Ndërlidhjet

Maqedoni: Femrat, larg të bërit biznes


Ilustrim
Ilustrim
“Gjinia femërore përcaktohet kryesisht për të punuar në arsim dhe shëndetësi. Kjo vjen si pasojë e stereotipve të caktuara që vlejnë për vendin tonë, ku thuhet se këto profesione janë më të përshtatshme për një grua".

"Në sektorin privat femrat pothuajse nuk janë fare të përfaqësuara në postet drejtuese, meqë femrat në sipërmarrësi janë të përfaqësuara vetëm me 30 për qind dhe gjysma e bizneseve drejtohen nga bashkëshortët e tyre ose ndonjë anëtar tjetër i familjes. Femrat shumë pak janë menaxhues të kompanive, thjesht, s`kanë kurajë për të qenë në poste drejtuese të biznesit
”, thekson Valentina Disovska nga Lidhja e Grave Afariste të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Gjynere basha - Nebiu, aktiviste, e cila angazhohet për barazi gjinore nga organizata joqeveritare "Antiko" thekson se inkuadrimi i gruas në sipërmarrësi, mund të nxitet me forma të ndryshme, duke filluar nga sensibilizimi i popullatës për t`u zbarkuar nga tabutë se pronare e trashëgimisë duhet të jetë vetëm gjinia mashkullore.

“Po nëse nisemi nga ajo se për të zhvilluar një biznes duhet të kesh një bazë solide ekonomike, nevojiten mjete materiale, të cilat do të duhen për t`i investuar. Dhe, nëse marrim parasysh faktin se femrat janë të përfshira kryesisht në profesione, të cilat janë më pak të paguara, vështirë se mund të sigurohen këto mjete. Këtu është dhe ai elementi i traditës, ku femrat nuk paraqiten si trashëgimtare të familjes, përkatësisht janë meshkujt ata që trashëgojnë pronën e familjes dhe kjo paraqet një nga problemet që pamundëson që femrat të mund të marrin pastaj kredi për të zhvilluar ndonjë biznes”, thotë Nebiu.

Ndërkaq, sipas Disovskas, problem më vete në Maqedoni paraqet dhe fakti se për të njëjtën punë meshkujt paguhen më shumë sesa femrat.

“Po ligji është i mirë, por problemi qëndron në implementimin e tij. Edhe këtu çështja është te stereotipat, sepse femra në Maqedoni kryesisht heziton të luftojnë për rritjen e pagës gjersa meshkujt nisen nga pozicioni se duhet të punojnë për të mbajtur familjen. Gratë, thjesht punojnë sa për të pasur një punë”, nënvizon Disovska.

Gratë që hyjnë në botën e biznesit, thotë Gjynere Basha- Nebiu, nuk duhet të përdorin metodat e burrave për të ecur përpara.

Të suksesshme paraqiten ato gra, të cilat kanë kurajë, guxim, këmbëngulje, sakrificë, por mbi të gjitha me shumë dashuri dhe finesë kultivojnë rrugën për të zhvilluar idenë që jo rrallë ka rezultuar me biznes të suksesshëm. Sipas saj, model inkurajues paraqesin gratë që kthehen nga mërgimi e që me vete sjellin përvojat në lëmi të caktuara.

“Është fakt se në përgjithësi në Maqedoni është shumë vështirë zhvillimi i biznesit si pasojë e klimës jo të volitshme ekonomike dhe mungesës së mundësive materiale. Dhe, meqë femrat jo rrallëherë janë në pozitë të pabarabartë, kjo reflektohet edhe në sipërmarrësi. Por, në këtë drejtim, shembuj shumë të mirë paraqesin ato gra afariste, të cilat sjellin përvoja nga perëndimi”, potencon Nebiu.

Nga ana tjetër, kryetari i Konfederatës së Punëdhënësve në Maqedoni, Mile Boshkov, thotë se gratë shumë vështirë arrijn të avancohen në postet drejtuese, por kur e arrijnë janë më të qëndrueshme në ruajtjen e pozicioneve.

"Po mund të them se kemi shumë raste konkrete, që dëshmojnë se gratë janë shumë më të përgjegjshme kur bëhet fjalë për drejtimin e biznesit. Sa i përket vendimmarrjes, sigurisë dhe respektimit të legjislacionit, janë shumë më të ndërgjegjshme kur bëhet fjalë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, madje janë më të guximshme edhe në luftën kundër korrupsionit”, shprehet Boshkov.

Organizatat, të cilat merren me të drejtat e grave, theksojnë nevojën emergjente për përpilimin e një plani mbështetës strategjik-zhvillimor nga sistemi bankier nga ana e Qeverisë, i cili do të jetë posaçërisht i dizajnuar për sipërmarrësinë që udhëhiqet nga femrat, meqë në planin proporcional të barazisë gjinore, akoma mbetet shumë për t’u bërë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG