Ndërlidhjet

Maqedoni: Shtrenjtohen produktet ushqimore


Treg perimesh (Foto nga arkivi)
Treg perimesh (Foto nga arkivi)
Përderisa të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave flasin se harxhimet për jetesë janë rritur vetëm 0.2 për qind gjatë muajit të fundit, krahasuar me një muaj më parë të këtij viti, qytetarët thonë se më shumë se gjysmën e rrogës e shpenzojnë për të siguruar produktet elementare ushqimore.

Sipas tyre, kjo flet qartë për nivelin e ulët të standardit jetësor.

Të dhënat e Entit Shtetërorë të Statistikave bëjnë të ditur se rritje më të madhe kanë pësuar produktet e qumështit, për 0.7 për qind, si dhe ilaçet dhe mjetet ndihmëse shëndetësore për 6.4 për qind krahasuar shtatorin me gushtin e këtij viti.

Problemi kryesor qëndron në atë se një e treta e popullatës është e papunë dhe kjo bën që të ardhurat, të cilat hyjnë në familje, të destinohen kryesisht për ushqim.

Fadil Hasani, pensionist, tregon se të ardhurat e tij prej 12 mijë denarësh (200 euro) pothuajse të gjitha shkojnë për ushqim, sepse janë të vetmet të ardhura në familjen e tij 6 anëtarëshe.

“Po të gjitha çmimet janë rritur, të them si buka, qumështi dhe prodhimet në tregun e gjelbër, të gjitha. Me një mijë denarë (rreth 15 euro) sot mund të blej vetëm 2 kg fasule, 2kg patate dhe spinaq, e tani më mbetën para vetëm edhe për një lakër. Pra, i gjithë pensioni më shkon për ushqim, unë as që mund ta mendoj se mund të shkoj diku ose të bëj ndonjë investim me këtë pension që e kam”, tregon Fadili.

Edhe Kateriana Dimoska pohon se produktet ushqimore shënojnë rritje, sepse është e vështirë të kursehet në produktet elementare ushqyese.

“Po produktet ushqimore janë ato që bëhen më të papërballueshme për buxhetin familjar, sepse nuk mund të kursehet në produktet elementare për mbijetesë, me 8 mijë denarë sa është rroga ime, dhe me një student në familje, në gjithçka më duhet të kursej”, shprehet Katerina.

Ndërsa, Imer Veliu, thotë se rroga në Maqedoni nuk e ka atë vlerën e mëparshme. Ai tregon se më parë ai arrinte të lidhë muajin me muaj, por tani duhet të bëjë dhe një punë shtesë në orët e pasdites duke ndihmuar tregtarët të mbledhin mallin:

“Po nuk ka vleftë denari siç ishte më parë, të gjitha prodhimet ushqimore janë më të shtrenjta. Është shtrenjtuar qumështi, buka madje buka tani nuk është e njëjtë dhe peshon më pak. Për të mbijetuar dal çdo dit këtu, pas orarit të punës, ku punoj si zjarrfikës”.

Ndryshe, gjatë javës, partia maqedonase në opozitë, ajo Liberal Demokrate, ka bërë të ditur se rroga mesatare mujore në Maqedoni është më e ulëta në Ballkan. Këto të dhëna janë bazuar në një studim të agjencisë “Anadolija”, sipas të cilit Maqedonia renditet e fundit madje edhe nga shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit në përgjithësi.

Sipas kësaj partie, këto të dhëna duhet të merren seriozisht, sepse tregojnë pamjen reale të ekonomisë së Maqedonisë.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë duke analizuar parametrat që e radhisin pothuajse në vendin e fundit Maqedoninë, sa i përket rrogës mesatare, thonë se është e pamundur të rriten pagat mujore përderisa nuk shënon rritje dhe Bruto Prodhimi Vendor.

"Statistikat flasin qartë se Maqedonia vetëm në aspektin gjeografik i përket Evropës, ndërsa sa i përket prosperitetit në planin ekonomik, standardin jetësor, thjesht mund të them se ka kohë që nuk mund të radhitet më përkrah vendeve evropiane, por me vendet e Azisë dhe Afrikës. Ky duhet të jetë një indikator për strukturat udhëheqëse se gjërat nuk po ecin në rrjedhën e duhur”, vlerëson Zdravko Saveski, ekspert i ekonomisë.

Ai thekson se fakti që më shumë se dy të tretat e popullatës parësore e kanë mbijetesën flet, qartë për nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG