Ndërlidhjet

Pushimet dimërore, dëshira të parealizuara


Ilustrim
Ilustrim

Dëshirat e disa të rinjve kosovarë që pushimet dimërore apo të fundvitit, t’i kalojnë jashtë territorit të Kosovës, për shumicën e tyre nuk mund të realizohen për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Megjithatë, në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga ta thonë se ndonjë vikend do të kalojnë në kompleksin turistik “Brezovica” dhe në Malet e Rugovës, të tjerë nuk kanë mundësi financiare që të planifikojnë ndonjë pushim as brenda në Kosovë, e ka edhe nga ta që nuk u pëlqejnë pushimet në dimër.

Jetmir Berisha, është student në Fakultetin e Bujqësisë. Ai shpreh dëshirën e madhe për të shkuar në pushim, por pengesë për të paraqiten mjetet materiale.

“Duke marrë parasysh kushtet në Kosovë, është problem të planifikohen pushimet dimërore. Unë nuk kam planifikuar të shkoj, sepse nuk kam të ardhura. Patjetër se më pëlqejnë dhe dëshira më e madhe do të ishte të shkoj dhe të pushoj, të largohem nga jeta studentore, të qetësohem paksa, por kushtet...”, shprehet Jetmiri.

Por, disa studentë të tjerë thonë se gjatë kohës së pushimeve duhet të përgatiten për afatin e ardhshëm të provimeve. Ledion Bytyçi është njëri nga ta:

“Jemi studentë, ende nuk kemi standard. Kemi për t’u përgatitur për provime, kemi afatin e parë, unë jam në vitin e dytë dhe konsiderohet më i vështirë. Është një konkurrencë më e madhe për notë. Vendet malore që ka Kosova, janë një bukuri dhe veçohemi nga vendet tjera, por këtë vit nuk do të mund t’i vizitoj”.

Afati i provimeve paraqitet pengesë për të vizituar ndonjë vend turistik, si në Kosovë, po ashtu edhe jashtë vendit, edhe për studenten e Fakultetit të Edukimit, Nazife Preniqi.

“Unë për vete nuk i kam planifikuar pushimet dimërore. Thënë në përgjithësi, të rinjtë në Kosovë nuk kanë kushte për të shpenzuar për pushimet dimërore. Por, unë nuk mundem të shkoj për shkak të afatit të provimeve”, pohon Nazifja.

Turizmi dimëror konsiderohet atraksion interesant për ata që e adhurojnë skijimin në Kosovë.

Florent Zeqiri, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, thotë se e adhuron skijimin, por këtë vit nuk mund të vizitojë ndonjë vend për shkak të obligime që ka në fakultet. Ai tregon se shpesh ka vizituar qendrën e skijmit “Brezovica”.

“Kemi provime, nuk kemi kohë. Po të isha më i lirë nga angazhimet, me gjithë qejf do të shkoja. E dua skjimin, në ‘Brezovicë’ kam shkuar viteve të kaluara me shoqëri dhe kemi kaluar shumë mirë”, tregon Florenti.

Por, Esat Kurtishi, i cili punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, obligimet familjare nuk e lejojnë që t’i kalojë jashtë shtëpisë pushimet dimërore.

“Nuk do të shkoj askund. E kam një fëmijë të vogël, edhe ashtu nuk më pëlqen skijimi. Më mirë rri me familje. Edhe është shumë shtrenjtë. Kam qenë një herë në ‘Brezovicë’ dhe më kanë shkuar 50 euro për një ditë. Kjo është tepër. Edhe pse prapë po them, se kushte kam, por nuk më krijon kënaqësi. Këtu është problemi, duhet të qëndroj me familje”, thotë Esati.

Blerta Kastrati, 25-vjeçare, është e papunë, kështu që nuk ka mundësi të bëjë plane për ndonjë pushim dimëror.

“Kam dëshirë të shkoj, por jam e papunë dhe nuk kam mundësi. Kështu që, as nuk planifikoj ndonjëherë pushime dimërore”, thekson Blerta.

Por, ndryshe nga ta, Zaim Latifi, me padurim pret datën 28 të këtij muaji, që të shkojë në Bogë me shokë. Ai, duke qeshur thotë se nuk punon dhe mjetet financiare do t’i marrë nga prindërit, përndryshe do të qëndronte më gjatë, jo tri ditë sa kanë planifikuar.

“Në Bogë po shpresojmë, kushtet janë të mira. Shpenzimet do të paguhen nga familja”, thotë Zaimi.

Fatmire Selimi, studente në Fakultetin Juridik, thotë se janë organizuar me disa kolegë të fakultetit, që një vikend ta kalojnë duke u skijuar.

“Do të bëjmë ndonjë organizim me universitet. Nuk jemi duke punuar, por kemi mundësi të shkojmë dhe në këtë mënyrë t’i realizojmë dëshirat tona”, tregon Fatmirja.
XS
SM
MD
LG