Ndërlidhjet

Pak biznese të fiskalizuara


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Me gjithë faktin se ka vjet që ka filluar procesi i fiskalizimit për bizneset e Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale.

Nga mbi 130 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri tash Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar 20.175, me gjithsejtë 25.970 pajisje të instaluara në këto biznese.

Valentina Bytyçi - Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë se procesi i fiskalizimit është proces permanentet, i cili ndërlidhet me hyrjen apo daljen e bizneseve në treg.

“Projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projektet që zbaton ATK-ja dhe jemi në rrugë të mirë të implementimit tij. Deri tash numri i bizneseve të fiskalizuara është rreth 20,175, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 25, 970 mijë sosh. Me këto arka fiskale, mbulohet mbi 90 për qind e bruto qarkullimit në Kosovë”, bën të ditur ajo.

Qëllimi i vendosjes së arkave fiskale, nga Administrata Tatimore e Kosovës është shmangia e evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në dyqan.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se në rend të parë duhet të vlerësohen efektet e vendosjes së arkave në të gjitha bizneset.

Naser Grajçevci, njohës i kësaj fushe, shprehet se disa biznese të vogla nuk kanë nevojë për vendosjen e këtyre arkave, pasi, sipas tij, nuk kanë mundësi t’i mbulojnë edhe shpenzimet e nevojshme për to.

“Mendoj se procesi i fiskalizmit është duke shkuar me ritme jo të shpejta, sepse ka nevojë për një edukim të bizneseve për nevojën e tyre. Arkat fiskale do të vijnë në përdorim nga nevojat e biznesit, jo shumë nga proceset administrative të futjes së tyre në biznes”, thotë Graiçevci për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, bizneset mundohen t’i “ikin” këtij procesi, pasi, sipas tyre, përveç çmimit të lartë që duhet të paguajnë për aparat fiskal, ata janë të detyruar që për çdo vit të paguajnë një shumë të mjeteve për mirëmbajtjen dhe kontrollin vjetor të tyre.

Fakti që më së shumti i shqetëson përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët për çështje ekonomike, është se në shumicën e rasteve ndërmarrjet e mëdha, konkretisht pikat e karburanteve të naftës, nuk janë të pajisura me aparate fiskale, të cilat po krijojnë pabarazi në treg.

Por, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës paralajmëron me kohë bizneset për obligimin e fiskalizimit sipas Ligjit për Administratën dhe Procedurat.

Në rast se bizneset nuk i bindën kërkesës, Valentina Bytyçi- Sefa, thotë se atëherë vendosen gjoba konform ligjiit në fuqi, me vlerë prej 1000 eurosh.

“Në rast se bizneset nuk pajisen dhe nuk i binden kërkesës, atëherë sigurisht se vendosen gjoba konform ligjit 03/L-222, përkatësisht nenit 57- Ndëshkimi Administrativ për mospërdorim të pajisjeve elektronike fiskale. Vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1000 euro. Dhe, sigurisht, këtu nuk përjashtohet mundësia e ndëshkimeve për bizneset, të cilat nuk janë fiskalizuar pavarësisht kërkesës së ATK-së për të bërë një gjë të tillë”, shpjegon Bytyçi – Sefa.

Autoritetet kompetente ndëshkojnë, po ashtu, bizneset edhe për moslëshim të kuponit fiskal, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, duke filluar nga, 125 deri në 1000 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG