Ndërlidhjet

Tejkalohet kriza për furnizim me ujë


Gjysmë milionë qytetarë të Kosovës të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Batllavës dhe Badocit nuk do të kenë krizë për ujë gjatë vitit 2014, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit në Kosovë, sipas zëdhënës së Ujësjellësit, Arjeta Mjeku, kanë mundësuar që të rritet niveli i ujit në dy liqenet prej nga furnizohen me ujë qytetarët e Prishtinës dhe disa komunave tjera.

Niveli i ujit në liqenin e Batllavës, rreth 35 kilometra në veri të Prishtinës është rritur për 7.60 metra derisa më liqenin e Badocit është rritur për 4.30 metra.

“Menjëherë pas ndaljes së shiut në javën e ardhshme do të bëjmë edhe një matje, por që ne mund të themi se krizën për ujë në vitin 2014 vetëm e kemi tejkaluar. Ka qenë një gjë e papritur që vetëm për një javë të ketë rritje të nivelit të ujit për 7 metra”, bën të ditur Mjeku.

Shumë komuna të Kosovës për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, kishin hyrë në fazë emergjente të furnizimit me ujë të pijes në fillim të këtij viti

Gjatë muajve të verës ishte thënë se do të ketë mungesë të madhe të ujit.

Sidoqoftë, Mjeku tregon se reshjet e shiut kanë mundësuar që të kalohet kriza emergjente me furnizim të ujit të pijes, por që nuk do të zbusin reduktimet.

“Do të ketë reduktime, pasi që këto rezerva me ujë që i kemi duhet të ruhen deri në vitin 2016 atëherë kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj. Reshjet kanë ndihmuar tejkalimin e krizës. Reduktimet do të mundohemi që të jenë më të pakta”, ka thënë Mjeku.

Zyrtarë të ujësjellësit rajonal Prishtina pas mungesës së reshjeve atmosferike kishin filluar të gjejnë alternativa të reja për furnizim më ujë, siç ishte hapja e puseve, por që nuk rezultuan të jenë të kënaqshme.

Po ashtu, në kohën kur Kosova kishte hyrë në fazë emergjente me ujë të pijes, Komuna e Prishtinës kishte nxjerrë një urdhëresë, e cila ndalonte keqpërdorimin e ujit të pijes.

Ekspertët e sektorit të ujit vazhdimisht kanë theksuar se vlera financiare e zgjidhjes së problemi me furnizim me ujë të pijes për popullatën e Kosovës është minimale.

Ata iu kishin bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të investojnë më shumë në sektorin e ujit.

Skender Bublaku njohës i problematikave të ujit konsideron se në këtë situatë në të cilën gjenden Kosova me furnizim të ujit të pijes, mënyra më e mirë është menaxhimi i duhur.

“Menaxhimi i shpërndarjes së ujti është elementi kryesorë që sasitë e ujit që i kemi 700 litra ne sekondë të menaxhohen mirë dhe të tejkalohen krizat pa ndonjë problem të theksuar”, thotë ai.

Për qytetarët e Prishtinës, ujë 24 orë do të ketë vetëm kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, fabrikë kjo e cila pritet të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ndërsa do të përfundojë në vitin 2016.
XS
SM
MD
LG