Ndërlidhjet

Përdorimi i antibiotikëve të rregullohet me ligj


Ilustrim
Ilustrim
Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI. Kosova, me përdorimin e antibiotikëve të përgjithshëm, renditet në vendin e dhjetë në Evropë, derisa me injeksione të cef-reaksionit (grup i antibiotikësh), e ka vendin e parë në Evropë.

Si rezultat i kësaj, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë hapa për ndalimin e përshkrimit të këtyre antibiotikëve nga ana e mjekëve që punojnë në kujdesin parësor.

Lul Raka, mikrobiolog i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë e ka adresuar këtë problematikë, që ta bëjë kufizimin e përshkrimit të këtyre antibiotikëve përmes një udhëzimi administrativ.

“Për ta adresuar problemin, duhet bashkëpunim me agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit në mënyrë që të fuqizohet kapaciteti. Hapi i fundit që është ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë është përdorimi në spitalet rajonale, atë parësor, sipas emrit të fabrikave e që është shumë i shpejtë. Është themeluar një grup pune për të punuar në kufizimin e përshkrimit të antibiotikëve”.


“Me përdorim të antibiotikëve, ne qëndrojmë në vendin e 10 në Evropë, me antibiotikë të përgjithshëm, ndërsa me injeksione jemi në vendin e parë në Evropë, andaj edhe Ministria e ka adresuar këtë problematikë për ta bërë kufizimin e përshkrimit të këtyre antibiotikëve në kujdesin parësor. Ai duhet të ruhet për spital, por nuk ka pasur ndonjë udhëzim administrativ që e ndalon”,
ka thënë Raka.

Në barnatoret e Kosovës, antibiotiku vazhdon të shitet pa recetën e mjekut. Edhe pse Kosova e ka një ligj që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë, ligji vazhdon të mos respektohet.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, ka bërë të ditur se rezistenca anti-mikrobike paraqet një problem të madh global të shëndetit publik, dhe ky problem është prezent edhe në Kosovë.

“Janë disa faktorë që ndikojnë, së pari përdorimi i antibiotikëve të pakontrolluar nga ana e qytetarëve, sepse ne jemi dëshmitarë që qytetarët mund të shkojnë dhe të blejnë antibiotik në barnatore, pastaj kemi përshkrim jo racional nga ana e mjekëve dhe barnatoret e shesin antibiotikun. Andaj qëllimi ynë është të adresohen hallkat kryesore të rezistencës anti-mikrobike”.

“Është komponentë e veterinës, gjatë prodhimit të ushqimit ku edhe aty është identifikuar një përdorim enorm i antibiotikëve dhe kjo ndikon në shfaqjen e sojeve rezistence që do të sjellin vështirësi për t’u luftuar dhe do të vijmë në periudhën e para-antibiotikëve nëse vazhdon një trend i tillë”, ka theksuar Syla.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë ka mbështetur nismat në fushën e përdorimit të drejtë të antibiotikëve dhe kontrollit të rezistencës anti-mikrobike.

Kosova, siç ka thënë ai, është një nga shtetet e rralla në rajon, që e ka Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për rezistencën anti-mikrobike.

“Duke u bazuar në të dhënat e studimeve lidhur me mbikëqyrjen e përdorimit të antibiotikëve nëpër spitalet e vendit dhe qendrat e mjekësisë familjare, Ministria e Shëndetësisë ka krijuar edhe Grupin punues për të përgatitur infrastrukturën ligjore në fushën e kufizimit të përdorimit të antibiotikëve në kujdesin shëndetësor, sidomos në atë parësor”, ka deklaruar Hoti.

Kurse, Skënder Syla ka shtuar se elementi kryesor në të gjithë këtë ndërmarrje, është koordinimi në mes të komponentit të sistemit shëndetësor të shëndetit publik, si dhe prodhimit të ushqimit dhe veterinës.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandaluesit kryesorë të sëmundjeve të ndryshme.

Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG