Ndërlidhjet

Ngjarjet kryesore të vitit 2013 në Shqipëri


Pamje nga Tirana
Pamje nga Tirana
Viti 2013 solli për shqiptarët ndryshimin e kursit politik. Zgjedhjet e 23 qershorit, fitorja e thellë e Partisë Socialiste falë koalicionit me LSI-në, si dhe dorëheqja e liderit historik të PD Sali Berisha ishin disa prej momenteve shënjuese të këtij viti.

Refuzimi i asgjësimit të lëndëve kimike të Sirisë ngjalli një solidaritet social, i pari i kësaj natyre në shoqërinë shqiptare, por refuzimi i statusit të vendit kandidat ishte një dhuratë jo e mirë për festat e fundvitit nga BE për qytetarët e Shqipërisë.

Analisti Fatos Lubonja e sheh vitin 2013 si një vit që shënoi një ngjarje të rëndësishme, siç ishin gjedhjet e përgjithshme.

“Zgjedhjet u zhvilluan paqësisht, po ajo që u vu re ishte se nga palët nuk pati akuza për manipulime, kjo ndoshta si pasojë e rezultatit të thellë”, thotë ai.

Për analistin Lubonja zgjedhjet e 23 qershorit shpalosën një element negativ, blerjen e votës.

“Në këto zgjedhje u vu re një fenomen ndoshta i ri, fenomeni i blerjes së votës nga partia LSI kryesisht, që tregon shkallën e ulët të kredibilitetit të klasës politike; pra kur qytetari blen votën kjo tregon se për ta nuk ka më rëndësi se për kë e hedh votën”.

Për gazetaren Mimoza Koçiu, ndër momente më të rëndësishme të vitit 2013, ishte përfshirja e Shqipërisë në gjurmën e kalimit të gazjsellësit.

“Projekti TAP do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion shumë të mirë gjeopolitik përveç përfitimit ekonomik. Kjo tregon se edhe për një vend të vogël, pavarësisht resurseve që ka, kur lobohet mirë, gjërat janë të arritshme dhe projekti TAP ishte një sukses i Shqipërisë që e vendos në vëmendje të zhvillimeve të ardhshme politike e ekonomike”, thotë zonja Koçiu.

Për zonjën Koçiu, dorëheqja e kryetarit të PD Sali Berisha, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhje, ishte një tjetër moment i rëndësishëm politik për vitin 2013 që dha një model demokratizues në politikën shqiptare.

Në qeverisjen e re të së majtës, analisti Lubonja mendon se ajo që bie në sy veç pastrimit të territorit e aksionit për mbylljen e lojërave të fatit, janë edhe zëvendësimet në administratë.

Qeveria e re po përpiqet që të bëjë disa aksione që synojnë më shumë ndëshkimin dhe dënimin e asaj që është bërë më parë. Ajo që bie në sy është zëvendësimi i administratës, pastrimi i administratës nga militantët e PD me militantë të mazhorancës”, thotë zoti Lubonja.

Refuzimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ka një reflektim të ndryshëm në opinionet e analistit Lubonja e gazetares Koçiu.

Zoti Lubonja thotë se ka qenë situata politike, gjendja e sistemit të drejtësisë e mosrealizimi i reformave që e ndëshkoi Shqipërinë në vitin 2013.

“Duhet të shohim veten në pasqyrë. Forcat politike bëjnë garë se kush ishte përgjegjës që nuk e morëm statusin, por mendoj se përgjegjësia është shumë e gjerë. Refuzimi është pasqyrim i gjendjes së Shqipërisë sot”, thotë Lubonjë.

Ndërsa Mimoza Koçiu, e sheh si një qasje jo të barabartë të BE-së për vendimin për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë, dhe hapjen e negociatave me Serbinë.

“Kondicionaliteti politik ka funksionuar në mënyrë të ndryshme në vendet e Ballkanit; ndërkohë që Shqipërisë iu refuzua statusi për herë të katërt, për disa prej vendeve si me Serbinë për shembull, nuk u ndoq ky kondicionalitet”, thotë ajo.

Pritshmëritë për 2014 janë të ndryshme, por ajo që dihet është se duke nisur që nga 1 janari , shqiptarët i nënshtrohen një sistemi të ri taksimi mbi të ardhurat, çka do të diktojë dhe mbarëvajtjen e tyre ekonomike e sociale gjatë vitit të ri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG