Në sistemin parauniversitar, cilësia në arsim nuk është në nivelin e kënaqshëm, e kjo fillon nga menaxhimi i shkollës, tekstet dhe planprogrami shkollor, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pupovci, cilësia në sistemin e arsimit është një çështje për të cilën flasin e kritikojnë të gjithë, por duket sikur nuk është bërë punë e mjaftueshme për ta ngritur atë në nivelin e duhur. Cilët janë faktorët që pengojnë arritjet në këtë drejtim?
DUKAGJIN PUPOVCI
Cilësia në arsim është një çështje komplekse e cila varet nga infrastruktura, por në masë të madhe varet edhe nga mënyra se si menaxhohet shkolla, mësimdhënia, tekstet mësimore. Disa avancime sidomos në fushën e infrastrukturës janë bërë, në fushën e menaxhimit të shkollës kemi diferenca serioze në sistem, sepse posti i drejtorit të shkollës vazhdon të jetë i politizuar.
Pastaj, mësimdhënësit pranohen në punë nga drejtoritë komunale të arsimit, dhe nuk i përgjigjen për punën e vetë drejtorit të shkollës dhe kjo krijon një atmosferë pa përgjegjësie brenda institucionit shkollor. Dhe e gjithë kjo se bashku më deficiencat të cilat ekzistojnë në mësimdhënie , bashkë më problemet që kanë tekstet shkollore dhe plan-programet krijon një cilësi jo të kënaqshme të sistemit të arsimit.
Gjithsesi këtu ka shumë punë për t’u bërë, dhe është një punë e cila duhet të bërë në mënyrë sistematike dhe në të gjitha rrafshet dhe jo të thuhet se më ndryshimin e plan-programeve apo teksteve mësimore do të arrijmë një cilësi më të mirë. Sepse nuk është ashtu, por duhet të bëhen ndryshime edhe në menaxhim por edhe në mësimdhënie, duhet të bëhen ndryshime edhe në fusha tjera për të arritur cilësi.
RADIO EVROPA E LIRË
Reformat në çdo lëmi nuk janë edhe aq të lehta dhe normalisht as sistemi i arsimit nuk bën përjashtim. Një nga problemet në zbatimin e reformave shpesh është thënë se ka të bëjë me gatishmërinë dhe përgatitjen e mësimdhënësve për t’u përballur me ndryshimet?
DUKAGJIN PUPOVCI
Ashtu është, sikurse mësimdhënësit të ishin të përgatitur si duhet, atëherë nuk do të kishte probleme të cilat tashme ne i kemi në Kosovë. Ne duhet të dimë se deri vonë, mësimdhënia nuk ka qenë profesion në Kosovë, ashtu siç nuk ka qenë as në Ballkan. Sepse është besuar se nëse dikush ka një përgatitje të duhur akademike, qoftë nga fakulteti apo nga shkolla e lartë, atëherë apriori do të jetë edhe mësimdhënës i mirë.
Në fakt mësimdhënia është një shkathtësi, është një art i cili njeriu vazhdimisht të mësojë dhe kultivojë. Dhe kjo akoma nuk ka hyrë sa duhet në shkollat tona. Megjithëse janë bërë përpjekje me trajnime, përpjekje të shumta me zhvillim profesional të mësimdhënësve, por një faktorë mungon, mungon faktori i përcjelljes se mësimdhënësve gjatë punës së tyre në shkollë.
Mësimdhënësit kanë nevojë për këshilla, ata kanë nevojë që dikush t’i motivojë, mësimdhënësit kanë nevojë që të flasin me njëri tjetrin për çështje të arsimit, të konsultohen. Dhe këto sisteme në shkollat tona nuk ekzistojnë, dhe kjo pastaj bënë që mësimdhënësi si një “lojtar i vetmuar” në klasë të mos gjendet gjithmonë si duhet. Dhe ky është një faktor që patjetër ndikon në cilësinë e arsimit.
Për shembull, një ndër vendet që njihet për cilësi të lartë të arsimit Finlanda, ia atribuon krejt cilësinë e arsimit të vetë, pikërisht mësimdhënësve të përgatitur që i ka. Nuk ka as sistem inspeksioni, nuk ka as sistem kontrolli, por i ka mësimdhënësit e përgatitur mirë. Prandaj, ata janë faktorë shumë i rëndësishëm.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, sa mund të kenë këto reforma zbatim, në një klasë të shkollës fillore ose të mesme me gati 40 nxënës?
DUKAGJIN PUPOVCI
Kjo situatë është në përmirësim e sipër. Unë dua të them se 40 nxënës është numër i madh në klasë. Por, duhet të dimë se disa shtete të Bashkimit Evropian, para 30 vitesh i kanë pasur po ashtu nga 40 nxënës dhe kanë arritur të zhvillohen. Kur mësimdhënësi është i përgatitur të punojë me numër më të madh të nxënësve, 40 nxënës nuk është ndonjë numër i patejkalueshëm.
Megjithatë, investimet që janë bërë në infrastrukturë kohëve të fundit kanë bërë të mundur që në shumicën e shkollave, posaçërisht ato që nuk janë në qendrat e mëdha urbane numri i nxënësve të jetë më afër standardit. Mirëpo edhe aty ku numri i nxënësve është më afër standardit, për fat të keq, ne nuk kemi një arsim më cilësor. Sepse do të ishte normale që arsimi më cilësor të jetë në një shkollë fshati, ku për shembull klasa i ka 20-25 nxënës.
Por, ky nuk është rasti. Dhe kjo na tregon se problemi kryesor nuk është numri i nxënësve në klasë. Problemi kryesor është qasja ndaj atyre nxënësve. Do të thotë mënyra se si punohet me ta. Dhe kjo përsëri na sjell te problemi i cilësisë se mësimdhënies, përgatitjes së mësimdhënësve, kontrollit të cilësisë, përkrahje se tyre e kështu me radhe.
RADIO EVROPA E LIRË
Sipas standardeve, sa duhet të jetë numri i nxënësve në një klasë?
DUKAGJIN PUPOVCI
Sipas standardeve në Kosovë duhet të jetë 32. Do të thotë është një numër maksimal i nxënësve që duhet të jetë në klasë. Në vendet tjera të botës shkon prej 26-35 varësisht nga ajo se sa kanë resurse për të investuar.
RADIO EVROPA E LIRË
Nga perspektiva e një nxënësi të shkollës fillore, problemet nisin nga literatura që ka në dispozicion, klasa e mbingarkuar e deri të çanta e rëndë në shpinë. Nga perspektiva juaj, cili duhet të jetë hapi i parë që autoritetet përkatëse duhet të ndërmarrin për të mundësuar një mësim nxënie efektive?
DUKAGJIN PUPOVCI
Fillimisht po ndalemi te çështja e literaturës. Ne ende bazohemi në tekste mësimore, por në kohën e sotme një qasje e tillë nuk është e drejtë, pasi që një numër i madh i fëmijëve, kanë akses në internet, dhe marrin informata shumë përpara, se sa t’i shohin të njëjta informata në një formë më “monotone” në tekstet e veta mësimore.
Ne duhet të marrim parasysh faktin se Kosova ka një penetrim në internet në shkallën 72 për qind, që është shkalla si disa vende të Bashkimit Evropian, si Bullgaria dhe Greqia. Dhe kjo duhet të reflektohet edhe në shkolla, pra duhet që të shfrytëzohen edhe materiale shtesë, në mënyrë që të fëmijët të nxitet shkathtësia për të hulumtuar materiale të tjera. Por, në anën tjetër të iu bëhet e mundur që ata të mbi ndërtojnë mbi përvojën e tyre të cilën e fitojnë dita ditës duke hulumtuar në internet.
Ndërkaq, kur bëhet fjalë për çantat, është një standard që pesha e çantës duhet të jetë 10-15 për qind e peshës se fëmijës. Dhe për këtë drejtim janë bërë shumë hulumtime në botë, sepse nuk është Kosova vendi i vetëm ku çantat janë shumë të rënda. Dhe vendet tjera e kanë zgjedhur problemin në këtë mënyrë: më instalimin e dollapëve nëpër shkolla, ku fëmijët mund t’i lënë një pjesë të librave, pastaj më përmirësimin e orareve të mësimit.
Sepse konsiderohet se çanta është më rëndë, atëherë kur fëmijët kanë kulturë fizike, art e kështu më radhë, sepse duhet ti marrin më vete pajisjet. Pra, gjithmonë duhet të pasur kujdes që këto lëndë të mos jenë në ditën e njëjtë. Elementi tjetër është se fletorët e punës, shpesh herë në vendet e zhvilluar përgatiten në atë mënyrë që fletët prej tyre të mund të shkëputën, në mënyrë që fëmija mos të ketë nevojë ta merr më vete gjithë fletoren e punës.
Çështja tjetër është udhëzimet që i jep mësuesi. Nuk duhet të kërkoi mësuesi që t’i sjellin të gjitha librat me veti, por duhet ti planifikojë dhe paralajmëroi. Dhe të fundit janë prindërit që duhet t’ju ndihmojnë fëmijëve të tyre, t’i përgatisin librat dhe pajisjet shkollore duke i krahasuar ato më orarin e mësimit, jo t’i lënë ata vetëm. Sepse sidomos fëmijët e vegjël tentojnë që ti marrin të gjitha librat më vete dhe kjo pastaj shkakton peshë të çantës.
RADIO EVROPA E LIRË
“Kam marrë notë të dobët në test, por kam marrë notë të mirë gjatë shpjegimit te tabela”...ky është shpjegimi që më së shumti dëgjohet nga nxënësit dhe që për shumëkë ka ngritur një dilemë, nëse mënyra e notimit të fëmijëve sot është efektive sa duhet. Ju si mendoni, ku qëndron problemi?
DUKAGJIN PUPOVCI
Ka metoda të ndryshme të vlerësimit të cilat përdorën, sigurisht që edhe testi është njëra prej tyre, e cila mundëson që në një mënyrë më objektive të vlerësohet nxënësi. Vlerësimi në tabelë në të shumtën e rasteve është subjektiv, sepse atë e jep mësimdhënësi në bazë të përshtypjes të cilën e fiton.
Format e vlerësimit duhet të kombinohen pra duhet të ketë edhe teste edhe vlerësime ne tabelë, duhet të ketë edhe projekte, hartime dhe angazhime në mënyrë që nxënësi ta dijë se çdo formë e punës se tij do të vlerësohet. Faktikisht vlerësimi në një mënyrë i përgatit nxënësit për jetë. Dhe njerëzit në jetë nuk vlerësohen as në tabelë, as më test. Vlerësohet shpesh herë në bazë të përshtypjes që një mbikëqyrës i personit në raport më të, apo në bazë të përshtypjes që kanë qytetarët për dikë që kryen shërbime për qytetarët.
Dhe besoj edhe në shkollë, kjo është një çështje e cila duhet të rregullohet në këtë mënyrë. Por, është fakt se te ne, vlerësimi nuk është i standardizuar, pra shpesh herë i mbetet mësimdhënësit që në bazë të përshtypjes së vetë të nxjerrë vlerësimin. Dhe kjo bënë që shpesh herë të kemi pa- krahasueshmëri në nota në mes nxënësve. Sepse ato varen jo vetëm nga kriteri i mësimdhënësit por edhe nga mjedisi ku zhvillohet mësimi.
Në disa mjedise patjetër se kriteri është më i ulët se në mjedisin tjetër. Mendoi se në këtë drejtim duhet të punohet e në veçanti duke i favorizuar këto testet e standardizuara që tregojnë se ku janë nxënësit. Por, nuk është qëllimi i testit vetëm t’i jap fëmijët një notë, qëllimi i testit është gjithnjë që mësimdhënësit ti kthehet lëndës se vetë, të sheh ku janë pikat e dobëta dhe të bëjë përpjekje që të përmirësoi ato, në mënyrë që fëmija ti tejkaloi vështirësitë eventuale.