse, më pas bashkësive të hebrenjve dhe të protestantëve, ato duhet të konsiderohen si tradicionale, tashmë të njohura në Kosovë. Ato gjatë historisë e kanë dhënë provimin e tyre se nuk janë kundër popullit shqiptar”, shprehet ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë mundur të japin përgjigje, si dhe pikëpamjet e tyre lidhur me çështjen e mungesës së ligjit për saktësimin e pozitës së bashkësive fetare.

Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Kishës Katolike të Kosovës, theksojnë se kanë dhënë kontributin e tyre për hartimin e një projektligji për definimin e pozitës juridike të bashkësive fetare, të cilën e ka iniciuar Qeveria e Kosovës që në vitin 2012.

Por, projektligji i tillë ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Këtë e pohon edhe Arben Gashi, kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e kaluar.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ky projektligj nuk ka shkuar në komisionin që ai drejtonte.

“Jo nuk ka pasur. Në komisionin tim nuk ka ardhur asgjë e tillë”, thotë Gashi.

Ndryshe, lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë me përfaqësuesit e Qeverisë në largim të Kosovës, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Por, Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e vlerëson si të pashpjegueshëm faktin që bashkësitë fetare në Kosovë, tash e 15 vjet funksionojnë pa bazë ligjore.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky fakt është tepër shqetësues.

“Sepse, tash po shohim elemente radikale, elemente ekstremiste dhe elemente që po ndërlidhen me veprimtari të terrorizmit, të cilat mund ta kenë burimin pikërisht nga mungesa e një legjislacioni, i cili e bën një kontrollim më efikas të krejt veprimtarive të këtyre bashkësive, të çfarëdo lloj organizate, duke eliminuar mundësitë e financimit të dyshimtë të çfarëdo aktiviteti. Në këtë rast, kjo mungesë e bazës ligjore, ka bërë që në Kosovë të zhvillohen lloj-lloj veprimtari dhe aktivitetet që janë ndërmarrë në vazhdimësi, të mos kontrollohen, ashtu siç duhet, nga shteti”, thekson Musliu.

Në anën tjetër, Resul Rexhepi, thotë se në mungesë të ligjit për bashkësitë fetare, as Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka mundur dhe nuk mund të ushtrojë autoritetin e saj, ndaj personave të caktuar, të cilët vizitojnë objektet fetare që janë nën këtë bashkësi, por që sillen jashtë parimeve që ka përcaktuar vet Bashkësia Islame e Kosovës.

“Sa të ekzistojë vetëdija se ju nuk jeni të regjistruar, automatikisht ai mundet, si dhe nganjëherë edhe në mënyrë mos përfillëse, të veprojë”, thotë Rexhepi.

Pikërisht, telashe të ngjashme që i përmend Rexhepi, sipas Musliut janë mjaft prezente dhe u shkaktojnë mjaft probleme bashkësive fetare.

“Natyrisht që kjo mungesë e ligjit u shkakton probleme të mëdha edhe vet këtyre bashkësive. Por, tash, këtu kemi mungesë të vullnetit edhe nga ana e institucioneve, të cilat nuk e kanë rregulluar këtë fushë me norma të caktuara ligjore dhe,po ashtu, mungesë të vullneti nga ana e këtyre bashkësive për të bërë presion të vazhdueshëm që të krijohen norma ligjore, me të cilat do ta rregullonin veprimtarinë e vet”, bën të ditur ai.

Ndryshe, Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e sivjetmë për liritë fetare, ashtu sikurse edhe viteve të kaluara, ka nënvizuar mungesën e ligjit përkatës për definimin e pozitës juridike të bashkësive fetare në Kosovës.

Ndryshe, përfaqësuesit e bashkësive fetare kanë theksuar tashmë se një projektligj i tillë mbase edhe mund të jetë i përgatitur, por dërgimi i tij në Kuvendin e Kosovës do të varet nga qeveria e ardhshme e vendit.

­

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG