Ndërlidhjet

Kosovë: Sistem i degraduar arsimor


Përfaqësues të subjekteve opozitare në vend dhe ekspertë të arsimit, e kanë vlerësuar të degraduar sistemin arsimor shumë herë gjatë viteve të fundit, pasi sipas tyre, ky sistem është politizuar nga niveli fillor e deri tek ai universitar.

Jusuf Thaçi, drejtor i departamentit të arsimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se sfidat me të cilat po përballen në këtë sferë, prej kur po qeverisin me kryeqytetin janë të shumta.

Por përkundër kësaj, zoti Thaçi ka shtuar se tashmë janë krijuar mekanizma që stafi mësimdhënës të jetë i kualifikuar.

"Niveli i mësimdhënësve është refleksion i gjithë niveleve mësimdhënëse në Kosovë. Ashtu si e kemi sistemin universitar, ashtu e kemi edhe atë parauniversitar e që nuk është i kënaqshëm. Jemi fillimisht duke krijuar mekanizma që personeli që hyn në shkolla të jetë i kualifikuar dhe të jetë më i miri i atyre që aplikojnë. Kjo tashmë po zbatohet në Komunën e Prishtinës dhe do të vazhdojë të zbatohet".

"Jemi duke punuar që të bëjmë matjen reale të nxënësve , e cila mendoj do të na shpijnë drejt ndërmarrjes së masave në funksion të përmirësimit, pasi që suksesi i nxënësve është jo real sipas disa statistikave që janë bërë. Kjo na shpie drejt vetëkënaqësisë, derisa në testin e maturës mandej , që supozohen të jenë objektive, nuk po tregohen rezultate të kënaqshme. Testimet duhet të na konstatojnë gjendjen reale, në mënyrë që të ndërmarrim masa", shprehet Thaçi.

Për Radion Evropa e Lirë edhe Jonuz Salihaj, ekspert i arsimit, ka bërë të ditur se tetë vjetët e fundit sistemi arsimor çdo ditë e më shumë është duke u degraduar.

"Cilësia e arsimit në Prishtinë, e cila është qendër administrative e që tubon shumë nxënës, cilësia e arsimit është e dobët. Partia në pushtet nuk mund të kritikohet , sepse ka trashëguar problemet. Në përgjithësi sistemi arsimor në këto 8 vjetët e fundit është duke u degraduar vazhdimisht, në vend që të rritet cilësia. Është bërë një luftë për përfshirje më të madhe të studentëve për nevoja elektorale fatkeqësisht"
.

"Kjo ka ndodhur me shkollat e mesme me maturantë dhe kjo ka bërë që të mbi popullohen klasat, dhe kjo ka ndikuar në cilësi. Gjithashtu arsimtarët i kemi të pa kualifikuar dhe kemi një numër mjaft të madh sidomos në lëndët kyçe, si matematika, gjuha angleze, gjermane etj. Pra është një sfidë e madhe për pushtetin e ri, por edhe për qeverinë e re që pritet të formohet pas dy muajsh , për të pasur rezultate të prekshme në arsim. Nevojitet një kohë relativisht e gjatë për ta kaluar këtë situatë degraduese që e ka bërë pushteti aktual"
, theksoi Salihaj.

Organizata Iniciativa për Progres, së fundmi është marrë me hulumtimin e cilësisë së arsimit.

Zyrtari Kristian Hasanaj, flet për rezultatet e dala të këtij hulumtimi, e që sipas tij nuk janë të kënaqshme.

"Departamenti i arsimit në Komunën e Prishtinës është përballur vazhdimisht me sfida. Problemet kryesore që kemi vërejtur gjatë monitorimit tonë të vazhdueshëm janë mungesat e shumta të pa arsyeshme, mbingarkimi i klasave , rënia e cilësisë së arsimit. Kjo reflekton me rezultatet e larta të nxënësve e me rezultate të ulëta në testet e maturës. Kjo po bën që gjeneratat e reja që po dalin të mos shënojnë rezultate në fakultete dhe studime universitare", tha Hasanaj.

Sidoqoftë, sistemi i arsimit, edhe gjatë vitit të kaluar është përballur më shumë sfida dhe vështirësi, edhe pse përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar, thonë autoritetet kompetente.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG