Ndërlidhjet

Barnatoret e pa licencuara do të mbyllen


Inspektorati Farmaceutik i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), ka inspektuar së fundmi subjektet farmaceutike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, të cilat veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarë në këtë agjenci thonë se janë evidentuar parregullsi në subjektin farmaceutik dhe si rezultat janë mbyllur disa barnatore, të cilat nuk kanë pasur licencë për ushtrimin e veprimtarisë si dhe nuk kanë pasur farmacistë.

Farmacisti Alban Desku i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ata të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, duke e thyer ligjin, i dëmtojnë farmacistët e licencuar.

"Barnatoret që operojnë pa licencë na dëmtojnë shumë neve si farmacistë. Ato barnatore që janë mbyllur është për shkak se nuk e kanë respektuar ligjin, ata kanë operuar edhe me barna që nuk janë të regjistruara në Kosovë. Këto janë të mjaftueshme që një barnatore të mbyllet", thotë Desku.

Ndryshe zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se së fundmi është rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative në fushën e farmaceutikës.

"Vlerësimet e kohëve të fundit të cilat janë intensifikuar nga ana e inspektoratit farmacautik të AKPM-së reflektojnë përkushtimin e këtij agjencioni që të vendoset rregull në sektorin farmaceutik. Me qëllim të luftimit të dukurive negative të pranishme, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me AKPM në ka rritur numrin e inspektorëve për pesë e gjithashtu edhe pesë inspektorë tjerë shëndetësorë janë rekrutuar".

"Kështu që me dhjetë inspektorë më shumë, sistemi shëndetësor dhe sistemi farmaceutik kanë shumë më tepër mundësi të jenë të pranishëm aty ku ndodh shkelja e ligjit. Qëllimi i agjencionit dhe ministrisë është që barnat që
shpërndahen përmes qarkulluesve të ndryshëm farmaceutik të jenë të sigurta dhe të mos e rrezikojnë shëndetin publik"
, bën të ditur Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim Ministrinë e Shëndetësisë.

Por zoti Desku e ka e dhe një brengë, ku thotë se i njëjti rregull nuk vlen edhe për farmacitë shtetërore. Sipas tij shumë nga to operojnë të pa licencuara dhe pa farmacistë.

"Nëse kjo rregull vlen për institucionet private, kjo do duhej të respektohej edhe në barnatore shtetërore, pra të kërkohet licencë dhe gjithsesi që ky ligj do duhej të zbatohet në institucionet publike, si në qendra të mjekësisë familjare, spitale rajonale".

"Le që nuk kanë licencë pune, por nuk kanë as farmacist e as teknik farmacie. Ata persona që operojnë me barna minimumi i tyre është shkolla e mesme e mjekësisë. Do kisha dashur që ligji të jetë i barabartë për të gjithë", shprehet Desku.

Derisa një gjë të tillë e mohon zoti Hoti duke thënë përmes postës elektronike se të gjithë farmacistët që punojnë në farmacitë shtetërore janë të licencuar.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në AKPM , gjatë inspektimeve në qytetin e Prizrenit dhe të Gjilanit, nuk është hasur në ndonjë subjekt farmaceutik që vepron kundër ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG