Ndërlidhjet

Dilema për privatizimin e PTK-së


PTK
PTK
Ka kohë që është heshtur zhurma e madhe rreth privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Prej dështimit të dytë të 75 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, në fund të vitit të kaluar, autoritete kompetente theksojnë se nuk kanë filluar ndonjë proces të ri.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike dhe telekomunikacionit konsiderojnë se deri pas zgjedhjeve të përgjithshme nuk duhet të ndodh ndonjë privatizim i kompanive të mëdha vendore.

Eksperti i telekomunikacionit, dikur drejtor në PTK, Agron Dida, për Radio Evropa e Lirë thotë se në këtë kohë nuk duhet të ndodh privatizimi i kësaj kompanie.

Ai shpreh nevojën e riorganizimit të brendshëm të PTK-së, pasi për shkak të menaxhimit të dobët, i kanë shkaktuar dëme të mëdha kompanisë.

“Në të gjitha kompanitë e fuqishme të Kosovës, kanë ardhur dhe janë instaluar njerëz të paaftë, të cilët nuk dinë dhe nuk dëshirojnë të veprojnë si duhet. Kështu që ata veprojnë në një plan të përpiktë të shkatërrimit të kompanive, për interesa personale, grupeve të caktuara të interesit, të cilët janë duke shkatërruar dhe plaçkitur Kosovën”, thekson Dida.

Por, profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, konsideron se dështimi i privatizimit të aseteve të PTK-së, ekonomisë së vendit dhe konsumatorëve i shkakton një kosto më të lartë, për shkak të pamundësisë së modernizimit të rrjetit të PTK-së.

Bektashi, vlerëson se duhet të ri-aktualizohet procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, por që nevojitet diskutim rreth përqindjes se shitjes së aksioneve.

“Çështja është se a do të mundet në këto kushte PTK-ja dhe VALA t'i mbijetojnë konkurrencës dhe trendëve më të reja teknologjike. Për këto modernizime nevojiten mjete shumë të mëdha financiare të cilat nuk i ka as PTK-ja dhe as Qeveria e Kosovës. Dhe për mendimin tim, më se miri është që në një të ardhme të afërt të mendohet një privatizim i përshpejtuar i Telekomit të Kosovës”, thotë Bektashi

Në anën tjetër, në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, pati thënë se ministria nuk është duke u marrë me proces të ri të privatizimit të PTK-së.

Ai ka thënë se do të merren më shërimin e PTK-së, pozicionimin e saj, në mënyrë të denjë në treg dhe kjo mund të zgjasë 2, 3 ose 4 vjet.

Ndryshe, privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së që nga fillimi i procesit është shpallur dy herë i dështuar nga Qeveria e Kosovës.

Në tetor të vitit 2011, ky proces ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhet, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshohen për korrupsion

Derisa më 31 dhjetor të vitit të kaluar është shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të këtij aseti publik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG