Ndërlidhjet

Analistët: Bashkësia Komunave Serbe, entitet i ri


Formimi i asociacioneve apo bashkësive të disa komunave, të cilat nuk do të mbështeteshin në komponentën etnike, do të ishte një veprim krejtësisht normal, por krijimi i asociacionit apo bashkësisë së komunave me bazë etnike, është jashtë kornizave të Kushtetutës së Kosovës, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese, si dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ata vlerësojnë se përmes Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, e cila pretendohet të krijohet, duke u bazuar në marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë do të krijohet pushteti i tretë.

Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se në përputhje me të drejtën evropiane, krijimi i asociacioneve të komunave, madje është edhe i dëshirueshëm.

Por, siç thotë ai, Bashkësia e Komunave Serbe pretendohet të formohet e pa harmonizuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ka indikacione shqetësuese se statutin e Asociacioni i komunave me shumicë serbe , e cila nga Beogradi quhet Bashkësi e Komunave Serbe, të mos përgatitet nga përfaqësuesit autorizuar të komunave por në Beograd apo Bruksel.

“Bashkësia e komunave që krijohet në baza etnike, nuk është plotësisht në harmoni me kushtetutën, sepse kushtetuta e ka përcaktuar Republikën e Kosovës shtet të qytetarëve dhe jo të etniteteve. Në këtë rast është indikative dhe mjaft shqetësuese rrethana se përgatitet një statut, për të cilin duhet të bëhen negociata".

"Në çdo negociatë, pala jonë ka bërë koncesione dhe droja është që Bashkësia e komunave do të rezultojë si një entitet specifik, me autorizime të veçanta e që ‘de jure’ po i bie si pushtet i tretë në Kosovë apo si pushtet paralel”
, thotë Smaka.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë pati thënë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “do të jetë një mekanizëm konsultativ, jo obligues dhe nuk do të ketë karakterin ekzekutiv apo legjislativ në asnjë rrethanë”.

Në anën tjetër, ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka theksuar se “Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të jetë një organizatë joqeveritare”.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Shpend Kursani, duke folur për Radion Evropa e lirë, ka vlerësuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të jetë organ vetëm konsultativ, as organizatë joqeveritare, pro as i njëjtë me asociacionet tjera të komunave në Kosovë.

“Ky asociacion është duke u krijuar në negociata me Serbinë dhe ka karakter etnik. Pra, do të jetë asociacion vetëm i komunave serbe dhe meqë kjo po krijohet në negociata me Serbinë, kjo e fundit po mundohet që kompetencat ekzekutive që i kanë këto komuna serbe, t’ia bartë Asociacionit të komunave serbe që do të krijohet. Në fund, duket ashtu, do të përfundohet një entitet i ri, por i cili, natyrisht për çështje stabiliteti nuk do të thirret ‘entitet’, por do të thirret ‘asociacion’. Por, do t’i kryej funksionet e një entiteti”, shprehet Kursani.

Por, cilat mund të jenë implikimet në rast se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të shndërrohej në, siç e quajnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese dhe njohësit e zhvillimeve politike, pushtet të tretë?

Smaka vlerëson se një fakt i tillë do ta trazonte tërësisht rendin juridik në vend, i cili sipas Kushtetutës së Kosovës, është unik për tërë vendin.

“Do të thotë, e trazon (rendin juridik), sepse i ka autorizimet për arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi, sport, më pastaj, për administratë, për gjuhë. Tanimë do të zhvillohen negociata, sa i përket gjykatës së apelit. Në qoftë se edhe ajo krijohet, atëherë, komplet veriu po e krijon një ‘Republika serbe’ që mund të quhet edhe ‘bashkësi territoriale e një komune’, por në esencë dhe në substancë do të krijohej një entitet i veçantë, që do të thotë se edhe ‘de jure’ do të federalizohej Kosova”, thekson Smaka.

Kursani thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, jo vetëm që është potencial për një pushtet të tretë në Kosovë, pro edhe burim i kontradiktave të tjera me pasoja.

Më e keqja nuk është vetëm krijimi i një pushteti të tretë, por vet fakti se të gjitha komunat që bëjnë pjesë në këtë Asociacion, do të kenë qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, e cila qasje është veprim kundër kushtetues dhe sabotim i republikës së Kosovës, që dënohet me ligj në bazë të Kodit penal të Kosovës”, thotë Kursani.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, pushtetin lokal në 9 komuna me shumicë serbe e ka fituar Iniciativa qytetare Serbe, e cila është mbështetur drejtë për drejtë dhe hapur nga Qeveria e Serbisë.

Përfaqësuesit e këtij subjekti kanë theksuar se kryetarët e komunave, që i takojnë këtij subjekti politik, nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovë, do të punojnë kundër saj, si dhe do të kenë qasje neutrale ndaj statusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG