Ndërlidhjet

Përparime, por edhe shumë punë


Me gjithë të arriturat që Kosova ka shënuar në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, institucioneve kosovare iu mbetet ende shumë punë për të bërë në përmirësimin e ambientit afarist në vend, vlerësojnë përfaqësues të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Raporti vjetor i Bankës Botërore “Të bërit biznes” gjykon 189 vendet në 11 kritere, dhe iu përpilon indeksin e lehtësimit të të bërit biznes, duke notuar secilin shtet.

Kosova në këtë raport është radhitur e 86-ta, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas raportit, përparime janë bërë në tre indikatorë: në fillimin e biznesit, dhënien e lejeve për ndërtim dhe në regjistrimin e pronave.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, ka bërë të ditur se si rezultat i ndryshimeve dhe lehtësimeve që janë bërë si nga niveli qendror dhe ai lokal Kosova ka arritur të jetë në mesin e 10 vendeve më reformatore në botë sa i përket ambientit afarist.

“Ne kemi bërë përparim të madh në dy vitet e kaluara por mbetet ende shumë punë për t'u bërë. Andaj të jeni të sigurt se reformat do të vazhdojnë më një intensitet më të lartë. Ky sukses vetëm sa na motivon për punë edhe më të madhe”, është shprehur Nikaj.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Oltres ka thënë se fakti që ka papunësi të madhe në Kosovë tregon atë se ekonomia e Kosovës nuk ka arritur ende gjenerimin e mjaftueshëm të vendeve të punës për kosovarët.

“Vetëm pak më shumë se 1/4 e popullsisë në moshë të punës janë të punësuar do të thotë shumë më pak se mesatarja në Ballkanin Perëndimor. Më shumë se 30 për qind e fuqisë punëtore janë të papunë. Këto shifra të përfshira në anketën e fuqisë punëtore për vitin 2012 rikonfirmon shkallën që ekonomia e Kosovës nuk ka arritur ende gjenerimin e mjaftueshëm për vende të punës dhe paga të mira për qytetarët e saj”, thekson Oltres.

Ai ka bërë të ditur se raporti i Bankës Botërore është një instrument që tregon se duhet vazhduar për të bërë reforma ekonomike që mundësojnë rritje ekonomike dhe zbutjen e normës së papunësisë.

Në anën tjetër, Scott Cameron nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, ka theksuar se sa i përket ambient afarist në Kosovë duhet të bëhen edhe shumë reforma.

“USAID është i gatshëm të ndihmojë reformat ekonomike që kanë të bëjnë me të barit biznes në Kosovë", pohoi Cameron.

Ndryshe, në qershor të këtij viti, paneli i pavarur i themeluar nga Banka Botërore që të vlerësojë vlefshmërinë e një prej renditjeve të profileve të shteteve, kishte këshilluar këtë institucion që të ndalë së prodhuari raportin e “Të bërit biznes”, sepse siç kanë thënë ata, mund të jenë mashtrues.

Gradimi i tillë, ishte thënë në një raport të këtij paneli, mund t’i mvesh barrë të madhe qeverive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG