Ndërlidhjet

Premtimet që shembin besimin dhe shtojnë depresionin


Ilustrim
Ilustrim
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë po zhvillohet me dinamikë të shtuar, por në mjaft raste politikanët apo liderët lokalë të komunave të ndryshme, të cilët garojnë në këto zgjedhje, po e shfrytëzojnë në mënyrë joetike gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të qytetarëve, për të bërë premtime ndaj elektoratit, vlerësojnë ekspertë të fushave të sociologjisë dhe psikologjisë në Kosovë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se veprimet dhe premtimet, të cilat po i bëjnë politikanët lokalë, gjatë fushatës zgjedhore, po nxjerrin në pah faktin se ata janë të gatshëm jo vetëm të shfrytëzojnë, por edhe të keqpërdorin çfarëdo situate apo gjendje që do të mund t’u sillte eventualisht atyre vota.

“Ata, pothuajse në të gjitha komunat, japin premtime marramendëse për krijimin ose hapjen e vendeve të lira të punës, të cilat, fundi i fundit, jo vetëm që nuk mund të realizohen, por as nuk është kompetencë e pushtetit lokal hapja e vendeve të lira të punës, ashtu siç ata predikojnë”.

“Pra, ky është një tregues shumë i vogël, por që flet shumë për keqpërdorimin e gjendjes së rëndë sociale të qytetarit nga ana e kandidatëve për kryetarë komunash. Ndoshta, është ndonjë përjashtim i rrallë, por përgjithësisht kandidatët për kryetarë të komunave japin aq premtime sa nuk mund të realizohen, si dhe jashtë kompetencave të tyre”, thotë Reçica.

Dhënia e premtimeve që nuk kanë bazë realitetin tashmë është bërë fenomen në fushatat zgjedhore, vlerëson psikologu Dashamir Bërxulli, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në këtë mënyrë nga politikanët që konkurrojnë në zgjedhjet e tashme lokale, po shfrytëzohet negativisht gjendja e rëndë sociale e qytetarëve.

“Kjo, natyrisht që ndikon tek elektorati për të krijuar një lloj mosbesimi ndaj politikës në tërësi. Normalisht, ndikon, po ashtu, që njerëzit të bëhen pasivë, të mos mendojnë që jetojnë në një ambient ku fjala e dhënë publike ka peshë, duke mos menduar që jetojnë në një ambient ku njerëzit që marrin mandatin e qeverisjes janë realisht të përkushtuar për hallet e njerëzve dhe janë realisht të përkushtuar të zbatojnë atë mandat dhe atë besim që kanë nga njerëzit. Kjo nuk ka efekte pozitive në psikologjinë masive që ekziston sot në Kosovë”, vlerëson Bërxulli.

Keqpërdorimi i gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale të qytetarëve nga ana e politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, sipas sociologut Reçica, i dëmton shumë rëndë raportet e besimit ndërmjet qytetarëve dhe politikanëve.
Qytetari i Kosovës tashmë e ka humbur besimin te premtimet e liderëve komunalë, por edhe të liderëve qendrorë.

“Qytetari i Kosovës tashmë e ka humbur besimin te premtimet e liderëve komunalë, por edhe të liderëve qendrorë. Ky është dëmi më i madh që i shkaktohet qytetarit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare, për arsye se përveç gjendjes së vështirë, me të cilën përballen qytetarët e Kosovës, ata po e humbin edhe shpresën për përmirësimin e kësaj gjendjeje dhe për daljen nga kjo gjendje e rëndë sociale për ta”, thekson Reçica.

Por, si ndikojnë në psikologjinë e njerëzve premtimet që nuk kanë bazë reale të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore?

Psikologu Bërxulli vlerëson se një pjesë e elektoratit i pranon premtimet me shumë rezerva dhe kjo sipas tij, tashmë është parë edhe në debatet në media, por edhe në mitingjet zgjedhore.

“Një pjesë e caktuar e popullatës, e cila është tepër e atakuar nga problemet e veta, mund t’iu besojë atyre, por edhe mund t’i çojë deri te shitja e votës. Ky fenomen, në dy apo tri zgjedhjet e fundit i ka shoqëruar në Kosovë fushatat zgjedhore dhe votimet përkatëse”.

“Ndërkohë, që një kategori tjetër e njerëzve, të cilët eventualisht kanë diçka të rëndësishme për të dhënë në këtë shoqëri, nuk e aktivizojnë energjinë e tyre më pozitive dhe kreative brenda shoqërisë, duke qenë refuzues të marrin pjesë në jetën publike dhe duke qenë refuzues, në përgjithësi, ndaj elitës politike në Kosovë”,
shpjegon Bërxulli.

Ndryshe, e gjithë kjo situatë, sipas ekspertëve të sociologjisë dhe psikologjisë, mund të ndikojë në shtimin e formave të depresionit, i cili tashmë është evident te qytetarët që nga shpallja e pavarësisë së vendit në shkurtin e vitit 2008.

Ky depresion, sipas tyre, ka ndodhur për shkak të zhgënjimit të qytetarëve me klasën politike dhe elitën qeverisëse në vend, por edhe ndaj klasës intelektuale në Kosovë, e cila, sipas tyre, nuk e ka luajtur rolin që i ka takuar në udhëheqjen e proceseve dhe të menaxhimit të shoqërisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG