Ndërlidhjet

Rritet numri i krimeve financiare


Ilustrim
Ilustrim
Numri vjetor i krimeve financiare të evidentuara nga Policia e Kosovës, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është rritur në mes të viteve 2012 dhe 2013 nga 2,184 deri në 3,537 krime, thuhet në raportin tremujor të Strategjisë kombëtare, e cila ka për qëllim parandalimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve financiare.

Ministri në largim i Financave, Besim Beqaj, ka thënë se këto të dhëna dëshmojnë se proceset e zbulimit dhe hetimit të autoriteteve kombëtare janë zhvilluar sa i përket luftës kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare dhe ekonomike.

Sipas tij, numri vjetor i dënimeve që kanë të bëjnë me krimet financiare arrin në mbi 1500.

“Ne konsiderojmë se ekonomia joformale në Kosovë edhe më tutje është e lartë, porse janë bërë hapa të fuqishëm në drejtim të reduktimit të ekonomisë joformale. Niveli i ekonomisë joformale është mes 27 - 34 për qind nga bruto-produkti vendor, dhe besojmë që me strategjinë që e kemi miratuar më herët, kjo mund të reduktohet në baza vjetore deri në 3 apo 4 për qind”, ka thënë Beqaj.

Duke folur për rastet konkrete të luftimit të kësaj dukurie të dëmshme, jo vetëm për buxhetin e shtetit, por edhe për ekonominë legale, ministri në largim, Besim Beqaj, ka theksuar se janë të vendosur për parandalimin e këtyre negociatave për ekonominë e vendit.

Beqaj ka shtuar se rezultatet në mbledhjen e të hyrave nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë inkurajuese. Ai ka thënë se sipas aktiviteteve dhe objektivave që ka Strategjia për parandalimin e ekonomisë joformale, Kosova mund të ketë rreth 20 milionë euro më shumë të hyra në buxhet.

“Dua të them një çështje që e kemi diskutuar me të gjithë partnerët tanë, qoftë të sektorit publik, privat, qoftë me institucionet përgjegjëse për sundimin e ligjit, kemi konstatuar se përveç identifikimit, duhet të bëhet intensifikim edhe më i madh i punës për vlerësimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, e cila fitohet me anë të veprës penale apo aktiviteteve përmes krimit ekonomik”
, ka shtuar Beqaj.

Niveli i lartë i ekonomisë joformale dhe krimit ekonomik në Kosovë kishte zënë vend gati në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare. Në këto raporte ishte theksuar se përveç deklaratave publike për luftimin e krimit ekonomik dhe financiar, ekzekutivi i vendit nuk kishte treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për luftimin e këtyre dukurive.

Christof Stock, shef i Seksionit të Bashkëpunimit ne Zyrën e BE-së në Kosovë, ka thënë se luftimi i krimit ekonomik dhe financiar është një sferë specifike e monitoruar nga Bashkimit Evropian, “jo vetëm në dokumentet siç është Raporti i progresit, por edhe në dokumente tjera si udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave”.

“Ne e vlerësojmë shumë përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të saj, që të flasin për çështjen e shpëlarjes së parave në Kosovë. Gjithashtu, për të prodhuar me të vërtetë një mekanizëm gjurmimi, sepse kjo është pjesa më e vështirë në atë pjesë të krimit. Një ligj, një draft-ligj është shumë i lehtë të hartohet dhe të adaptohet, por implementimi dhe mekanizmi i gjurmimit, është shumë më i vështirë”, ka theksuar Stock.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG