Ndërlidhjet

Shqipëri: Fenomeni i dhunës si pasojë e tranzicionit të tejzgjatur


Ilustrim, foto nga arkivi
Ilustrim, foto nga arkivi
Dhuna në familje është një problem i vazhdueshëm në shoqërinë shqiptare. Vetëm gjatë vitit 2013 janë regjistruar 25 gra, të vrara si pasojë e dhunës së bashkëshortëve apo bashkëjetuesve të tyre. Por dhuna është një fenomen që ushtrohet jo vetem në familje, ajo haset mes fëmijëve, të rinjëve, në marrëdhëniet familjare e shoqërore.

Për Profesor Doktor Edmond Dragotin, përgjegjës departamenti në Fakultetin e Shkencave Sociale e Politikave Sociale në Universitetin e Tiranës, janë tre arsye bazë se përse dhuna është problematike në shoqërinë shqiptare…

Edmond Dragoti
Edmond Dragoti
“Dhuna është e pranishme në shoqërinë tonë, në rradhë të parë sepse ne trashëgojmë një kulturë konservative, totalitariste dhe patriakale ku dominate është kryesisht figura e burrit në familje, ose prindi ose gjyshi, të cilët dominojnë mbi fëmijët dhe mbi bashkëshortet e tyre".

"Së dyti është dhe kriza politiko-ekonomike, mungesa e punësimit, mungesa e të ardhurave, të cilat shtojnë stresin në familje dhe shtojnë konfliktin brenda saj".


"Së treti, ndikon edhe fakti që shoqëria shqiptare ende nuk e ka gjetur vehten, jemi në kërkim të identitetit të saj, ne jemi në një periudhë tranzicioni të gjithë-anshëm politik, ekonomik, shoqëror, moral e kulturor. “

Dhuna e agresiviteti janë të pranishëm edhe te fëmijët. Pak ditë më parë, në një shkollë të Shkozetit në Durrës, një 15 vjeçar vrau me armë zjarri në orën e mësimit shokun e tij të klasës, një ngjarje që solli në vëmendje fenomenin e dhunës ekstreme në këto mosha…

“Agresiviteti i fëmijëve, shpesh është një mënyrë e tyre për t’u mbrojtur nga një shoqëri e ashpër apo nga një mjedis tepër agresiv apo tepër konfliktual që iu ofrohet atyre, ku ata përpiqen të mbijetojnë apo të ruajnë veten e tyre, duke u sjellë në mënyrë agresive”, thotë Dragoti.

Për zotin Dragoti mekanizmi i duhur për të pakësuar femomenin e dhunës në shoqërinë shqiptare është zhvillimi i shoqërisë në aspektin social, ekonomik, kulturor.

Për të ky zhvillim do të kërkonte një angazhim total të shoqërisë edhe në nivelin e familjes, edhe në nivelin e individit.

“Shteti duhet të jetë shumë i vëmendshëm ndaj moshave të reja dhe ndaj fëmijëve, po ashtu edhe prindërit duhet të jenë profesional e të mirëinformuar për zgjidhjen e konflikteve brenda familjes, dhe shkolla duhet të jetë po aq profesionale dhe po aq shoqërore sa kanë nevojë fëmijët tanë për t’u drejtuar në jetë".

"Një shoqëri e pasigurt, kaotike, në një tranzicion të tejzgjatur, i humbet durimin kryesisht, moshave të reja, dhe kjoi i çon shpesh ata në zgjidhje e vendime të papërgjegjëshme siç janë rastet e vrasjeve apo të dhunës.”

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG