Ndërlidhjet

Në Serbi nis ndërtimi i Rrjedhës së Jugut


Ndërtimet për degën serbe të Gazjelleësit rus Rrjedha e Jugut kanë nisur.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe shefi ekzekutiv i kompanisë ruse, Gazprom, Aleksei Miller, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së punimeve.

Nikolliq ka thënë se projekti do të rrisë sigurinë energjetikë të Serbisë.

“Prej sot, ne jemi të lidhur me energji të re, e cila tashmë ka lidhur Rusinë me partnerët më të fuqishëm në Evropë. Gazi rus është realizimi i ëndrrës energjetike të Serbisë”, ka thënë Nikolliq.

Daçiq, në anën tjetër, ka folur për përfitimet potenciale nga projekti.

“Rrjedha e Jugut është investimi më i madh në Serbi për dekada të tëra. Vlera e punës, vetëm në Serbi, do të jetë rreth dy miliardë euro. Llogarisim që 2,000 deri në 3,000 punëtorë të jenë të angazhuar në punime. Në fund të tyre, priten përfitime të mëdha ekonomike – ndoshta 100 milionë euro në vit nga taksa transite”, ka thënë Daçiq.

Serbia dhe Gazprom-i kanë nënshkruar marrëveshje në tetor të vitit 2012, për të ndërtuar degën prej 421 kilometrash të gazsjellësit përmes Serbisë, me një çmim prej 1.9 miliard eurosh.

Gazi pritet të rrjedhë në fillim të vitit 2016, me një kapacitet vjetor prej 63 miliardë metrash kub.

Fillimisht projekti financohet nga Gazprom-i, ndërsa Serbia do të paguajë pjesën e saj nga pagesat e tranzitit.

Miller ka thënë se projekti është një pikë e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.

“Rrjedha e Jugut është një faqe e re, e fuqishme në bashkëpunimin Rusi-Serbi, në miqësinë Rusi-Serbi. Pjesa serbe e Rrjedhës së Jugut është e rëndësishme për këtë projekt”, ka thënë Miller.

Në fund, gazsjellësi do të kalojë nga Rusia, nepër Detin e Zi, përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë për në Evropën Perëndimore.

Ai do t’i mundësojë Rusisë që të shesë gaz në Bashkimin Evropian pa kaluar transit në Ukrainë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dërguar një mesazh, duke thënë se projketi do të reduktojë “rrezikun e tranzitit nga palët e treta” dhe do të ndihmojë në “konsolidimin e sigurisë ndërkombëtare të energjisë”.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG