Ndërlidhjet

Përplasje në oborrin e Rektoratit të Universitetit


Përplasje në oborrin e Rektoratit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Përplasje në oborrin e Rektoratit - Video: LULJETA KRASNIQI VESELI

Me gjithë përpjekjet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për të penguar hyrjen e studentëve protestues në oborrin e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, këta të fundit kanë arritur të depërtojnë brenda oborrit.

Gjatë përpjekjeve të studentëve për të depërtuar brenda oborrit të Rektoratit, policia ka përdorur sprej djegës ndaj protestuesve në përpjekje për të shpërndarë turmën. Derisa përplasja ndërmjet protestuesve dhe policëve, para Rektoratit, ka shkaktuar lëndime te të dyja palët.

Studentët e Universitetit të Prishtinës tani e dhjetë ditë po protestojnë para Rektoratit në kërkim të dorëheqjes së rektorit Ibrahim Gashi.

Protestave të studentëve u janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, profesorë të Universitetin të Prishtinës dhe qytetarë.

Gjendja e krijuar në Universitetin e Prishtinës në dy javët e fundit është diskutuar edhe në Parlamentin e Kosovës.

Deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të rektorit Ibrahim Gashi dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij institucioni.

Në rekomandimet e Grupit Parlamentar të LDK-së, përveç dorëheqjes së rektorit dhe anëtarëve të Këshillit drejtues të UP-së, ata kanë rekomanduar që të vlerësohet përgjegjësia e ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, për mospërcjelljen me kohë të trendëve në UP dhe dhe mosmarrjen e masave ligjore në kohë të duhur.

Grupi Parlamentar i LDK-së si iniciuese e debatit për zhvillimet në Universitet, rekomandoi që Qeveria të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm, që, siç thonë ata, ka vënë mbi Universitetin e Prishtinës dhe nga përdorimi i këtij institucioni si vend akomodimi për militantët politikë.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, theksoi se asnjë parti politike s'duhet të ketë ndikim në Universitet. Sipas saj, në UP kanë shpërthyer skandalet duke nisur nga arrestimet, keqpërdorimet dhe forma të tjera të shkeljes së ligjit.

“Rektori dhe Këshilli Drejtues i Universitetit ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr me UP-në. Prandaj Rektori Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqjen, si akt moral, në mënyrë që t’i shërbejnë procesit të normalizimit në Universitetin e Prishtinës”, vlerësoi Kajtazi.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, e cila foli në emër të Grupit Parlamentar të partisë, theksoi se Universiteti i Prishtinës është degraduar dhe se, sipas saj, duhet të merren masa konkrete për të dalë nga kjo situatë e krijuar.

“Ne nuk mund të vazhdojmë me këtë gjendje skajshmërisht të rënduar të një institucioni dikur prestigjioz që ka dhënë shumë për këtë vend. Është koha e fundit për zgjidhjen e këtij problemi, duke e shkarkuar fillimisht menaxhmentin e tij, për të filluar pastaj verifikimin e të gjithë titujve shkencorë”, shtoi Haxhiu.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje potencoi se Universiteti është shndërruar në makineri për përfitime partiake. Deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, tha se UP-në e ka përfshirë kaosi moral, institucional dhe ligjor.

Këshilli Drejtues duhet që nesër të shkarkojë rektorin Ibrahim Gashi, pra të jetë vendim obligativ, po ashtu duhet urgjentisht të largohen forcat e policisë nga hapësira e Universitetit, sepse nuk mund të mbrohet injoranca me masa represive”, u shpreh Kasolli.

Gjendje jo të mirë në arsimin e lartë tha se konsideron edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Vataj. Ai doli në mbrojtje udhëheqjes së UP- së dhe Ministrisë së Arsimit, duke thënë se universiteti ende po i vuan pasojat e viteve ’90-të.

“Nëse duhet të merremi me ata që botojnë në revista të dyshimta dhe jo kualitative, duhet të merremi edhe me ata që nuk publikojnë fare dhe në qetësi avancohen dhe marrin përfitime nga ato avancime. Prandaj, për të mos ardhur në keqinterpretime, përgjegjësi më të madhe duhet Komisionet recensuese dhe këshillat e fakulteteve”, tha Vataj.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, iu drejtua deputetëve duke thënë se si ministria ka ndërmarrë të gjitha detyrat që i takojnë me ligj.

Në debatin për Universitetin e Prishtinës në seancën e Kuvendit të Kosovës u paraqit edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, cili kërkoi nga të gjithë deputetët që të verifikohen të gjitha gradat shkencore prej vitit 1991 e deri më tani.

“Kërkoj nga ju të gjithë, mbështetjen në propozimin tim si kryeministër që të kërkojmë sot, qoftë deklaratë, qoftë rezolutë të gjithë të bashkuar si skenë politike, nëse nuk kemi frikë për njerëzit që i kemi brenda partive politike dhe nëse kemi guxim të marrim atë vendim që të kërkojmë nga senati i UP-së verifikimin e të gjithë titujve dhe gradave shkencore të njerëzve të politikës kosovare që nga viti 1991 deri më sot”, tha Thaçi.

Për zhvillimet e sotme, klikoni këtu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG