Ndërlidhjet

Ushqim i pamjaftueshëm


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët e Kosovës nuk ushqehen mirë, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Derisa, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore 30 për qind e popullatës në Kosovë jetojnë në varfëri ekstreme me 2.5 dollarë në ditë. Kjo, sipas kryetarit të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, është një fakt se këto familje nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm dhe cilësor.

“Në botë vdesin miliona njerëz nga uria. Fatmirësisht, kjo në Kosovë nuk ndodh, por nuk do të thotë që ne duhet të bëjmë gjumë të rehatshëm, por duhet të vazhdojmë të organizohemi si shoqëri dhe të mendojmë se kush sa ka dhe a ka mjaftueshëm për t’u ushqyer”, thotë Kaçaniku.

Në Ditën Botërore të Ushqimit, e cila shënohet më 16 tetor, një raport i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara tregon se rreth 842 milionë njerëz, ose një në tetë persona, kanë vuajtur nga uria kronike në vitet 2011-2013, duke mos pasur ushqim të mjaftueshëm për një jetë aktive dhe të shëndetshme.

Sinan Kastrati, qytetar, thotë se kosovarët ushqehen sipas standardit jetësor që ata kanë. Sipas tij, në kushtet ekonomike, në të cilat jetojnë, nuk arrijnë të ushqehen mirë dhe shëndetshëm.

“Ushqimi është i rëndësishëm, por gjendja ekonomike dhe sociale, e cila është e rëndë, nuk të mundëson që të ushqehesh mirë, nëse kryefamiljari nuk ka pagë të lartë, ai nuk arrin të blejë gjëra të mira apo të shëndetshme dhe normalisht që ushqehen me ato që kanë mundësi t’i blejnë”, thotë Sinan Kastrati.

Por, sa është i kontrolluar ushqimi që qytetarët e konsumojnë? Mbi 90 për qind e produkteve të konsumit në Kosovë importohen nga shtete të ndryshme të botës, derisa vetëm 10 për qind konsiderohet të jenë produkte vendore.

Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK), si autoritet shtetëror. Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Lamir Thaçi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se procedurat e kontrollit të ushqimit në pikat kufitare janë të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, produktet të cilat hyjnë në tregun e Kosovës, janë të sigurta.

“Të gjitha produktet që vijnë nga importi kontrollohen përmes dokumentacionit dhe sipas planit, kur dyshohet nga inspektori se një produkt është i dyshimtë atëherë merren mostra për analiza dhe vetëm atëherë kur vërtetohet diçka, një produkt nuk lejohet të tregtohet brenda vendit tonë”, shpjegon Thaçi.

Ai bën të ditur se që nga fillimi i këtij muaji, AVUK ka futur në funksion disa rregullore për bizneset, siç është pakoja higjienike, në të cilën pako janë të përfshira tri rregullore që përcaktojnë kushtet e prodhimit, kushtet e ruajtjes së ushqimit dhe kushtet e tregtimit.

Megjithatë, në Kosovë gjatë këtij viti ka pasur disa raste me produkte, të cilat konsiderohej se kishin cilësi të dyshimtë, e që rrjedhimisht rrezikonin jetën e qytetarëve.

Selatin Kaçaniku nga organizata Joqeveritare “Konsumatori” thekson se në këtë aspekt, konsumatori në Kosovë mbetet i pambrojtur.

“Duke u nisur nga fakti se tregu në Kosovë nuk është i sigurt dhe është i pambrojtur, duhet të tregohemi vigjilentë në atë që konsumojmë, derisa autoritetet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim”, thekson Kaçaniku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG