Ndërlidhjet

FT: Diplomacia e arsyetuar e Ashtonit


Catherine Ashton
Catherine Ashton
Njerëzit më të mirë në Ukrainë, ata që dëshirojnë vend të mirë, më pak të korruptuar, më të hapur, përsëri janë në rrugë, duke i rezistuar të ftohtit dhe policisë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Financial Times, duke shpjeguar se ata i valëvisin flamujt evropianë.

Zonja Ashton, shefja e politikës së jashtme të BE-së, është atje për të biseduar me qeverinë, por qeveria nuk di se çka të bëjë. Qeveria është, me gjasë, e frikësuar se nëse e përdorë forcën, disa nga policët do të dalin në anën e demonstruesve, tashmë ka pasur shenja të këtilla.

Gjëja e pazakonshme është se protestat në kryeqytetin Kiev kanë për qëllim që t’i bëjnë presion qeverisë ta nënshkruajë një “marrëveshje për tregti të lirë gjithëpërfshirëse dhe të thellë” me BE-në.

A është kjo një demonstratë në favor të burokracisë, e shtron pyetjen gazeta, dhe vazhdon se rrjedhimisht , BE-ja si shtëpi e burokracisë, burokraci në shtëpi, diçka banale jashtë; banalitet për paqe, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Por, tash dhe atëherë, Bashkimi Evropian e tregon vetveten në dritë tjetër.

Mediat, së paku në Britani, e kanë zbuluar zonjën Ashton para disa javësh. Negociatat me Iranin lidhur me programin atomik të tij, janë paraqitur si bisedime të gjashtë fuqive botërore, e nuk është përmendur se këto gjashtë fuqi ishin të udhëhequra nga Catherine Ashton.

Marrëveshja me Iranin e ka vënë fotografinë e saj në faqet e para të gazetave. Sikur në të gjitha sukseset, ka pasur shumë kontribuues, por fotografia dhe lëvizjet e trupit në konferencën për shtyp, pas marrëveshjes, e bënë të qartë se ajo ishte njëra nga kontribuueset.

Më herët këtë vit, ishte po ashtu zonja Ashton, e cila e shpalli një tjetër marrëveshje: kësaj radhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Askush, që e kupton çështjen ndërmjet Serbisë e Kosovës, nuk do ta kishte parashikuar këtë, përkundrazi, shumë e kanë parashikuar të kundërtën, shkruan Financial Times.

Të gjitha palët e involvuara i kanë dhënë merita durimit të saj, raporteve të saja me njerëz, aftësinë e saj për të qenë e sinqertë, e asnjëherë agresive: këto cilësi pothuaj të pakapshme, ne tash i quajmë “inteligjencë emocionale”.

Të gjitha këto janë tregime për Evropën. Bisedimet gjashtëpalëshe u rritën nga nisma Gjermane, Franceze dhe Britanike, para 10 vitesh, për të siguruar se Irani po menaxhohej më mirë se Iraku. Grupi ishte zgjeruar, së pari me përfshirjen e BE-së, pastaj me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Javier Solana dhe pasardhësja e tij, Catherine Ashton, kanë vepruar si kryesues dhe negociator.

Derisa Mahmoud Ahmadinejad ishte president i Iranit, dhe veçanërisht pasi Saeed Jalili, u bë negociator i Teheranit, pala iraniane nuk ka treguar shenja se është serioze. Në përgjigje, Bashkimi Evropian ka imponuar sanksione ekonomike, së pari nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e pastaj, kur Rusia dhe Kina nuk ishin të gatshme të shkojnë më tutje, këtë e bënë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera bashkëmendimtare.

Në Serbi dhe Kosovë, nuk ka pasur sanksione, por dëshira e të dy palëve, që eventualisht t’i bashkohen BE-së, i ka udhëhequr ato në bisedime. Tregimi është prekës pasi BE-ja është e ndarë lidhur me Kosovën: 23 vende e kanë njohur, ndërsa 5 vende jo. Por, nevoja për stabilitet në Ballkan, nënkupton gjithë mbështetjen për punën e zonjës Ashton me Serbinë dhe Kosovën. Në zemërimin për krizën e euros, BE është e vetmja lojë në qytet, shkruan Financial Times.

E njëjta gjë është e vërtetë për Ukrainën, me përjashtim për ata që bëjnë para me politika të korruptuara ose janë të frikësuar nga kërcënimet ruse.

Nëse levat e BE-së për një moment janë më të dobëta se ato të Rusisë, gypsjellësit e së cilës e mbajnë Ukrainën në përqafim të hekurt, ka mënyra për të dalur nga kjo në afat të gjatë. Por, nëse sunduesit e Ukrainës nuk janë entuziastë të madh për rregullin në BE, kjo nuk është për arsye se ata janë euroskeptikë të stilit të Britanisë, por për shkak se ata frikësohen se do të kufizohej rrezja e veprimit për vjedhje.

Asnjëra nga këto tregime nuk ka përfunduar. Pas Marrëveshjes së Prillit ka pasur më tepër punë për Serbinë dhe Kosovën, dhe kjo po vazhdon.

Marrëveshja me Iranin është hapi i parë dhe puna reale pritet. Por, secila çështje e tregon potencialin e BE-së, kur i kombinon politikanët dhe ekonomitë në mënyrë inteligjente.

Iranianët votuan për presidentin Hassan Rohani, pasi ata dëshironin ta përfundojnë izolimin e tyre. Njerëzit në Serbi dhe Kosovë dëshirojnë t’i bashkohen BE-së. Këtë e dëshirojnë shumë në Ukrainë.

Në të gjitha anët e botës sonë ka njerëz, për të cilët paqja, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit nuk janë gjëra banale, njerëz që bile ndoshta preferojnë rregullim burokratik për padrejtësitë e sundimit autokratik.

Pa Hashim Thaçin, kryeministër i Kosovës, dhe pa Ivica Daçiqin, kryeministër i Serbisë, nuk do të kishte marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë. Marrëveshje nuk do të kishte as pa zonjën Ashton, poashtu.

Këta hapa përpara tregojnë se çka mund të bëhet nëse BE-ja vepron së bashku. Kjo do të thotë vizion, unitet dhe përkushtim,që ende nuk është çështje e angazhimit të BE-së me Ukrainën. Kjo, po ashtu, do të thotë të punohet me Shtetet e Bashkuara, që ka rol qendror në Iran dhe mbeten të domosdoshme në Ballkan. Kjo do të thotë për të qenë i gatshëm për ta vendosur muskulin aty ku është goja. Fuqia e butë është e mirë, por është më mirë me përfundim të fortë, shkruan pos tjerash, e përditshmja londineze, Financial Times, në një artikull të gjatë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG