Ndërlidhjet

Kuvendi, rekomandime për ta nxjerrë nga gjendja e rëndë UP-në


Nga protestat e së premtes
Nga protestat e së premtes
Kuvendi i Kosovës, do t’i kthehet edhe njëherë debatit për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës.

Të martën, pritet të vazhdojë seanca e ndërprerë nga java e kaluar ku do të shqyrtohen sërish rekomandimet e dala nga debati parlamentar për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, të cilat qenë iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendimi që seanca të thirret të martën dhe jo të enjten, siç ishte bërë praktikë e mbledhjeve të Kuvendit, është marrë nga Kryesia pas gjendjes në të cilën është futur Universiteti i Prishtinës.

Pas dorëheqjes se rektorit Ibrahim Gashi, më pas edhe të gjithë prorektorëve, të hënën kanë dhënë dorëheqje kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Muharrem Nitaj si dhe tre anëtarë të këtij Këshilli të emëruar nga Ministria e Arsimit.

Në aktin e dorëheqjes, kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, ka thënë se politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend. Situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës, sipas tij, është më e rënda e krijuar që nga viti 2000, dhe sot janë atakuar funksionet më vitale të tij.

Aktualisht, nga Këshilli Drejtues kanë mbetur edhe 5 anëtar të emëruar nga Senati.

Andaj, tani Universiteti mbetet në një gjendje mjaftë kaotike dhe pa struktura udhëheqëse.

Rekomandimet e LDK-së, do të përpiqen të harmonizohen edhe me grupet tjera parlamentare, si kërkim zgjidhje për gjendjen e krijuar.

Tani, pas dorëheqjes së rektorit, mbetet diakutabile nëse pozita dhe opozita do të mund të harmonizojnë rekomandimet në lidhje me Këshillin Drejtues, të cilin studentët dhe organizatat tjera që kanë protestuar dy javët e fundit e cilësojnë si politik dhe të panevojshëm.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se mbetet të shihet si do të formulohet kjo pjesë e rekomandimeve, pasi që Këshilli Drejtues parashihet edhe me statutin e Universitetit, andaj ai nuk mund të pezullohet pa ndryshime statusore.

“Ne asnjëherë nuk e kemi kontestuar që Këshilli Drejtues është organ i paraparë me statut, kështu që ai ekziston si i tillë, por se si do të bëhet më tutje mbetet të shihet nesër pas dakordimit që do të bëhet me kolegët e Grupeve Parlamentare opozitare, por nëse janë dakord edhe të pozitës”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, subjekti më i madh parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës tregohet e rezervuar nëse do t’i përkrah apo jo rekomandimet e opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se do të vazhdojnë konsultimet dhe se rekomandimet do të miratohen nëse nuk prekin në pavarësinë e Universitetit të Prishtinës.

“Nëse i harmonizojmë qëndrimet, do të jemi për dhe do t`i përkrahim. Nuk jemi kundër marrjes së masave në Universitetin e Kosovës, sepse ka nevojë dhe duhet vërtet që të shkohet deri në fund, por nuk jemi që të bëhet zhurmë”, është shprehur Grabovci.

Për gjendjen e krijuar në Universitetin “Hasan Prishtina”, debatin e sheh si të nevojshëm edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

Tani pas dorëheqjes së rektorit, ai beson se pozita dhe opozita mund të gjejnë pika të përbashkëta që t’i harmonizojnë rekomandimet.

“Zgjidhja ka filluar të ndodhë për Universitetin. Rekomandimet janë nesër dhe ato rekomandime shpresojmë që miratohen, pasi që pika ku Grupet Parlamentare nuk kanë qenë dakord është hequr thuajse nga rendi i ditës”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, çështja e hulumtimit të titujve shkencorë duhet të jetë çështje e një trupi të veçantë akademik dhe ajo duhet të jetë e përhershme.

Dorëheqjet në Universitetin e Prishtinës erdhën si pasojë e protestave të studentëve, por edhe një pjese të shoqërisë civile dhe opozitës pas raportimeve se në këtë institucion të lartë arsimor ka gradime jashtë standardeve profesionale dhe publikime shkencore nëpër revista të dyshimta.

Protestat tani për tani janë pezulluar duke u dhënë kohë autoriteteve që të fillojnë ndryshimet në statutin e Universitetit të Prishtinës me kërkesë të veçantë në pezullimin e Këshillit Drejtues si organ në të ardhmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG