Ndërlidhjet

Buxheti siguron pagat edhe pa ndihmën e FMN-së


Ilustrim
Ilustrim
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave për 25 për qind për shërbyesit civilë, ka vazhduar të jetë pjesë diskutimi e mekanizmave të ndryshëm, si vendorë ashtu edhe atyre ndërkombëtarë.

Së fundi, rritjen e pagave e ka komentuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, përfaqësues të të cilit kanë vlerësuar se kjo rritje do të bëhet presion i dukshëm për buxhetin e Kosovës.

Shefi i FMN-së për Kosovën, Jose Sulemane, në një deklaratë dhënë për agjencinë Reuters ditë më parë, kishte pohuar se rritja e fundit e pagave ngre shqetësime. Sipas tij, një rritje më e moderuar në paga do të ishte më e përshtatshme se sa kjo rritje që është bërë.

Vlen të theksohet se Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 kishte ndërprerë marrëveshjen Stand By Arrangment me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se shqetësimet e fundit të FMN-së të bëra për rritjen e pagave nuk do të vënë në pikëpyetje vazhdimin e bashkëpunimit në ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë.

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i ministrit të Financave, Besim Beqaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se Kosova aktualisht nuk ka nevojë për përkrahje financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi që si rrjedhojë e menaxhimit të mirë të financave, siç shprehet Baxhaku, është krijuar stabilitet buxhetor.

“Pas përmbylljes me sukses të programit Stand By, Qeveria dhe Ministria e Financave kanë vazhduar me diskutimet e rregullta me FMN-në, për të shikuar mundësitë e negocimit të programit të ri, që do të reflektonte të arriturat e vendit tonë nën programin Stand By. Qeveria dhe FMN-ja asnjëherë nuk janë zotuar se programi do të jetë i formatit Stand By, dhe gjithnjë kemi thënë që programi do të ketë parasysh stabilitetin fiskal të vendit reformat e deritashme dhe maturitetin që qeveria e vendit ka treguar gjatë viteve të kaluara”, thotë Baxhaku.

Rritja e pagave për shërbyesit civilë, shton Baxhaku, nuk është menduar të bëhet nga mjetet financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Pra, ne nuk kemi aktualisht nevojë për përkrahje financiare dhe shqetësimet që FMN-ja i ka shprehur, në asnjë mënyrë nuk e vënë në pikëpyetje vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë. Ne kemi sqaruar se rritja prej 25 për qind do të jetë efektive prej muajit prill 2014".

"Qeveria ka sqaruar se kjo rritje do të akomodohet brenda buxhetit të vitit 2014 falë përkushtimit të Qeverisë për të rritur efikasitetin e saj me kursime substanciale në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe pa pasur nevojë për zvogëlimin e buxhetit për investimeve kapitale”
, shton Baxhaku.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e pagave mund të krijojë presion financiar mbi buxhetin e Kosovës, por nuk mund të krijojë disbalancë të buxhetit pasi që ka performancë të mirë të të hyrave në buxhet dhe reduktim të shpenzimeve të mallrave dhe shërbimeve.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të mos kërkojë para nëpërmjet programit Stand By, të FMN-së unë pajtohem me këtë, pasi që nuk është e domosdoshme që ne çdo vit të futemi në kredi tek institucionet financiare ndërkombëtare nëse kemi një buxhet të balancuar. Në rastin konkret, Ministria e Financave ka kërkuar që të mos kërkojë para shtesë për mbulimin e deficitit buxhetor nga FMN-ja dhe ky është një sinjal i mirë pasi që buxheti aktual i Kosovës e mbulon hendekun që mund të shkaktoj rritja e pagave në sektorin publik”, vlerëson Gashi.

Mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik, pagat me rritje do t’i marrinë në muajin maj. Derisa buxhetit të Kosovës rritja e pagave për vitin 2014 do t’i kushtojë rreth 105 milionë euro, derisa për vitet e ardhshme rreth 130 milionë euro.

Ndryshe, Kosova kishte përmbyllur vitin 2013 me një rritje ekonomike jo më shumë se 3 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG