Ndërlidhjet

DASH: Kosova - progres në masat kundër-terroriste


Departamenti Amerikan i Shtetit.
Departamenti Amerikan i Shtetit.
Qeveria e Kosovës ka vazhduar të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në çështje të ndërlidhura me kundër-terrorizëm në vitin 2013, dhe ka demonstruar progres në përmirësimin e masave kundër-terroriste, thuhet në raportin vjetor të Departamentit amerikan të shtetit, i cili u publikua sot në Uashington.

Për shkak se situata politike dhe e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, ka vazhduar ta kufizoj aftësinë e qeverisë për ta ushtruar autoritetin e vet në atë rajon, bashkëpunimi me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionin për Sundimin e Ligjit të BE-së (EULEX), me policinë e Kosovës, ishte veçanërisht i rëndësishëm për të mbajtur ambient të qetë dhe të sigurt dhe për forcim të sundimit të ligjit, përfshirë edhe kufijtë.

Megjithëqë Kosova dhe Serbia fqinje nuk bashkëpunojnë direkt në çështje kundër-terroriste, në vitin 2013, qeveritë kanë implementuar një marrëveshje për Menaxhim të Integruar të Kufirit me postblloqe të përbashkëta, shkruan në raportin vjetor.

Aty shtohet se Kosova dhe Serbia, në muajin prill e kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim të raporteve të ndërmjetësuar nga BE-ja, që duhet të ndihmojë në shqyrtimin e situatës së sigurisë në veri dhe ta përmirësojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për ta ushtruar autoritetin e vet atje.

Institucionet qeveritare të Kosovës ishin të vetëdijshme prej vitit 2012 se një grup i vogël i kosovarëve kishin udhëtuar për të luftuar në Siri.

Raporti i Departamentit amerikan të shtetit për terrorizëm, më tutje, në pjesën për Kosovën, thekson se Kodi Penal i Kosovës lejon ndjekjen e krimeve të terrorizmit, përfshirë pjesëmarrjen në grupet terroriste.

Në këtë raport, grup terrorist definohet si grup i strukturuar i më tepër se dy personave, i krijuar gjatë një periudhe kohore dhe që vepron në mënyrë të organizuar për të kryer terrorizëm.

Gjykatat kosovare do të pranojnë dëshmi nga vendet e tjera më lehtë, kështu që do të mundësohet kryerje e hetimeve ndërkombëtare kundër-terroriste në Kosovë.

Raporti, më tutje, thekson se Policia e Kosovës, Autoriteti Doganor i Kosovës dhe Policia Kufitare e Kosovës, janë stërvitur në mënyrë të mjaftueshme kundër-terroriste dhe me pajisje nga organizatat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ekzistojnë probleme me komunikimet dhe ndarjen e informacioneve në mesin e njësiteve policore, dhe PK-ja ballafaqohet me burime të kufizuara, që mund të ndikojnë në aftësinë e saj për t’i gjurmuar individët e dyshuar.

Prokurorët kanë marrë stërvitje minimale në ndjekjen e rasteve të terrorizmit.

Në muajin nëntor, Qeveria e Kosovës i ka arrestuar shtatë njerëz në Prishtinë dhe Gjilan, të akuzuar për komplot të sulmeve terroriste në Kosovë.

Besohet se dy prej tyre kanë marrë pjesë në luftime së bashku me kryengritësit në Siri.

Dy të tjerë, po ashtu, janë të dyshuar për një sulm kundër dy misionarëve amerikanë nga Kisha e Jezu Krishtit.

Katër të dyshuar ishin arrestuar derisa përpiqeshin të blinin armatim nga pjesëtarë të fshehur të Policisë së Kosovës.

Në shtëpitë e të dyshuarve është gjetur armatim dhe eksploziv.

Në vitin 2013, vazhdon raporti, Drejtorati kundër Terrorizmit i ka hapur 10 raste. Shumica e tyre ishin të ndërlidhura me krime të lidhura me terrorizëm dhe një ishte i ndërlidhur me përgatitje për akt terrorist.

Në dy raste, Drejtorati ka hapur procedurë penale kundër 6 individëve, që ka rezultuar me burgosjen e tyre. Drejtorati, po ashtu, ka ndihmuar në gjashtë raste në një shtet të BE-së.

Këmbimi i informacioneve me disa shtete të ndryshme është përmirësuar. Në disa raste, Drejtorati ka ndihmuar dhe ka bashkëpunuar mirë me autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Kosova nuk është anëtare e Task Forcës së Aksionit Financiar të rajonit. Në dhjetor të vitit 2012, Parlamenti i Kosovës i ka miratuar rishikimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, me të cilat është forcuar legjislacioni i miratuar në vitin 2010.

Këto amendamente e kanë sjellë Kosovën më afër standardeve financiare, kanë krijuar mekanizma detyrues për ekzaminimin e raportimit të entiteteve, dhe më hollësisht e kanë definuar financimin terrorist.

Kosovës, megjithatë, ende i mungon regjistrimi përkatës dhe sistemi monitorues për t’i gjurmuar OJQ-të që marrin fonde nga entitetet e dyshuara, thuhet në fund të raportit të Departamentit amerikan të shtetit për luftën kundër terrorizmit në Kosovë, gjatë vitit 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG