Ndërlidhjet

Shëndetësi: Shumë ligje, pak cilësi


Ilustrim
Ilustrim
Shëndetësia kosovare është reformuar në masë të kënaqshme, por mungesa e barnave të listës esenciale, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, hetimet e zyrtarëve dhe protestat e stafit mjekësor, kanë bërë që shëndetësia kosovare të jetë në gjendje jo të mirë.

Megjithatë, ligjet e hartuara vitet e fundit, paraqesin një bazë të mirë në reformën e mëtutjeshme shëndetësore, thonë ekspertë që merren me shëndetësinë.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë viteve të fundit ka pasur një përparim të dukshëm sa i përket formulimit dhe kornizës ligjore, politikave dhe strategjive për shëndetësinë, e që kanë për qëllim reformimin e sistemit shëndetësore kosovar.

Pavarësisht arritjeve, Syla përmend edhe ngecjet në këtë sistem:

“Në aspektin e përmirësimit të cilësisë në kuadër të shërbimeve shëndetësore, mbetet për t’u dëshiruar si dhe ka nevojë për përmirësim të dukshëm të qeverisjes së sistemit shëndetësor në të gjitha nivelet e tij. Por ligjet e hartuara paraqesin një bazë të mirë në reformën e mëtutjeshme”.

“Buxheti është një hallkë e sistemit shëndetësor. Për të funksionuar në mënyrë të mirëfilltë sistemi shëndetësor, janë të nevojshme edhe tri hallka të tjera përpos financave, si: qeverisja e mirë, transparente, llogaridhënëse e sistemit shëndetësor, ofrimi i shërbimeve kualitative shëndetësore, si dhe krijimi i kuadrit kompetent shëndetësor, i cili është shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor”.


E, ministri në largim i Shëndetësisë, Ferid Agani, bën të ditur se ofrimi i shërbimeve shëndetësore cilësore për pacientët me një buxhet çfarë posedon sistemi shëndetësor, është i paimagjinueshëm. Ai flet për të arriturat gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë.

“Prej hyrjes në fuqi të Ligjit për shëndetësi, janë hapat e parë të reformës shëndetësore. Mendoj se kam realizuar synimet e mia dhe kam qenë shumë koshient. Të jesh ministër i Shëndetësisë është shumë e vështirë me një buxhet prej 150 milionë eurosh, është e paimagjinueshme të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore”.

“Por, dikush është dashur të nisë reformën dhe unë kam arritur të bëj një punë të madhe duke nxjerrë 5 ligje sistemore, Ligjin për shëndetësi, Ligjin për sigurime shëndetësore, Ligjin për kontrollin e duhanit, Ligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë, atë të produkteve medicinale. Pra, 5 ligje të mëdha, e që secili e përmirëson sistemin shëndetësor dhe e reformon atë”.

“Kam arritur ta ndal largimin e mjekëve dhe infermierëve nga vendi duke ndarë për këto tre vjet specializime ku kemi 1167 specializantë në shkollim specialistik, duke punësuar 350 mjekë specialistë dhe 150 mjekë infermierë. Po ashtu, edhe financimi i sektorit shëndetësor përmes themelimit të sistemit publik të sigurimeve shëndetësore, e që mendoj se ka qenë arritja kryesore e imja si pjesë e kornizës gjithpërfshirëse legjislative”
, ka deklaruar Agani.

Ai flet edhe për ngecjet në sistemin shëndetësor, gjatë këtyre tre vjetëve të fundit, prej kur ai udhëheq me këtë dikaster:

“Ngecjet kryesore kanë qenë në domenin e menaxhimit të institucioneve shëndetësore, e që unë, si ,ministër nuk kam pasur ndikim pasi që deri në maj të vitit të kaluar të gjithë menaxherët e institucioneve kanë qenë nën kompetencën e Ligjit për shërbimin civil, dhe unë nuk kam mundur të kem ndikim të drejtpërdrejtë në ta. Dhe, këtu ka pasur shumë ngecje”.

“Gjithashtu, furnizimi me barna dhe material furnizues ka qenë ngecja jonë. Kjo gjë, nga njëra anë, ka qenë i kushtëzuar me mungesë fondesh, por edhe me interesa të ndryshme brenda sistemit shëndetësor që kanë rezultuar me dukuri korruptive, e që kanë qenë subjekt i hetimeve të organeve të drejtësisë”.

Ndryshe, edhe Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pohon se në këto tre vjetët e fundit, me gjithë gjendjen e vështirë në sistemin shëndetësor, ka pasur disa hapa pozitivë.

“Ka pasur hapa pozitivë, sidomos në infrastrukturën ligjore. Unë mendoj se është mbyllur korniza ligjore sa i përket shëndetësisë dhe reforma, e cila ka filluar. Por, ngecja ka qenë te keqmenaxhimi institucional”.

“Sa i përket mirëqenies sociale, këto tre vjet ka një përmirësim dhe një nivelizim të shteteve përreth. Këtu nuk mund të themi se nuk është mbajtur premtimi. Ka ende hapësirë për të dëshiruar. Këtë qeveri e karakterizon infrastruktura ligjore, por edhe një keqmenaxhim, i cili është dashur të jetë më i mirë dhe më efikas”,
shprehet Syla.

Sidoqoftë, edhe Skënder Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shtuar se udhëheqësinë në largim e ka karakterizuar ngecja në qeverisje dhe llogaridhënie, në mirëmbajtje të institucioneve shëndetësore, në furnizim me barna dhe, po ashtu, në aspektin e prokurimit, e sidomos në sektorin farmaceutik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG