Ndërlidhjet

Maqedoni: Të diplomuarit, jokonkurrues në tregun e punës


Ilustrim
Ilustrim
Ligji përmes së cilit është paraparë që shkollimi i mesëm të jetë i detyrueshëm për çdo të ri, vetvetiu nuk paraqet garanci për rritjen e kualitetit të procesit arsimor në Maqedoni, konsideron Neda Korunovska, nga organizata joqeveritare “Reaktor”, që në fokus ka procesin e edukimit të të rinjve.

Korunovska thekson se problem e shumë të madh paraqesin grupet e margjinalizuara të shoqërisë, të cilat pjesërisht janë të përfshira në sistemin arsimor.

“Të dhënat që kanë bërë organizatat e ndryshme joqeveritare nxjerrin në pah se është në rritje numri i atyre familjeve, që, për të siguruar bukën e gojës, detyrohen të gjejnë punë sezonale duke u shpërngulur në një vend tjetër”.

“Për fat të keq fëmijët e këtyre familjeve menjëherë nuk mund të përfshihen në procesin arsimor në ato vende ku punojnë përkohësisht prindërit e tyre, kështu që atyre e vetmja alternativë u mbetet që në fund të vitit t`u nënshtrohen provimeve të klasës dhe mbarojnë shkollimin. Dhe si përfundim, këta të rinjtë vijojnë studimet pa një edukim të kompletuar nga shkolla e mesme”, thotë Korunovska.

Ndërkohë, ish-ministri i Arsimit në Maqedoni, Sulejman Rushiti, thotë se se institucionet që duhet ta garantojnë cilësinë e arsimit, janë në radhë të parë vetë universiteti, pastaj profesori, si ligjërues dhe bartës i lëndës, dhe gjithsesi edhe përgjegjësia e studentit, sepse qëllim parësor duhet të ketë aftësimin në një lëmi të caktuar dhe jo marrjen e një diplome.

“Me ekonominë e tregut gjërat definohen shumë qartë. Ekonomia e tregut kërkon njerëz të aftë, të cilët do t`u përgjigjen kërkesave në treg. Ana tjetër është se institucionet arsimore përfundimisht duhet të kenë mundësinë që të zbatojnë dijen e tyre edhe në praktikë, duke u inkuadruar në punë praktike, sepse kjo është jashtëzakonisht e nevojshme gati se për të gjitha profilet”, vlerëson Rushiti, aktualisht ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ai thotë se për t`u arritur kjo, nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me kompanitë private dhe institucionet arsimore gjë, e cila duket se mungon në Maqedoni. Sipas Rushitit, studentët më të mirë perspektivën duhet ta shohin në sektorin privat dhe jo në institucionet shtetërore siç ndodh në Maqedoni.

“Ajo që ndodh në të gjitha shoqëritë, pra fenomeni i kriminalitetit në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse kriminalitet është edhe mosrespektimi i institucioneve, në këtë rast i universiteteve, gjegjësisht shkelja e ligjeve dhe procedurave, funksionimi në kaos që është prezent në shoqëritë jostabile ose siç e kemi ne zakon t`i quajmë shoqëri të tranzicionit. Për t’u realizuar reformat që do ta çonin procesin në drejtimin e mbarë, nuk mjafton vetëm një komponent, por disa procese duhet të realizohen paralelisht, por mbi të gjitha duhet pasur parasysh përgjegjësinë individuale”, shton Rushiti.

Nga ana tjetër, Marjan Zabërcanec, nga Forumi Rinor për Arsim, lidhur me uljen e cilësisë së arsimit dhe njëherësh moskonkurrencën e të rinjve në tregun e punës, thotë:

“Në këtë mënyrë me disperzimin e studimeve vetëm se thellohet problemi që është më se evident në institucionet e larta arsimore, e ajo është mungesa e cilësisë. Do të thotë se në vend se shteti të angazhohet në rritjen e cilësisë në fakultet ekzistuese, në luftën për të mbledhur sa më shumë student, vetëm se rrit numrin e kuadrit jo të profilizuar sa duhet për tregun e punës në më shumë qytete të vendit”.

Ai thekson se duhet angazhuar në prodhimin e kuadrit të tillë, konform kërkesave të sektorit privat, kuadër i cili do të disponojë me aftësi të mjaftueshme që të inkuadrohet menjëherë në punë.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian është apostrofuar si problem, niveli shumë i lartë i papunësisë në mesin e të rinjve, gjegjësisht të atyre që janë nën moshën 30-vjeçare, duke përfshirë mbi 50% të numrit të papunëve në Maqedoni. Ky nivel e bën vendin të radhitet i fundit sa i përket papunësisë në mesin e të rinjve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG