Përcaktimi i koalicionit - Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën - që të rishikohen të gjitha vendimet që qeveria në largim i ka marrë, nga analistë të çështjeve politike konsiderohet veprim i logjikshëm, por, megjithatë ata thonë se qeveria e re mund të anulojë vetëm vendime që eventualisht janë bërë në mënyrë të paligjshme.
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se blloku LDK -AAK –Nisma, ka të drejtë që nëse e merr qeverinë t’i rishikojë vendimet e qeverisë në largim, por që këtë duhet ta bëjë në mënyrë transparente dhe pa interesa partiake.
“Unë vlerësoj që ka nevojë që qeveria e re t’i rishikojë shumë vendime sidomos të punësimeve të egra, por edhe të dhënies së tenderëve të kohës së fundit që janë në fakt vendime të shpejta të marra nga qeveria në detyrë, të cilat nëse dalin që janë marrë në mënyrë të paligjshme do të duhej të anuloheshin, por në një mënyrë transparente”, vlerëson Korencia.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma ka shprehur shqetësim për vendimet që qeveria në largim vazhdon t’i marrë, duke i quajtur si të dëmshme.
Avni Arifi, këshilltar i parë i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qeveria në largim që nga mesi i muajit qershor ka marrë vendime të tilla.
“Që nga mesi i qershorit qeveria në largim e vetëdijshme që do të ketë ndërrim qeveritar ka filluar një praktikë të çuditshme dhe të dëmshme të punës në institucionet e Kosovës me vendimet e saj. Ka orientuar resurset e saj te tenderimi i shpejtë për shumë rrugë, për shumë gjëra që favorizojnë qoftë njerëzit, qoftë bizneset e PDK-së".
"Po bëhet punësimi i njerëzve të parisë me procedura të shpejta, stafi politik nëpër shumë ministri është duke u transferuar si shërbyes civil. Vendimet e qeverisë që nga fundi i muajit qershor nuk janë më publike, nuk publikohen fare në gazetën zyrtare të kryeministrisë”, ka thënë Arifi.
Të gjitha këto vendime, shton Arifi, do të rishikohen dhe do të shqyrtohen dhe nëse ka bazë ligjore dhe janë në interes të funksionimit të administratës publike, atëherë nuk do të anulohen.
Qeveria në largim e Kosovës, pas zgjedhjeve të 8 qershorit kishte filluar ndërtimin autostradës Prishtinë - Hani i Elezit që lidh Kosovën më Maqedoninë.
Nga njohës të çështjeve politike, ky vendim thuhet se nuk do të duhej të merrej.
Fisnik Korencia thekson se ky vendim i marrë pas zgjedhjeve të 8 qershorit është një vendim ndoshta jo i paligjshëm, por që moralisht nuk do të duhej të merrej nga një qeveri në largim.
Vendimet strategjike, vlerëson Korencia, duhet lënë në dorë qeverisë së re.
“Unë besoj që po të kishte një parlament funksional do të ishte i nevojshëm një kontroll i detajuar parlamentar mbi çdo veprim qeverisës të ndërmarrë. Edhe sa i përket punësimit, edhe sa i takon tenderëve, kjo të bëhej që prej momentin kur Kosova ka hyrë në proces zgjedhor dhe për gjitha vendimet që janë marrë nga qeveria në detyrë në këtë periudhë".
"Nëse në Kosovë ndërtohet precedenti që qeveria në detyrë në minutat e fundit të saj të bëjë vendime madhore dhe t’i bëjë këto tërësisht në mënyrë të mbyllur, atëherë ne po mbështesim një koncept të gërryerjes së shtetit dhe jo të shtet ndërtimit”, thekson Korenica.
Në ceremoninë festive me rastin e fillimit të punimeve të autostradës Prishtinë Hani i Elezit kryeministri i Kosovës në largim Hashim Thaçi, kishte deklaruar se po fillojnë zbatimin e Misionit të Ri.
“Projekti i Autostradës Prishtinë-Shkup, është projekti më madhor yni, që hyn në kuadër të pikave më të rëndësishme që kemi prezantuar në Misionin e ri para qytetarëve të Kosovës dhe ky projekt e ka fituar besimin qytetar, e ka fituar besimin e Qeverisë së Kosovës, si një prej projekteve më të rëndësishme”, kishte thënë Thaçi.
Megjithatë, pretendimet e koalicionit LDK-AAK-Nisma ndërlidhen me insistimin e tyre se është ky koalicion ai që do ta ketë të drejtën për të formuar qeverinë e re.
Partia Demokratike e Kosovës ndërkaq insiston se këtë të drejtë e ka kjo parti, duke qenë se ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.
I gjithë procesi tani ka mbetur i “bllokuar” në pritje të një vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese, mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në seancën e 17 korrikut, gjë të cilën e ka kërkuar PDK-ja.
Kërkesa e PDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese është e dyta me radhë, që ndërlidhet me zgjedhjet e 8 qershorit.
Një kërkesë tjetër kishte dërguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, për të sqaruar përgjegjësitë në përputhshmëri me Kushtetutën, për të emëruar mandatarin për formimin e qeverisë.