Ndërlidhjet

Mbi dy muaj grevë, AKP-ja kërkon të ndërpritet


Ilustrim
Ilustrim

Ish-punëtorë të Fabrikës së Gypave nga Ferizaj kanë hyrë në ditën e 68 të grevës.

Në një tendë të vendosur në qendër të Prishtinës afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ish-punëtorë të Fabrikës së Gypave nga Ferizaj për mbi dy muaj po kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që t’iu ndajnë mjetet nga privatizimi i fabrikës ku ata kanë punuar.

Fabrika e Gypave në Ferizaj është privatizuar në vitin 2007 me spin-off special, me vlerë mbi 3 milionë euro. Ndërsa, ish-punëtorët e kësaj fabrike thonë se janë rreth 25 milionë euro që u takojnë atyre.

Ahmet Sylejmani, anëtar i këshillit grevist të ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave nga Ferizaj, akuzon Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit se po shkelin ligjet e Kosovës, derisa nuk po bëjnë shpërndarjen e këtyre mjeteve.

“Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pas për obligime të na e paguajë një borxh që është mbi 25 milionë euro me tre për qind kamatë. Kamata ndëshkuese është 3 për qind deri në vitin 2012, ndërsa pas këtij viti është 8 për qind e shumës totale. Prandaj, ky obligim është dashur të kryhet në vitin 2011, por nuk është kryer dhe ne tani jemi në vitin 2014. Jemi 912 punëtore që na ka borxh Qeveria dhe AKP-ja”, shprehet Sylejmani.

Në favor të këtyre punëtorëve kishte vendosur edhe Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë vendosi që dhënia e mjeteve të ekzekutohet nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Derisa, në mars të këtij viti, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën miratuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pagesën e borxhit ndaj këtyre ish- punëtorëve.

Sipas udhëzimeve të Dhomës së Posaçme për t’u ekzekutuar pagesa për punëtorët e ndërmarrjes shoqërore Fabrika e Gypave, sipas nenit 14.7 të Ligjit të AKP-së duhen 3 vota pozitive të tre drejtorëve të stafit ndërkombëtar, derisa aktualisht ky bord ka vetëm dy drejtorë ndërkombëtarë. .

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare e Privatizimit, Yll Kaloshi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se AKP-ja është duke bërë përgatitjet teknike dhe llogaritjet e nevojshme dhe sapo Kuvendi i Kosovës të emërojë anëtarët e rinj të Bordit të drejtorëve, agjencia do të paraqesë për aprovim në bord, kërkesën për pagesën e këtyre punëtorëve.

“AKP-ja e vlerëson të panevojshme grevën e punëtorëve të gypave dhe kërkon që të ndërpritet ajo, ndërkaq i siguron punëtorët grevistë që do të respektojnë udhëzimet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për kryerjen e pagesës së ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj”, thekson Kaloshi.

Por, emërimi i anëtarëve të rinj nuk mund të bëhet pa konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit.

Kaloshi tregon se në vazhdimësi kanë pasur takime më përfaqësues të këtyre ish-punëtorëve dhe se atyre iu janë dhënë shpjegimet e nevojshme për gjithë procesin e likuidimit dhe procesin e shtytjes së borxheve.

Sidoqoftë, gjendja e shëndetësore e shumë grevistëve tashmë është përkeqësuar. Grevistët thonë të kenë qëndruar aty vazhdimisht.

“Ne jemi duke vuajtur këtu në temperatura të larta, në ditë me shi, kemi probleme me punëtorët që janë të sëmurë dhe iu duhet përkujdesje shëndetësore”, thotë Ahmet Sylejmani, anëtar i Këshillit grevist.

Njazi Asllani, inxhinier i diplomuar i makinerisë, ish-punëtor i Fabrikës së Gypave, thotë se do të qëndrojnë aty deri në shlyerjen e borxheve që shteti u ka atyre.

Të gjitha format janë provuar dhe kjo ka mbetur e vetmja formë nëse jep rezultate dhe besoj se do të duhej të jepte rezultatet, pasi që rrugë të tjera nuk ka".

"Lënda jonë është e përfunduar, nuk ka më vend për asnjë vendim - as të Qeverisë as të Gjykatës Supreme të Dhomës së Posaçme dhe as veprime tjera, pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetutës është vendim superior. Dhe, nuk ka më asnjë mundësi juridike dhe çdo kërkesë tjetër nuk ekziston më për ndonjë akt juridik”, tregon Asllani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG