Ndërlidhjet

Thaçi: Me FAK po e rrumbullakojmë shtetin


Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës përbën rrumbullakimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës ka deklaruar të premten në Prishtinë, kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një vizite të Forcave të Sigurisë së Kosovës, si bërthamë e strukturës së re të armatosur që po paralajmërohet të themelohet.

“Republika e Kosovës po konsolidohet çdo ditë e më shumë në çdo fushë”, ka thënë Thaçi.

Kurse themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe krijimi i Forcave të Armatosura janë segmente përmbyllëse të institucioneve që do ta rrumbullakojnë shtetësinë e Kosovës, ka deklaruar Thaçi.

Na ndanë një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. FAK do t’i kenë të gjitha kapacitetet e mbrojtjes dhe do të kenë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re. Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen ashtu siç janë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pra me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme dhe të domosdoshme”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka thënë se tash mbetet që të pritet miratimi i ligjit për themelimin e Forcave të Armatosura.

Deri atëherë, Çeku ka thënë se do të vazhdohet me Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke zbatuar detyrat me kapacitetet ekzistuese.

“Unë jam i sigurt se ne gjithë këto vite kemi fituar një përvojë të mirë, kemi një potencial të jashtëzakonshëm, kemi zhvilluar oficerë të rinj, kuadro të reja si dhe kemi bërë trajnime të duhura. Kështu që këtë ndryshim të pritur Forca e Sigurisë së Kosovës e pret e gatshme dhe vullnetshme për ta bërë”, ka thënë Çeku.

Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas pretendimeve të kryeministrit Thaçi do të përbëjnë një strukturë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të shtetit.

Megjithatë, para se të shkohet në këtë hap, Kosova do të detyrohet të ndryshojë Kushtetutën dhe miratojë ligjin përkatës për formimin e Forcave të Armatosura.

Po ashtu, këto forca, sipas ekspertëve të çështjeve ushtarake dhe sigurisë do të formohen gradualisht dhe nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e plotë më NATO-s brenda 5 deri 10 vitet e ardhshme, ngjashëm siç ka ndodhur edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG