Ndërlidhjet

Pjesëmarrja e votuesve në balotazh, mbi 40 për qind


Pjesëmarrja e votuesve në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash është mbi 40 për qind.

Balotazhi është mbajtur në gjithsejt 25 komuna, përfshirë këtu edhe Mitrovicën e veriut dhe tri vendvotime në Zveçan, ku është përsëritur procesi i votimit të mbajtur më 3 nëntor.

Procesi i votimit në garën për balotazh është zhvilluar qetë, pa ndonjë incident, ndërsa është raportuar për disa parregullsi por që nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Balotazhi i 1 dhjetorit në 25 komuna doli nga zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat u cilësuan si historike për faktin se për herë të parë u organizuan nga institucionet e Kosovës edhe në veri të vendit, ku 3 qendra votimi qenë mbyllur shkaku i sulmeve, dhe votimi ishte ndërprerë për t'u përsëritur më 17 nëntor.

Më herët, gjatë ditës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë,Tracy Ann Jacobson, deklaroi se procesi zgjedhor për Kosovën është i rëndësishëm. Zonja Jacobson i bëri këto komente gjatë vizitës në një vendvotim në Shkollën fillore "Faik Konica" në Prishtinë.

“Është proces i rëndësishëm. Kosova bëri një punë të mirë më 3 nëntor, njësoj siç ndodhi edhe në votimet e 17 nëntor në Mitrovicën veriore. Kështu që është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë dinamikë, në mënyrë që votuesit të dalin edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë, kurse partitë politike të sigurohen që e gjithë puna të jetë në harmoni me ligjin”, deklaroi Jacobson.

Një pritje një ditë para balotazhit për të gjithë gjithë komponentët e përfshirë në procesin elektoral, kishte organizuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me ç'rast ajo kishte kishte vlerësuar se më 1 dhjetor, Kosova do të dëshmojë se do ta kalojë me sukses testin e demokracisë.

“Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë”, kishte thënë Jahjaga, duke kërkuar nga organet përgjegjëse që të mos tregohet kompromis për ata që cenojnë procesin.

Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës kishte angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Balotazhi u mbajt edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan u përsëritën zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në veri, Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in u kujdesën për sigurinë në atë pjesë gjatë votimit, si dhe gjatë numërimit të votave.

“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.


Votimi u monitorua nga vëzhgues vendor e ndërkombëtarë

Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh, ku ishin përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar në komunat e Kosovës, i gjithë procesi u monitorua dhe vëzhgua nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian, ditën e zgjedhjeve pati 71 vëzhgues.Një numër të caktuar vëzhguesish kishte edhe ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues votimet i përcolli edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Derisa balotazhi u zhvillua në 25 komuna, po nga zgjedhjet e lokale të 3 nëntorit në 13 komuna kryetarët u zgjodhën qysh në rrethin e parë. Këto zgjedhje prodhuan si rezultat edhe zgjedhjen e asamblistëve të rinj nëpër të gjitha komunat e Kosovës.


Kush me kë ishte balotazh?

Balotazhi për kryetar në 25 komuna të Kosovës, u zhvillua nga 50 kandidatë, të cilët vijnë nga subjekte të ndryshme politike. Më poshtë publikojmë emrat e tyre dhe qytetet ku u zhvillua gara e balotazhit.

Prishtinë: Isa Mustafa (LDK) dhe Shpend Ahmeti (Vetëvendosje)

Gjakovë: Mimoza Kusari Lila (AKR) dhe Pal Lekaj (AAK-LDD)

Prizren: Ramadan Muja (PDK) dhe Eqrem Kryeziu (LDK)

Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) dhe Ali Berisha (AAK-LDD)

Gjilan: Lutfi Haziri (LDK) dhe Qemajl Mustafa (PDK)

Mitrovicë e Jugut: Avni Kastrati (PDK) dhe Agim Bahtiri (AKR)

Mitrovicë e Veriut: Krstimir Pantiq (GIS) dhe Oliver Ivanoviq (IQ)

Ferizaj: Agim Aliu (PDK) dhe Muharrem Svarça (LDK)

Malishevë: Ragip Begaj (IQM) dhe Sali Morina (LDK)

Rahovec: Idriz Vehapi (PDK) dhe Smajl Latifi (AAK-LDD)

Dragash: Selim Jenuzi (PDK) dhe Fatmir Mehmeti (LDK)

Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS) dhe Bojan Stojanoviq (SLS)

Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD) dhe Zenun Shala (LDK)

Kamenicë: Shaip Surdulli (LDK) dhe Begzad Sinani (PDK)

Klinë: Sokol Bashota (PDK) dhe Enver Berisha (LDK-LDD)

Lipjan: Shukri Buja (PDK) dhe Imri Ahmeti (LDK)

Novobërdë: Bajrush Ymeri (LDK) dhe Svetislav Ivanoviq (GIS)

Obiliq: Mehmet Krasniqi (LDK) dhe Xhafer Gashi (AAK-LDD)

Suharekë: Sali Asllanaj (LDK) dhe Bali Muharremaj (AAK-LDD)

Viti: Sokol Haliti (LDK) dhe Nexhmedin Arifi (PDK)

Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK) dhe Muharrem Shabani (AAK-LDD)

Partesh: Nenad Cvetkoviq (SLS) dhe Dragan Nikoliq (GIS)

Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS) dhe Milan Aritonoviq (SNPK)

Shtërpcë: Bratislav Nikoliq (SLS) dhe Ivan Rexhiq (GIS)

Kllokot: Sreçko Spasic (GIS) dhe Sasha Mirkoviq (SLS)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG